Rend dhe Ligj

Vettingu zhgënjen KLGJ: 75 mijë dosje pezull, Gjykatat në paralizë

Bledar Hoti – Këshilli i Lartë Gjyqësor është institucioni i ri në sistemin e drejtësisë që ka si detyrim të caktojë emërimin e gjyqtarëve në Shqipëri. Si organ i drejtësisë së re, që u krijua si pjesë e reformës në drejtësi, KLGJ ka mbetur një institucion që nuk funksion plotësisht për shkak se procesi i Vettingut është tejzgjatur. Për herë të parë KLGJ ka paraqitur raportin vjetor në Parlament ku paraqet punën e cunguar, për shkak të pamundësive dhe mos krijimit sipas afateve të parashikuara në ligj. Kjo vërehet gjithashtu edhe nga vetë raporti i KLGJ-së, i cili thekson se duhej të ishte ngritur që në 12 prill të 2017, por që në fakt u bë funksional me 19 muaj vonesë në dhjetor të 2018-ës. Gjatë kësaj periudhe tranzitore kompetencat i ka ushtruar Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ku KLGJ në raportin vjetor, ka vërejtjet e veta.

“Vlerësojmë se kohëzgjatja e fushëveprimit te dispozitave tranzitore me të cilat ish-KLD ka vepruar, ka krijuar një situatë pasigurie në aspektin e zhvillimeve të ecurisë së reformës në drejtësi. Disa nga problematikat kryesore që u krijuan gjatë kësaj periudhe përfshijnë:
1- mos emërimi në kohë i magjistratëve të rinj ka sjellë efekte serioze financiare për KLGJ-në për një shumë prej afërsisht 14 milionë lekësh të reja, pasi 10 magjistratë kanë fituar gjyqet kundër ish-ZABGJ-së, tashmë pjesë e strukturës së KLGJ-së;
2- mos shqyrtimi i kërkesave të gjyqtarëve për ushtrim të veprimtarisë akademike;
3- vakuumi që krijohej në gjykata në rastet e shkarkimit të gjyqtarëve nga institucionet e rivlerësimit kur gjyqtari njëkohësisht ushtronte detyrën e Kryetarit të Gjykatës;
4- shfuqizimi nga Gjykata Kushtetuese i neneve 101-104 të ligjit nr.96/2016 mbi listën e shkeljeve disiplinore dhe vonesa në krijimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë;
5- mos përfundimi i vlerësimit të gjyqtarëve për periudhën 2010-2012 duke krijuar mungesë informacioni dhe bazë vlerësimi për promovimin e magjistratëve për vite të tëra”, thuhet në raportin e KLGJ-së.

Mungesë e rëndësishme në hallkat e sistemit të drejtësisë është edhe Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë. Kjo ka bërë që KLGJ të marrë një vendim ekstra duke krijuar një komision të posaçëm “Për vlerësimin e statusit individual dhe karrierën e inspektorëve të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.
Ky komision është duke vlerësuar se cili nga inspektorët mban statusin e magjistratit dhe cilët nga këta inspektorë do të jenë pjesë e administratës së saj, si dhe cilët duhet të transferohen në ILD. Gjithashtu, duke mbajtur parasysh se ndaj vendimeve të Kryeinspektorit të ish-KLD ka rreth 183 ankesa nga ana e qytetarëve, KLGJ vendosi ngritjen e një komisioni të posaçëm për shqyrtimin e këtyre ankimeve.

“Në lidhje me statusin e gjyqtarëve, për një kohë të gjatë, u krijua pasiguri dhe paqartësi: në procesin e emërimit të magjistratëve të rinj; në dhënien e lejeve për ushtrimin e veprimtarive akademike apo të lejeve të tjera; në garantimin e një procesi të rregullt ligjor në funksion të procedimit disiplinor për shkak të shfuqizimit të listës së shkeljeve disiplinore nga Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj nr. 34, date 10.04.2017; në mos vijueshmërinë e procesit të vlerësimit profesional të gjyqtarëve, por duke u fokusuar vetëm në procesin e rivlerësimit kalimtar të tyre”, thekson raporti. Kështu KLD-ja e dikurshme nuk ka realizuar vlerësimin e gjyqtarë për periudhë kohore të gjatë.

Ndërsa tjetër mangësi që konstatohet nga vetë KLGJ-ja është edhe në aspektin e administrimit të gjykatave, ku është evidentuar pamundësia: për caktimin e gjyqtarëve në funksionet drejtuese të gjykatave, në rastet kur kishte dorëheqje nga ushtrimi i detyrës, apo në rastet e shkarkimit nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ku për pasojë u krijua paqartësi në administratën gjyqësore, në kushtet kur KLGJ dhe Këshillat e gjykatave nuk ishin ngritur ende. Vettingu ndërkohë ka sjellë edhe mosfunksionim të Gjykatave, ku ato të rretheve të vogla kanë mbetur me dy apo tre gjyqtarë.

Si rezultat, kryesisht prej shkarkimeve nga detyra si pjesë e procesit të vettingut deri më tani ka ligjërisht 47 vende vakante në sistem dhe 25 procese të cilat nuk kanë përfunduar me vendim përfundimtar nga Kolegj i i Posaçëm i Apelimit. Edhe pse gjyqtaret të cilët shkarkohen nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk janë efektivisht në detyre, ligjërisht këto pozicione nuk konsiderohen si vende vakante, si dhe nga ana financiare këto subjekte përfitojnë 75% të pagës mujore (pra me efekte financiare mbi buxhetin e shtetit), gjithë gjyqtarët kanë dhënë pëlqimin e tyre (14 nga 15 gjyqtarë). Ndërkohe që nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda nga 11 gjyqtarë, 8 kanë shprehur pëlqimin deri më tani. Emërimi i këtyre gjyqtarëve në Gjykatën e Posaçme do të kryhet pas kalimit të procesit të rivlerësimit kalimtar nga ana e tyre.

Dosjet kapicë, te Gjykata e Lartë duhen 17 vite shqyrtim
Largimet masive në radhët e togave të zeza si pjesë e procesit të Vettingut kanë sjellë mbartjen e një numri të konsiderueshëm të dosjeve të pashqyrtuara në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor. Sipas këtij raporti në 38 Gjykatat e rretheve, Krimeve të Rënda, Apeleve, Administrative, Gjykatës së Lartë janë 75803 çështje pezull për vitin 2019, ose 6821 më shumë se vitin e kaluar, ku në total kishte 68.982 çështje.

Raporti sugjeron trajtimin e backlog-ut (stokut të çështjeve gjyqësore) me masa emergjente, duke mbajtur parasysh numrin e madh të çështjeve të mbartura dhe të reja që regjistrohen veçanërisht në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, me 6709 çështje të mbartura; Gjykatën e Apelit Tiranë, me 8271 çështje; Gjykatën e Apelit Administrativ, me 12217 çështje dhe Gjykatën e Lartë, me 28863 çështje të mbartura në vitin 2019.
Në Gjykatën e Lartë, e mbetur me dy anëtarë nga 19 që duhet të kishte, numri i dosjeve ka arritur në 31 mijë çështje të pashqyrtuara. Në fund të vitit 2017 numri i çështjeve të mbartura ishte 22.000, ndërsa në fund të vitit 2018 ky numër ishte 28 863, vit në të cilin u arrit të zgjidhen 1673 çështje me një mesatare prej 279 çështjesh për gjyqtar. Matematikisht rezulton që Gjykata e Lartë ka përdorur vetëm 20 ditë për përfundimin e një çështjeje që përbën edhe kohën më të ulët në rang vendi, ku mesatarja është 64 ditë. Për efekt statistikor mund të thuhet që zgjidhja e të gjitha çështjeve të mbetura, bazuar në këto ritme, do të kërkonte 6297 ditë ose 17 vjet e 3 muaj.

KLGj konstaton gjithashtu se vonesa në trajtimin e çështjeve gjyqësore sjell një sistem të mbingarkuar, i cili jep efekte në drejtësi të vonuar për qytetarët. Si pjesë e këtyre efekteve duhet të mbahet në konsideratë dhe procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve (vettingu), i cili krijon mungesë burimesh njerëzore, duke krijuar “vakanca fiktive”. Aktualisht ka një numër gjyqtarësh të cilët de-jure janë në detyrë dhe paguhen pjesërisht për shkak se pas përfundimit të procesit të vlerësimit në instancat e shkallës së parë (Komisionit të Pavarur të Kualifikimit) këta gjyqtarë janë pezulluar nga detyra deri në një vendim përfundimtar nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit, ndërsa de-facto këta gjyqtarë nuk janë në detyrë, pra nuk kontribuojnë në shqyrtimin dhe evadimin e çështjeve gjyqësore.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor është i angazhuar të mbështesë procesin e vettingut dhe të bashkëpunojë me institucionet përgjegjëse që jo vetëm të pastrojë sistemin nga gjyqtarët e korruptuar, por edhe të ruajë funksionalitetin e gjykatave, sepse mungesa e këtyre të fundit cenon mjetet e brendshme efektive dhe aksesin në drejtësi për qytetarët”, thuhet në raportin “dëshpërues” të KLGJ-së.

Tabela e raportit të KLGJ-së me çështjet mbartura pezull, pa u shqyrtuar
 

Më Shumë