Histori

Gjuetarët e thesareve – Si po plaçkiten reliktet nënujore

Bregdeti i Shqipërisë është bërë prej vitesh një “vendbanim” për gjuetarët e thesareve të cilët mbledhin qeramika të lashta, pjesë të fundosura të anijeve dhe relike të tjera, që kanë qëndruar e det për shekuj me radhë.

Vija bregdetare prej 450 kilometrash po josh çdo ditë e më shumë arkeologë dhe grabitës të etur për të shitur gjetjet në tregjet e artit dhe metaleve.

"Pjesa më e madhe e kësaj pasurie qëndron në thellësinë e 20-30 metra, kështu që kuptohet që është e lehtë vjedhja e tyre,” thotë arkeologo Neritan Ceka.

“Duhet të merren masa urgjente për të mbrojtur trashëgiminë nënujore. Në kohën që Shqipëria ishte nën sundimin e komunizmit, arkeologët dhe ushtarakët u lejuan të shikonin thesaret në shtratin e detit dhe unë isha një ndër të parët që pa çfarë fshihej aty. Pashë pasurinë e jashtëzakonshme, amforat, qeramikat, objekte arkeologjike që tashmë nuk janë më atje. Ekipet e zhytësve evropianë dhe shqiptarë kanë filluar të plaçkisin në mënyrë barbare," shton ai.

Ekspeditat e kryera në vitin 2006 nga Fondacioni Nautical i RPM me bazë në SHBA kanë gjetur rreth 40 anije të mbytura përgjatë vijës bregdetare të Shqipërisë, duke përfshirë anije që datojnë në shekullin e 7 p.e.s dhe anijet detare nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore.

Qindra amfora të epokës romake, të përdorura për të ruajtur verën, vajin e ullirit dhe mallra të tjerë në enët tregtare, janë gjithashtu të grumbulluara në fundin e detit, të mbuluara me bimë detare.

Ekspertët thonë se pa një inventar të plotë, është e pamundur të dimë se sa prej artefakteve janë zhvendosur nga shtrati i detit dhe janë shitur në tregun ndërkombëtar.

Sipas Auron Tares, i cili kryeson organizatën këshillimore shkencore dhe teknike të UNESCO-s mbi trashëgiminë kulturore nënujore, këto artefakte përfundojnë duke u ekspozuar në restorante ose në ankande që shiten për shuma të mëdha në Londër dhe kryeqytete të tjera. Zbulime të tjera të çmuara janë transportuar në shtëpi nga zhytësit e huaj dhe janë vendosur në muze të ndryshme private në mbarë botën.

"Këto objekte, të cilat ekspozohen në një muze privat në Austri, duhet të kthehen në Shqipëri," thotë Tare.

Tregu i zi i kqtyre thesareve në përgjithësi gjeneron një qarkullim global prej më shumë se 4 miliardë dollarësh në vit.

Zhytësit zhyten gjithashtu nën ujë edhe për të marrë për çelikun e cilësisë së lartë me të cilin janë ndërtuar anijet para shumë shekujsh. Çeliku i tyre është veçanërisht fitimprurës, pasi ai nuk ka ndonjë gjurmë radioaktiviteti dhe mund të përdoret për pajisje të ndjeshme mjekësore dhe pajisje të tjera shkencore.

"Për të zhvendosur një objekt nga shtrati i detit, grabitësit përdorin dinamit", thotë Ilir Capuni, një studiues dhe profesor në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë.

Capuni tregon se në 2013 ndihmoi të zbulonte një nëndetëse hungareze-kroate, Pozsony, që u fundos në brigjet e Durrësit në vitin 1916, por kur ishte rikthyer pas katër vjetësh nuk kishte gjetur asgjë nga nëndetësja.

E njëjta gjë ka ndodhur dhe me një anije italiane, e cila u godit nga forcat britanike në vitin 1941, në brigjet e juglindjes së Vlorës.

Në qershor, autoritetet miratuan një ligj që klasifikonte anijet e mbytura si monumente kulturore dhe kërkonte licencim të rreptë për ekipet e zhytjes. Drejtori i policisë kriminale Eduart Merka thotë se policia po punon me Interpolin, për të gjurmuar dhe kthyer objektet e vjedhura, edhe pse deri më tani nuk ka pasur rezultate konkrete.

Një ëndërr e përbashkët nga ekspertët shqiptarë është krijimi i një muzeu nënujor, siç është ai që ekziston në qytetin turk të Bodrumit, që do të mbrojë objekte dhe do të tërheqë turistë.

"Ka ardhur koha për të ndërtuar një muze nënujor, laboratorë dhe një qendër të specializuar", thotë Luan Përzhita, drejtor i Institutit Arkeologjik të Shqipërisë.

Por kostot e larta të një projekti të tillë janë pengesë. Shuma prej 30,000 eurosh e caktuar në buxhetin e shtetit këtë vit për arkeologjinë nuk është e mjaftueshme.

"Shqipëria kurrë nuk ka pasur luksin apo vetëdijen për të kuptuar rëndësinë e madhe që ka kjo pasuri. Ato përfaqësojnë historinë e vendit dhe qytetërimin e Mesdheut. Edhe pse ujërat përmbajnë ende shumë thesare që ende nuk janë zbuluar", shprehet Tare./Physic.org/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë