Rend dhe Ligj

Gjykata e Lartë, plotësimet e para në shtator. Po ashtu edhe ngritja e SPAK

Në shtator pritet të nisë plotësimi i Gjykatës së Lartë. Kështu deklaroi kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami gjatë raportimit përpara komisionit të Ligjeve. Shqetësimi mbi mos ngritjen e gjykatave të rëndësishme në vend si ajo Kushtetuese edhe ajo e Lartë ka qenë edhe objekt i pyetjeve të socialistëve në adresë të Llagamit.

“Na ka shqetësuar që në ditën e parë, si të bëjmë sa më eficente Gjykatën e Lartë. Mirëfunksionimi i sistemit gjyqësorit është kryesore, vettingu ka krijuar mungesa dhe zvarritje të shqyrtimit të çështjeve gjyqësore. Në këtë procedurë ne duhet të garantojmë që ato kandidatë duhet të kenë njëjtat garanci, standarde për kriteret objektive për verifikimin e figurës, profesionalizmit dhe të pasurisë. Sistemi po vuan edhe është një situatë të vështirë për shkak të integritetit dhe pasurisë që kanë pasur gjyqtarët. Nuk mund të lejojmë që të fusim njerëz të pa verifikuar dhe pa u vetuar. Kemi miratuar dy rregullore, kemi vendosur kritere e procedura për kandidatët që do të shkojnë në Gjykatën e Lartë, është një ris. Për anëtarët nga jashtë gjyqësorit, shpallja është bërë, është e pritshme në bazë të procesit të vlerësimit të figurës, profesional dhe pasurisë. Në vjeshtë do të kemi emërimet e para në Gjykatën e Lartë, kur themi këtë besoj se në shtator do të kemi emërimet në Gjykatën e Lartë”, deklaroi Llagami.

Kreu i KLGJ-së, Naureda Llagami


Kjo është koha që kreu i KLGJ-së jep për plotësimin e vakancës së Gjykatës së Lartë, ku 1/4 e 19 anëtarëve zgjidhet nga radhët e juristëve me përvojë. Sipas nenit 3 të ligjit për funksionimin e Gjykatës së Lartë, në çdo rast, numri i gjyqtarëve që zgjidhen nga radhët e juristëve nuk mund të jetë më i madh se ¼ e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Llagami gjatë fjalës së saj e pranoi se situata e krijuar nga procesi i vettingut ka krijuar në vështirësi në funksionimin e gjykatave, duke shkaktuar edhe dosje të shumta të patrajtuara. Vetëm në Gjykatën e Lartë numri i dosjeve të pashqyrtuara është rreth 33 mijë. Sipas saj, numri për t’u plotësuar në Gjykatën e Lartë është 19. (Llogariti edhe vakancën e Zaganjorit).
Sa i përket ngritjes së Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit, kryetarja e KLGJ-së vuri në dukje se ajo mund të ngrihet menjëherë pasi të merret vendimi për ngritjen e SPAKU-t, që janë të ndërvarura. Por edhe kjo Gjykatë e Posaçme pritet të ngrihet sipas Llagamit në shtator.
Drejtuesja e KLGJ-së kërkoi nga Parlamenti që të plotësohet numri i punonjësve në sistemin e drejtësisë,duke e çuar në 333 në total, pasi sipas saj, kjo ndikon edhe në zbardhjen e vendimeve gjyqësore.


Ndërsa sa i përket procesit të Vettingut ajo shprehu se ka krijuar vakuume në disa gjykata, ku më e veçanta është mos pasja e gjyqtarëve në Gjykatën e Administrative të Apelit në Shkodër. Ditët e fundit pati edhe një shkarkim nga procesi i Vettingut të kryegjyqtares së Shkodrës, ndërsa dhe 1 anëtar gjykate ka lëvizur.
KLGJ-ja ka 6 muaj ë lëvizje dhe beteja më e madhe sipas përfaqësuesve të këtij instuticoni është nxjerra e 66 akteve nënligjore që do të mundësojnë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë, i cili është gjymtuar ndjeshëm nga procesi i vettingut.

Sipas raportit vjetor të KLGJ, largimet masive në radhët e togave të zeza si pjesë e procesit të Vettingut kanë sjellë mbartjen e një numri të konsiderueshëm të dosjeve të pashqyrtuara në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor. Sipas këtij raporti në 38 Gjykatat e rretheve, Krimeve të Rënda, Apeleve, Administrative, Gjykatës së Lartë janë 75803 çështje pezull për vitin 2019, ose 6821 më shumë se vitin e kaluar, ku në total kishte 68.982 çështje.

Këshilli i Lartë Gjyqësor është i angazhuar të mbështesë procesin e vettingut dhe të bashkëpunojë me institucionet përgjegjëse që jo vetëm të pastrojë sistemin nga gjyqtarët e korruptuar, por edhe të ruajë funksionalitetin e gjykatave, sepse mungesa e këtyre të fundit cenon mjetet e brendshme efektive dhe aksesin në drejtësi për qytetarët”, thuhet në raportin “dëshpërues” të KLGJ-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë