Drejtësia

Gjykata e Apelit liron nga qelia ish-drejtorin e Kadastrës në Sarandë pas 26 ditësh në burg

Gazeta Si - Ish-drejtori i ASHK Sarandë, Mariel Murati u lirua nga qelia nga Gjykata e Apelit pas 26 ditësh nën arrest.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “ndërtim i paligjshëm” dhe “falsifikim dokumentash” pas kërkesës së Prokurorisë së Rrethit, e cila kishte lëshuar urdhër ndalimi për Muratin dhe 10 zyrtarë dhe ish zyrtarë të tjerë të ASHK, Bashkisë dhe IKMT.

Ka qenë gjyqtari Genti Shala ai që ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Sarandës, duke vendosur lirimin në sallë të gjyqit për 47-vjeçarin.

Mariel Murati akuzohet nga Prokuroria e Sarandës se ka ndërtuar pa leje një hotel 7 katësh në lagjen nr.4 të Sarandës dhe më pas e ka legalizuar atë.

Pasi legalizimi u kap me shkelje nga KLSH dhe iu vendos masë kufizimi, dyshohet se Murati ka paraqitur në ASHK një akt ekspertimi të falsifikuar.

Po sot në Gjykatën e Apelit Tiranë, u shqyrtua edhe masa e sigurisë për 9 të ndaluarit e tjerë të operacionit të nisur në 13 mars.

Gjyqtarja Brikena Ukperaj ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Sarandës për masat e sigurisë “Arrest në shtëpi”’për zyrtarët e ASHK, Erald Lika dhe Ermen Stroka, “detyrim paraqitje” për zyrtarët dhe ish-zyrtarët e ASHK dhe IKMT, Andri Dhima, Ina Papa, Denis Balili e Manushaqe Saliko si dhe “detyrim paraqitje” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për zyrtarët dhe ish-zyrtarët e IMT të Bashkisë Sarandë, Viktor Qesari, Tonin Simoni e Oltion Durmishi.

Prokuroria e Sarandës kishte apeluar vendimin e Gjykatës së Sarandës, duke kërkuar “Arrest në shtëpi” për të gjithë të akuzuarit që ndodheshin në “detyrim paraqitje” përvec Papës e Salikos, por kjo nuk u pranua sot nga Gjykata e Apelit.

Zyrtarët akuzohen për “shpërdorim detyre”, pasi kanë lejuar të ndërtohet dhe më pas kanë legalizuar hotelin 7 katësh të Mariel Muratit.

Në kërkim për operacionin e nisur në 13 mars vazhdon të jetë ish-Drejtoresha e ASHK Sarandë, Kozeta Statha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë