Drejtësia

GJKKO konfirmon masën ndaj Berishës: Dy herë në muaj duhet të paraqitet në SPAK

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim për daljen jashtë Shqipërisë të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Sipas vendimit të GJKKO, “urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji ora 10:00 para oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

“Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës, në referim të nenit 233 pika 1 të K.Pr Penale ‘Ndalimi i daljes jashtë shtetit’. Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe dokumenteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për shtetasin nën hetim Sali Berisha”, vijon më tej njoftimi.

Vendimi nga GJKKO

Ndërkohë, GJKKO ka caktuar një tjetër avokat kryesisht për mbrojtjen e Berishës, pasi dy avokatet e caktuara ditën e djeshme refuzuan ta përfaqësonin. Gjykata ka caktuar si avokate kryesisht Valentina Todoresku, të cilës i la kohën e nevojshme për t’u njohur me aktet e kërkesës me objekt marrjen në pyetje të ish-kryeministrit.

Seanca për njoftimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha nisi në orën 15:00. Shtyrja u bë paraditen e sotme, për ti dhënë kohë për t'u njohur me dosjen, avokateve të zgjedhura nga shteti, Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia, pasi mbrojtësit e pajisur me prokurë nga Berisha braktisën gjykatën një ditë më parë ndërsa avokati i caktuar kryesisht, Artan Simoni u zëvendësua. GJKKO njoftoi se zgjedhja e dy avokateve u bë pasi Berisha dhe avokatët e tij nuk janë paraqitur as ditën e sotme në seancë.

Seanca për ish-kryeministrin është zvarritur prej dy ditësh. Pas zëvendësimit të Artan Simonit, u caktuan dy avokate shtetit për Berishën, Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia.

Nga ana tjetër, mbrojtja e Sali Berishës depozitoi në GJKKO kërkesën me shkrim për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka duke pretenduar se ajo ka shkelur Kushtetutën pasi sipas tyre duhej marrë më parë leje në Kuvend para se të jepej vendimi "detyrim paraqitje" për Berishën.

Këtë kërkesë të Berishës e ka shqyrtuar brenda ditës gjyqtarja Flora Hajredinaj, e cila nuk e ka përjashtuar Gjokën, me argumentin se kërkesa e avokatëve të Berishës është e pabazuar.

Ish-kryeministri Berisha është lënë në detyrim paraqitje dhe ndalim për dalje jashtë shtetit, pasi hetohet për korrupsion me privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Një ditë më parë, avokatët u larguan nga seanca me argumentin se Gjykata ka rrëzuar disa kërkesa që ata kanë bërë, përfshirë përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i çështjes dhe mospranimin e kërkesës për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese për interpretimin e vendimit për masën "detyrim paraqitje" për ish-kryeministrin. GJKKO caktoi avokatin Artan Simoni, por pas sulmit të Shkëlzen Berishës ai u zëvendësua me dy avokatet e tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë