Libra

Gjithkush është bërë sot poet në Facebook… Por poezisë së mirë i duhet të mbijetojë

Nga Gazeta Si - “Kur themi poezi, kemi thënë cilësi, jo sasi. Poezi mund të shkruash vetëm pak, po ta shkruash ama!”...  

Këto janë disa nga vargjet e poetit Lasgush Poradeci, një nga poetët lirikë më të mëdhenj, i cili njihet për poezinë e tij thellësisht lirike e shumë moderne njëkohësisht.

Por si është gjendja e poezisë sot? Sa cilësore është poezia e ditëve të sotme dhe sa lexojnë shqiptarët poezi?

Në Ditën Botërore të Poezisë, poetja Natasha Lako shprehet për Gazetën “Si” se sot përballemi me dy lloj formash të poezisë, atë në rrjete sociale, dhe atë në libra fizikë. Sipas saj ekziston edhe një grup poetësh që botojnë jashtë vendit, shpeshherë të vlerësuar edhe me çmime.

“Janë poetët që i japin rëndësi botimeve goditëse të Facebook ku gjithkush ka të drejtë të miratojë lavdinë e tij. Por është edhe një grup tjetër, ai i poetëve që botojnë jashtë Shqipërie ndonjëherë marrin edhe çmime si pjesë e komuniteteve, por pothuajse nuk kanë impakt brenda vendit”, thotë Lako për Gazetën “Si”, ndërsa shton se poezia e mirë nuk zmbrapset.

“Më ka bërë përshtypje se si një poezi e Visar Zhitit mund të gjendet e skalitur me grafit në jug të Italisë”, shprehet Lako.

Poetja Natasha Lako

Zhvillimet e reja që përfshijnë edhe poezitë e rrjeteve sociale i pohon edhe poetja Rita Petro.  

“Në ditët e sotme, nëse do nisemi nga ajo çfarë shkruhet në rrjetet sociale, është dëshira e tyre për t’u shprehur me vargje, kanë atë vetëbesimin se po shkruajnë poezi. Por përsëri është ai grupi i poetëve të mirë dhe poeteshave të mira që vazhdojnë dhe që shkruajnë libra me poezi. Pra, nuk mund të thuash që nuk ka zhvillime të reja dhe të moderuara të poezisë”, shprehet poetja Rita Petro për Gazetën “Si”.

“Pas viteve ‘90 pati goxha një shpërthim, doli një grup i mirë poetësh dhe poeteshash, të cilët sollën me të vërtetë një poezi me një nivel dhe me një frymë tjetër. Është ai grupi që ka vazhduar edhe pas viteve ‘90 që ishte një lloj vazhdimësie e grupit të mëparshëm”, thotë ajo.

Arsyeja pse poezia ka marrë një lloj lulëzimi në rrjetet sociale sipas poetes Petro është se duke qenë e shkurtër lexohet më kollaj, në dallim nga proza që do kohën e vet.

“Asnjëherë nuk kemi lexuar poezi më shumë sesa sot. Sa hapim rrjetet sociale, do të ndeshemi me poezi”.

Poetja dhe botuesja Rita Petro

Por sipas Petros, problematika qëndron te blerja dhe leximi i librave me poezi.

“Ajo çka unë e quaj problematike jo vetëm te ne, por edhe në botë, është botimi i librave me poezi. P.sh kur ti bisedon me një botues dhe do të botosh libra me poezi, gjithmonë kur është fjala për poezinë, botuesit janë të tërhequr. Poezia duhet të mbështetet, të sponsorizohet meqenëse lexuesit e poezisë sa vijnë edhe janë më të paktë në numër”, thotë ndër të tjera Rita Petro.

Për poeten Natasha Lako, problematikë për poezinë është edhe mendimi kritik, ndërsa bën edhe një paralelizëm me botën ku sipas saj bota letrare jashtë nuk jeton me shkrime për miq si në viset shqiptare.

“Mendimi kritik gjithnjë e më shumë është i dorës së dytë dhe ndonjëherë ndërhyn keq në një treg të vakët. Bota nuk jeton me mentalitetin tonë. I kam kërkuar një kritiku dhe studiuesi tajlandez të më lidhte me një nga poetët tajlandezë për të cilin kishte botuar një studim dhe më tha se nuk e njihte personalisht”, shprehet poetja Lako për Gazetën “Si”.

Poetja Lako përfundon duke thënë se poezisë së mirë sot pas kaq vjetësh i duhet të mbijetojë.

“Të mbijetosh është shumë pak atje ku nuk ekziston mundësia e përpunimit të shijes që në shkolla, po kjo nuk e zmbraps poezinë, të vetmen që nuk mund ta quash të mirë, por vetëm të bukur”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë