Ngjarje

“Gruevski s’mori malet. Kaloi ‘i respektuar’ në Shqipëri”

Nga Mentor Kasa dhe Xhuliana Toci - Kur në zyrën e Interpolit në Tiranë mbërriti shpallja në kërkim ndërkombëtar e Nikolla Gruevskit nga ana e autoriteteve maqedonase, ish-kryeministri i Maqedonisë kishte lënë territorin e Shqipërisë për të kërkuar ndihmën e Viktor Orbanit në Hungari.

“Ditët e fundit kam marrë kërcënime pafund për jetën tim. Aktualisht ndodhem në Budapest dhe kam dorëzuar kërkesën për azil politik tek autoritetet hungareze. Do t’i mbetem besnik Maqedonisë dhe çështjes së saj. Nuk do të dorëzohem kurrë!”, shkruante më 13 nëntor në rrjetet sociale ish-Kryeministri Maqedonas.

https://www.facebook.com/NGruevski/posts/10156942186402716

Më 11 nëntor, konfirmuar edhe nga Departamenti i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit edhe zyrtarisht, se në orën 19:11 minuta, Nikolla Gruevski ka lënë territorin shqiptar nga pika e kalimit kufitar të Hanit të Hotit për në drejtim të Malit të Zi. Si dokument dyshohet se ka përdorur vetëm kartën e identitetit, megjithëse në disa media përflitet se ai ka patur edhe një pasaportë të falsifikuar.

E vetmja e dhënë e sigurtë është që emri i Nikolla Gruevskit nuk figuron në sistemin TIMS në hyrje, por vetëm në dalje përmes pikës së Hanit të Hotit. Pyetja e parë që ngrihet është se si arriti t’i shpëtojë kontrollit Nikolla Gruevski?

Janë dy mundësi që përfliten. E para që ish-Kryeministri maqedonas ka kaluar përmes kufirit të gjelbër, pra e thënë më shkoqur, ka hyrë në territorin shqiptar nga mali. Hamendësimet janë që ka përdorur lidhjet e tij në Bashkinë e Pustecit në Shqipëri për të kaluar kufirin ilegalisht në zonën e Prespës.

Por, sa i besueshëm është ky variant? A e ka marrë malin vërtet Nikolla Gruevski për t’i shpëtuar burgut? Ky skenar mund të duket i besueshëm kur bëhet fjalë për një qytetar të thjeshtë, por kur bëhet fjalë për njeriun që drejtoi për një dekadë Maqedoninë gjërat ndryshojnë. Shqipëria me Maqedoninë ndajnë tri pika kalimi kufitar në një distancë të vogël. E para është Qafë-Thana, e dyta ajo e Tushemishtit dhe e treta pika e kalimit kufitar të Goricës në Pustec.

Mundësia që Gruevski të ketë kaluar në Qafë-Thanë përjashtohet, jo se ish-Kryeministri u druhej autoriteteve shqiptare, sepse për Shqipërinë, më 11 nëntor ishte një qytetar i lirë ndaj të cilit nuk figuronte asnjë urdhër-arresti ndërkombëtar. Por, Gruevski duhet t’u jetë shmangur kontrolleve maqedonase dhe më pas ka hyrë në Shqipëri.

Në bazë të marrëveshjes së lëvizjes së lirë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, në fuqi prej vitesh tashmë, edhe sikur Gruevski të paraqitej në një pikë kontrolli kufitar shqiptare ai ishte i lirë që të vazhdonte më tej e rrjedhimisht edhe të dilte, ashtu siç doli nga Hani i Hotit.

Dilema është se përse nuk është verifikuar nga kontrollorët kufitarë në Han të Hotit se si kishte hyrë në Shqipëri. Burime për Gazetën “Si” nga Departamenti i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit na thonë se gjasat janë që ish-Kryeministri maqedonas të ketë kaluar i qetë dhe rehatshëm përmes pikave të kalimit kufitar dhe jo në këmbë nga mali.

Sipas burimeve, ka një “kod të heshtur” mes policëve si në anën shqiptare, ashtu edhe në atë maqedonase, ku ndërthuret neglizhenca, frika për të kontrolluar personalitetet publike, por edhe si “shenjë respekti për ta”.

Burimet na thonë gjithashtu se pikërisht ky “kod” dyshohet se është aplikuar edhe në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit. “Aq më tepër që ai ka qenë në një makinë me targa diplomatike dhe i shoqëruar edhe nga një diplomat i Hungarisë në Tiranë”, na thonë burimet.

E vërteta e arratisjes së Gruevskit do të vazhdojë të qëndrojë e mveshur me mistere, ndoshta edhe pas mbylljes së verifikimeve që ka nisur Policia e Shtetit në Shqipëri. Burime nga uniformat blu konfirmojnë se puna hetimore është përqendruar në pikat kufitare me Maqedoninë, për të mësuar detajet për hyrjen e tij, si edhe daljen nga Hani i Hotit.

Itinerari i arratisjes së Gruevksit

Ish-kryeministri maqedonas Nikola Gruevski, i shpëtoi burgut falë një automjet diplomatik hungarez, i cili e dërgoi nga Shqipëria në Mal të Zi. Edhe pse nuk ka të dhënë zyrtare se kur mund të ketë hyrë në vendin tonë, Gruevski u largua nga Shqipëria dhe u nis drejt Malit të Zi.

Rrugetimi drejt "lirise" i Nikolla Gruevskit

Ish-lideri i fuqishëm politik, e cili udhëhoqi vendin fqinj për gati një dekadë deri në vitin 2016, u ndal më pas në Beograd, ku besohet të ketë pasur kontakte më përfaqësues të Ambasadës Hungareze atje. Ministria e Brendshme e Malit të Zi konfirmoi informacionin, duke thënë se Gruevski hyri në këtë vend më 11 nëntor dhe u largua po atë ditë.

"Në lidhje me raportet e publikuara në media lidhur me hyrjen e ish-kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski në Malin e Zi, sqarojmë se Gruevski hyri në Malin e Zi më 11 nëntor dhe doli po atë ditë”, thuhej në deklaratën e autoriteteve të vendit fqinj. Podgorica gjithashtu thekson se policia malazeze “respektoi plotësisht procedurat ligjore" duke thënë se ish-kryeministri është regjistruar me kartën e identitetin si në hyrje ashtu edhe në dalje.

Nëpërmjet burimeve, mediat e Malit të Zi kanë zbardhur një pjesë të intinerarit të Gruevskit. Sipas tyre, ai ka mbërritur në orën 19:19 në vendkalimin kufitar Bozaj dhe ka përdorur kartën e tij të identitetit.

“Gruevski ka qenë në veturë “Volksvagen” me targa CD1023. Ai shoqërohej nga Kulsar Antal dhe Varsalvai Shaba, dy zyrtarë të pajisur me pasaporta diplomatike hungareze. Gruevski hyri në territorin e Serbisë në të njëtën ditë në orën 22:16, nga vendkalimi kufitar Dobrakovo, por kësaj radhe me një tjetër makinë me targa 55A05 në të cilën ndodheshin edhe Cezar Josef Zoltan dhe Feledaz Saba, po ashtu, dy zyrtarë me pasaporta diplomatike hungareze. Sipas faqes zyrtare të Ambasadës Hungareze në Podgoricë, Zoltan është zëvendësambasador i Hungarisë në Mal të Zi, kurse Saba konsull. Përveç ambasadës nëPodgoricë, Hungaria ka një konsullatë në Hercegnovi në Mal të Zi”, shkruan “Alsat M”.

I gjithë plani i arratisjes së tij përfshin në mënyrë të drejtpërdrejtë autoritetet hungareze në Tiranë dhe Beograd, por Budapesti zyrtar mohoi të gjitha raportet se i kishte ofruar ndihmë Gruevskit në planin e tij të arratisjes.

"Autoritetet shtetërore hungareze nuk kishin të bënin me arratisjen e Nikolla Gruevksit nga vendi i ij", u tha gazetarëve shefi i kabinetit qeveritar të Kryeministrit Viktor Orbán, Gergely Guljas. "Shteti hungarez nuk kishte të bënte me largimin e ish-kryeministrit nga Maqedonia," shtoi ai.

Një përfaqësues i qeverisë hungareze tha mbrëmjen e së enjtes se nuk donte të komentonte mbi informacionin e publikuar nga autoritete shqiptare. Sikur të mos mjaftonte kjo, Gruevski raportohet se po qëndron në vilën e Orbanit në Budapest.

Ish-ministri i jashtëm bullgar Ivailo Kalfin shkroi të enjten në Twitter se: "Nuk mund të besoj se Orbán po strehon një të arratisur në vilën e tij". Kohët e fundit, Orban mbështeti qëndrimin e partisë së Maqedonisë VMRO-DPMNE kundër marrëveshjes së Prespës për të zgjidhur mosmarrëveshjen e emrit me Greqinë.

Gruevski kërkoi azil në Shqipëri?

Pak pasi Policia Kufitare Shqiptare konfirmoi se ish-kryeministri maqedonas ishte arratisur nëpërmjet vendit tonë, shefi i kabinetit të kryeministrit hungarez ndezi të tjera spekulime, duke deklaruar se Gruevksi kishte kërkuar fillimisht azil në një vend tjetër jashtë Hungarisë.

Gergel Guljas nuk sqaroi se në cilin vend Gruevski u përpoq të kërkonte azil, por ngriti mjaft dyshime duke theksuar se ai kishte paraqitur kërkesë për azil në një ambasadat hungareze në vendet e rajonit. Duke qenë se policia e Malit të Zi ka sqaruar se Gruevski nuk u ndal gjatë në vendin fqinj, por e përdori thjesht si tranzit për të shkuar drejt Beogradit, dyshimet kryesore bien mbi Shqipërinë edhe Serbinë.

Mediat serbe, të cilat ishin të parat që raportuan për arratisjen e Gruevksit nëpërmjet Shqipërisë, raportuan ditën e enjte se ai kishte kërkuar azil në Ambasadën Hungareze në vendin tonë. Gazeta “Politika” shkruante se: “Ish kryeministri maqedonas Nikola Gruevski hyri në Hungari nëpërmjet Shqipërisë, ku kërkoi fillimisht azil. Gruevski, duke përdorur një pasaportë të rreme, kaloi natën mbrëmë kufirin shqiptar-maqedonas dhe kështu ka mundur të arrijë ilegalisht në Tiranë”.

Pasi ka shkuar në Hungari, Gruevksi ka pritur dy ditë për të aplikuar zyrtarisht për azil politik. Zyra e kryeministrit Orban konfirmoi të mërkurën se Gruevski paraqiti kërkesën për azil me zyrën hungareze të emigracionit, duke kërkuar statusin e refugjatit. Guljaš deklaroi se dhënia ose refuzimi i azilit për Gruevskin në Hungari "është çështje ligjore dhe jo politike".

"Zyra e Emigracionit dhe Azilit po vlerëson procedurën në përputhje me ligjin hungarez dhe ndërkombëtar", tha ai.

Reagime në Hungari dhe BE

Partia qeverisëse e Orbán, Fidesz (pjese e të djathtëve të PPE) tha të mërkurën se Gruevski ishte "persekutuar dhe kërcënuar nga një qeveri e majtë, e cila në mënyrë të qartë e ka mbështetjen e George Soros".

Kërkesa e Gruevskit për azil do të testojë gatishmërinë e Budapestit për të aplikuar rregullat e ashpra të azilit dhe masat kundër refugjatëve, si gardhet kufitare dhe kampet e paraburgimit. Duke komentuar strehimin e tij në Budapest, ministri i Jashtëm gjerman deklaroi me ironi se të paktën Orban po pranonte refugjatë.

Ministri i Jashtem gjerman, Heiko Maas gjate nje vizite ne Kine. Foto REUTERS/Jason Lee

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev i kërkoi Hungarisë të "respektojë rregullat dhe të drejtën ndërkombëtare" dhe të mos sigurojë "një strehë për kriminelët".
Por qeveria e Budapestit në një deklaratë duke thënë se “Maqedonia është një partner strategjik dhe një aleat i rëndësishëm i Hungarisë".

Partitë e opozitës në Budapest kanë paralajmëruar qeverinë kundër dhënies së mbrojtjes për Gruevskin. "Kriminelëve të korruptuar që vjedhin popullin e tyre, zakonisht u jepet azil vetëm në diktaturat më të këqijadhe në republikat e bananeve dhe jo në BE", tha partia e koalicionit demokratik.

Autoritetet amerikane thanë nga ana tjetër se Gruevski duhet të mbajë përgjegjësi dhe të përballet me drejtësinë maqedonase. Por një zëdhënës i partisë së kryeministrit Orban deklaroi se kërkesa për ekstradimin e Gruevskit përbën shkelje të sovranitetit të Hungarisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë