Politike

‘Duhet të paraqitet dy herë në muaj në SPAK’, Flamur Noka: Berisha nuk do të shkojë

Me vendim të GJKKO, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha do të duhet të paraqitet dy herë në muaj para Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Berisha dyshohet për “korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim”, në rastin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Sipas vendimit të gjykatës, “urdhërohet shtetasi nën hetim, Sali Berisha, të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji para policisë gjyqësore në SPAK. Po ashtu gjykata ka urdhëruar që Berisha “të mos largohet nga territori i Shqipërisë pa autorizim të gjykatës si dhe ndalohet përdorimi i pasaportës dhe i dokumenteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit”.

Por Flamur Noka, sekretar i përgjithshëm i PD-së së rithemelimit, i ftuar në Debat në A2CNN tha se vendimi është politik dhe se do të zbatojë masën e gjykatës për t’u paraqitur dy herë në muaj në momentin kur të zbatohet ligji.

“Sali Berisha do të njohë çdo vendim që kalon përmes Kushtetutës dhe ligjit. Çdo vendim që bëhet në shkelje të Kushtetutës dhe shkeljes së Kodit të Procedurës të Shqipërisë nuk mund të njihet nga Berisha, por nga askush nga ligjvënësit. Pa kaluar procedura që përcakton neni 73, pika 2 dhe neni 288 i Kodit të Procedurës Penale, asgjë tjetër nuk njihet”, tha Noka.

Më pas, ai risolli vendimin e Kuvendit për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, që dha autorizimin e ndalimit për të dalë jashtë shtetit. “Kuvendi vendosi pranimin e kërkesës së prokurorisë dhe dhënien e autorizimit të ndalimit të daljes jashtë shtetit”, tha Noka.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë