Drejtësia

Avokati i Berishës, akuza GJKKO-së: Zhbëri institutin e mbrojtjes, procesi politik!

Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj ka reaguar pas vendimit të GJKKO-së ditën e sotme ku la në fuqi masa e ndalimit për Berishën, si dhe rrëzoi kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.

Gjokutaj thotë se edhe me avokatët nga shteti të caktuar nga GJKKO, janë bërë shkelje pasi nuk i është lejuar koha e duhur për t’u njohur me aktet avokates Valentina Teodoresku.

Sipas Gjokutajt, GJKKO ka “zhbërë institucionin e mbrojtjes në proces”, gjë që sipas tij ndodh vetëm “në proceset politike”.

“Siç jini në dijeni dje ne mbrojtësit e z. Sali Berisha Av. Genci Gjokutaj dhe Av. Sokol Mëngjesi pasi na u mohua e drejta themelore e mbrojtësit në një proces njohja me aktet e dosjes dhe vazhdimi i gjykimit nga gjyqtarja Irena Gjoka ndërkohë që nga ana jonë ishte ngritur kërkesa për përjashtimin nga gjykimi me pasojë ndalimin e vendimmarrjes nga ana e saj pikërisht kjo gjyqtare mori vendimin për caktimin kryesisht të Av. Artan Simoni! Ky avokat për arsye të mungesës së integritetit të tij etiko profesional u përjashtua dhe në mënyrë klandestine dhe natën janë caktuar po kryesisht Av. Rabije Cenalia dhe Av. Jalldyz Kastrati! Dy avokatet e caktuara nga shteti kryesisht Jalldyz Kastrati dhe Rabije Cenalia nuk e morën përsipër mbrojtjen edhe pse të shantazhuara në sallën e gjyqit nga prokurorët e SPAK për heqjen e licensës pasi kërkuan 2 ditë kohë për tu njohur me aktet dhe gjykata nuk ua dha këtë kohë! Pastaj GjKKO ka caktuar avokaten Valentina Teodoresku dhe ka shpallur vendimin pa lexuar asnjë faqe të dosjes pra pa u njohur fare avokatja me dosjen! Vendimi ka lejuar vijimin e masave të sigurimit siç ishin marrë! Ndërkohë më përpara dmth para 2 orësh gjyqtarja Flora Hajredinaj ka rrëzuar kërkesën tonë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja e depozituar po sot dhe e shortuar po sot! GjKKO ka zhbërë institutin e Mbrojtjes në proces! Vetëm në proceset politike veprohet kështu! Diktatura është vendosur! Shpejt edhe do të shpallet!”, shkruan Gjokutaj.

Ndërsa, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha ka reaguar sërish për avokaten kryesisht nga shteti që u caktua nga GJKKO për mbrojtjen e kreut të Rithemelimit.
Shkëlzen Berisha ka shpërndarë një “screenshot”, ku thotë se avokatja Valentina Teodoresku ka shpërndarë një prej postimeve të kryeministrit Edi Rama.
“Gjykatësja e Ramës, godet sërish! Pas avokat “bishës” cakton për avokate të Berishës, patronazhisten e Ramës”, shkruan Shkëlzen Berisha në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë