Shendet

Gripi e virozat vijojnë qarkullimin edhe në pranverë, ISHP: 15.478 raste në javë, më të prekur fëmijët nën 5-vjeç

Nga Gazeta Si- Me hyrjen në stinën e pranverës, luhatjet e temperaturave kanë shtuar qarkullimin e virozave respiratore kryesisht në rrugët e sipërme. Ndonëse, nga survejanca e javës së kaluar konstatohet një ulje e lehtë e rasteve të identifikuara zyrtarisht në qendrat  shëndetësore apo spitalet, shifrat e pacientëve të sëmurë mbeten të larta, 15.478 në të gjithë vendin.

Instituti i Shëndetit Publik raporton se në javën e tretë të muajit shkurt zyrtarisht në Shqipëri ishin 15.778 raste, ndërsa në javën e fundit të muajit shkurt kjo shifër zbriti në 15.478, e megjithatë mbetet e lartë.

Sipas burimeve në ISHP, në javën e fundit të muajit shkurt, numri më i madh i të prekurve janë grupmosha mbi 5-vjeç dhe ky numër ka ardhur në rritje.

“Në javën e tretë të muajit shkurt ishin 2535 raste të fëmijëve nën 5-vjeç me infeksione respiratore të sipërme dhe 1073 raste me infeksione respiratore të poshtme. Ndërsa në javën e fundit të muajit shkurt, më të prekurit nga virozat respiratore janë grupmosha mbi 5-vjeç ku të regjistruar janë 8374 raste me infeksione respiratore të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, dhe 4148 raste me viroza respiratore të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes”, thonë burimet nga ISHP.

Alergjitë, fluks pacientësh të vegjël në QSUT

Edhe alergjitë e pranverës renditen ndër problematikat e evidentuara në sistemin shëndetësor. Në urgjencën e pediatrisë në QSUT, rastet me alergji janë shtuar ndjeshëm me ftohjen e motit dhe ndryshimin e temperaturave.

Mjekët thonë se alergjitë më të shpeshta janë ato respiratore, të cilat ndikojnë në sistemin e frymëmarrjes ku astma alergjike dhe riniti alergjik janë dy llojet e alergjive respiratore.

“Riniti alergjik (i quajtur edhe ethet e barit) rezulton në simptoma kruarje të hundës dhe lotim, ndërsa astma alergjike rezulton në shtrëngim të rrugëve të frymëmarrjes”, thonë alergologët.

Alergjitë respiratore janë ndër format më të përhapura të alergjive në Europë dhe në mbarë botën.

Gjithashtu, përhapja e sëmundjeve alergjike po vjen duke u rritur në Europë edhe si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike dhe nuk kufizohet më vetëm në ndërrimin e stinëve apo në mjedise specifike.

Kush është në rrezik për alergji?

Çdo njeri mund të ketë apo të zhvillojë një alergji, që nga i porsalinduri e deri tek i rrituri.

Në momentin që shfaqen simptomat e një alergjie respiratore, fillimisht duhet shkuar te mjeku apo specialisti për të vendosur saktë diagnozën dhe për të identifikuar alergjenin (ose alergjenët) ndaj të cilëve ju jeni të ndjeshëm, në mënyrë që të përcaktohet saktë terapia dhe masat e nevojshme parandaluese përpara fillimit të stinës së poleneve (pranverës). Si mënyrë parandaluese mund të sugjerohet klima detare, pasi në këto vende përqendrimi atmosferik i poleneve është relativisht i ulët.

Për individët të cilët janë të diagnostikuar me një formë alergjie rekomandohet që gjatë periudhës së poleneve të evitojnë daljet në orët e përqendrimit më të madh të poleneve në atmosferë, duke preferuar më shumë daljet në mëngjes dhe në darkë vonë, rrugët me trafik dhe mjediset e gjelbëra, shëtitjet nëpër lëndina, sidomos nëse ka erë, dritaret e hapura kur udhëtoni me makinë dhe aktivitetet në natyrë në orët e drekës, sidomos në ditët me diell dhe me erë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë