Histori

Hajmalia kundër syrit të keq dhe historia e saj mijëravjeçare

Hajmali moderne nazari. 2009. Foro Marc Tarlock, Flickr.

Për mijëra vite, ajo që njihet si “syri i keq” thuhet se i ka dëmtuar njerëzit, në të gjithë botën. I ngulitur në shumë qytetërime të lashta – përfshi ato të Mesopotamisë, Egjiptit, Fenikasve dhe Greqisë – dhe në Dhiatën e Vjetër, besohet se me një vështrim ziliqar, një njeri mund të mallkojë një tjetër, fëmijët e tij apo edhe pronën me fatkeqësi, sëmundje dhe vdekje. Ata që i besojnë syrit të keq, kanë krijuar mbrojtje kundër tij, në format e magjive, objekteve dhe ritualeve (si të pështysh tri herë). Por një talisman ka dëshmuar të jetë më jetëgjati dhe më i përhapuri: hajmalia me një sy, që ka qëllimin të sprapsë kundruesit ziliqarë. “Kjo ide e vështrimi të ligë që mund të dëmtojë rëndë një njeri dhe një pronë, është shumë e lashtë, shpjegon antropologu Alan Dundes tek “Syri i Keq: Një libër kazusesh”, një vëllim i eseve akademike që pohojnë “ndikimin e përhapur dhe ngulmues të besimit të syrit të keq.” Ky besim antik, shkruan Dundes, gjendet mes indo-europianëve, semitëve dhe kulturave të pellgut të Mesdheut, të së shkuarës dhe të së tashmes.

Hajmali moderne, nazari, 2009. Foto Leslie Seaton, Flickr.


Besimi në syrin e keq, sipas antropologëve, e ka themelin në kuptimin se ka një sasi të kufizuar të të mirave – si pasuria, bagëtia dhe mirëqenia – për t’u ndarë mes shoqërisë. Kështu, duke shprehur xhelozi me një vështrim apo duke i lëvduar me fjalë “të mirat” e një tjetri ( edhe kur dikush ka qëllim të mirë), është të rrezikosh që ajo e mirë të të merret. Kështu, praktika e mbajtjes së imazhit të një syri, që sheh jashtë, u përshtat për të ofruar një sens sigurie për ata që druheshin – një domethënie e të hedhurit vazhdimisht një sy, botës rreth jush. Të parat vlerësime dhe artefakte, të lidhura me syrin e keq, datojnë në qytetërimet antike të Mesopotamisë. Diskutimet e fenomenit janë gjetur në gdhendje të ngjashme me lutjet, në pllakat me shkrim kuneiform nga Sumeri dhe Babilonia, që datojnë mes viteve 3300 dhe 3000, para Krishtit. Në qytetin e Tell Brakut, aty pranë, janë zbuluar hajmali të njohura ndryshe si “idhujt e syrit”. Figura të vogla prej alabastri me sy të mëdhenj, këto artefakte nuk njihen se lidhen drejtpërdrejt me syrin e keq, por studiuesit, përfshi teologun John H. Elliott (autor i katër teksteve mbi syrin e keq), kanë vërejtur një korrelacion të mundshëm. “Teoria që e mbështet më së miri i lidh këto idhuj syri me adhurimin e perëndeshës Ninhursag, perëndesha Sumere e lindjes së fëmijëve”, shkruante dikur Elliott. “Këta idhuj syri dhe adhurimi i perëndeshës mbrojtëse të lindjes, lidhen me gjasë me besimin në Syrin e Keq, duke qenë se të porsalindurit, foshnjat dhe nënat që sapo kishin lindur janë mbajtur si shumë të brishta ndaj Syrit të Keq, në të gjitha kulturat që besojnë në të”. Simbole të ngjashme me sy që datojnë pas në vitin 3000 para Krishtit janë gjetur gjithashtu në rajonin e Mesdheut dhe bashkë me “idhujt e syrit” janë konsideruar si pararendës historikë të përdorimeve të mëvonshme të hajmalive si pajisje mbrojtëse.

“Hajmalia më e efektshme kundër syrit të keq ka qenë gjithnjë, sipas traditës, një imazh i vetë syrit”, vëren antropologia Migene González-Wippler, tek “Libri i Plotë i Hajmalive dhe Talismanëve”. Ajo citon Syrin e Horusit, të njohur edhe si Wedjat, si një shembull i hershëm egjiptian. Ky ishte një simbol mbrojtës dhe shërues i angazhuar në shumë kontekste, si vendet e prerjes pas balsamosjes së të vdekurit, në anët e arkivolit dhe varkat, një hajmali e mbajtur si nga të vdekurit, ashtu edhe nga të gjallët. Si të gjithë objektet e tjera të ritualeve në Egjiptin e Lashtë, Syri i Horusit është vendosur, thuajse gjithnjë, në një nuancë të bruztë fajance, një lloj qeramike egjiptiane, me glazurë në nuanca të gjalla. Ngjyra përfaqësonte fuqinë regjeneruese e të pavdekshme të diellit dhe studiuesit besojnë se, mund të jetë përdorur për të imituar gurë gjysmë të çmuar të së njëjtës nuancë, si akuamarini. Ndërsa ka pak të dhëna për të provuar se Syri i Horusit u transformua në hajmalinë moderne kundër syrit t keq, ato janë të lidhura nga përdorimi i një syri të vetëm dhe ngjyrës bojëqielli. Talismani kundër syrit të keq, me të cilin jemi shumë familjarë ditët e sotme, njihet në Turqi si nazari ( fjalë arabe për “sy” apo “shikim”) apo një mati ( që do të thotë “sy”) në Greqi. Relativisht minimal, krahasuar me hajmalitë historike me formë syri, merr formën e një rruaze qelqi me katër rrathë bashkëqendrorë: një bebëz e zezë, iris blu i çelët, të bardhën e syrit dhe një shtresë e jashtme, në blu më të thellë. Kopje të mëhershme të hajmalisë janë bërë nga argjila e lyer apo qeramika, por mbërritja e përpunimit të qelqit në Mesopotami dhe Egjipt – që mund të jenë përhapur në Anadoll ( rajon në Turqinë moderne) përmes tregtisë – bëri që artizanët vendas të merrnin praktikën e punimit me dorë të rruazave, në furrë. Deri në ditët e sotme, artizanët bëjnë nazare në Izmir, Turqi, ku arti është trashëguar brez pas brezi.

Hajmali me syrin e shumëfishtë të Horusit, Egjipt, 724-31 Para Krishtit. Foto, Muzeu i Artit, në Kontenë e Los Anxhelosit.

Në historinë e vonë, megjithatë, nazar/mati ka fituar popullaritet në të gjithë botën – pjesërisht për shkak të emigrimit të njerëzve nga kulturat e syrit të keq drejt Amerikës dhe gjetkë – pak hajmali prodhohen sipas metodës tradicionale. Turistët që vizitojnë pazaret apo psonisin online do të gjejnë gjithnjë e më shumë versione plastike të syrit ( të cilat janë më pak të kushtueshme për t’u prodhuar) apo simboli i printuar në veshje apo në stoli. Interesi i përhapur në ditët e sotme për talismanët mundet, ndoshta t’i atribuohen pjesërisht popullaritetit të spiritualitetit të “Epokës së Re” të viteve ’70, që po përjeton një ringjallje të këtyre objekteve. Pavarësisht kësaj, shumë njerëz që mbajnë hajmali kundër syrit të keq ditët e sotme, ende nuk janë në dijeni në historive të syrit të keq. (Kjo mund të thuhet edhe për hamsa apo khamsas, një imazh i rojës kundër syrit të keq, i një dore të hapur me një sy në qendër të pëllëmbës. Besohet se e ka origjinën nga kohët e lashta dhe tani ka domethënie të ndryshme në Hinduizëm, Budizëm, Judaizëm, Islam dhe Krishterim.) Ndërsa në ditët e sotme, dikush mund ta shohë syrin e keq dhe morinë e hajmalive mbrojtëse si një objekt i besëtytnive të tejshkuara, shumë sende në jetën bashkëkohore shpesh mendohen se kanë fuqinë për të të ruajtur nga syri i keq. Siç Diana Craig Patch, e Muzeut Metropolitan të Artit, ka shkruar në një ese më 2004-ën, “Bindja se një simbol, formë apo koncept siguron mbrojtje, nxit mirëqenie apo sjell fat të mirë, është e zakonshme në të gjitha shoqëritë: në tonën, ne zakonisht mbajmë simbole fetare, një monedhë të parapëlqyer apo këmbën e lepurit.”Ajo çka ndan hajmalinë kundër syrit të keq nga të tjera hajmali më mondane për fat të mirë është importi i tij historik, mistik dhe mungesa e kufijve kulturorë. Është një imazh që ka ndryshuar dhe ka mbajtur imagjinatën globale për mijëvjeçarë, duke i lidhur ata që e mbajnë sot, prej kohëve të lashta. * Haley Weiss/ Artsy


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë