Politike

Berisha: Kryengritja kundër Ramës do të jetë paqësore, por pa kthim (akuza për gjyqtaren e çështjes)

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi se gjyqtarja që vendosi masën e sigurisë ndaj tij ka komunikime të përhershme me Edi Ramën

“Ajo çdo gjë e komunikon me Ramën, me Encrochat apo me çfarë mjeti, nuk mund të them tani, por ajo komunikon me Ramën... Gjykatësja me urdhër të Edi Ramës po kërkon të krijojë një precedent të tmerrshëm që nuk ka ndodhur kurrë. Të shkruajë Kushtetutën në tavolinën e saj. Ky është mercenarizëm ekstrem. Nuk shkruhet Kushtetuta. Kushtetuta zbatohet. Asnjë ligj, asnjë person, asgjë nuk mund të dalë mbi Kushtetutën. Ja çfarë thotë neni 73, pika 2: Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës pa autorizimin e Kuvendit”, tha Berisha.

“E vetmja ftesë dhe e fundit që kam për Edi Ramën: Urdhëro të heqim këtë nen! Shiko, ai kontrollon çdo qelizë të drejtësisë, unë nuk kam frikë. Urdhëro të bëhemi të barabartë me qytetarët! Por këtë nuk e do ai, se ai do të shërbehet me mercenarë që i lejojnë vetes të shkruajnë Kushtetutën”, vijoi ai.

Sipas Berishës, lëvizjet e ardhshme te opozitës do të jenë në dy plane në Kuvend dhe rruge.

“Kur kemi nisur betejën në parlament, ne natyrisht kemi vetëdije se çfarë përfaqëson grupi parlamentar. Nuk ka dyshim se ajo do shoqërohet nga një mbështetje e fuqishme popullore. Por një gjë do jetë, këto protesta nuk do ndalen më nga asnjë masë që mund të marrë Edi Rama. Të bëjë çfarë të dojë, ne e morëm këtë vendim, pasi ai dëshmoi se kundër demokracisë, është i aftë të bëjë gjithçka. Edhe me ato vota të cunguara që morëm, të njerëzve idealistë që nuk u trembën dhe nuk i shitën, Edi Rama i zhvlerësoi totalisht deputetët në parlament. Ai kaloi në ekstrem, ai kaloi çdo vijë të kuqe. Ne do i përgjigjemi, do i përgjigjemi, do i përgjigjemi! Unë ua kam thënë edhe para se të ndodhte kjo.

Ai kur e pa se nuk ka më kontroll mbi opozitën e vërtetë, përveç Bravave të tij, nxori historinë më të turpshme të këtij shekulli. Një dokument me 200 faqe, ku nuk fakton asnjë akuzë me asnjë provë”, tha ai.

Berisha komentoi edhe një deklaratë të Edi Palokës sipas të cilit militantet kishin propozuar të rrokin armët.

“Kryengritja është paqësore. Por, çdo mjet i mosbindjes civile do jetë në fushë. Kryengritja është paqësore, por mosbindja civile do organizohet çdo kohë e më shumë. Por kjo është lëvizje pa kthim. Ne do fitojmë! Ne e meritojmë të fitojmë se po mbrojmë parimet më themelore të demokracisë.

I merr deputetët dhe i shndërron në një... Po pse të rrinë në parlament ata? E shkatërron parlamentin në një mënyrë, ç’të thuash se nuk dua të lëshoj gojën. Kështu që beteja nuk ndërpritet”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë