Ne rrjet

Gjesti i pistoletës dhe brezi i palumtur, një fenomen global

Nga Federico Rampini - “Gjesti i pistoletës” i një djali italian në dhomën e Senatit drejtuar kundër Giorgia Melonit, është pjesë e një fenomeni të një brezi: rehabilitimi i dhunës si një instrument i luftës politike, kur dhuna konsiderohet legjitime, pasi synohet të përdoret kundër një “shtypësi” ose një të supozuari si të tillë.

Kjo ndodh në një kohë që ky është i njëjti brez më i palumtur nga të gjithë ata që janë ende gjallë, dhe tek të cilët shkalla e depresionit arrin në nivele rekord. Zhdoganimi i dhunës në politikë nuk është një fenomen vetëm italian. Ai ka prekur të gjithë Perëndimin.

Më kujtohen disa nga shembujt e shumtë në këtë aspekt. Dhunë janë edhe aktet radikale të ambientalistëve të vetëquajtur “Last Generation”: ata nuk i sulmojnë njerëzit fizikisht, por shkatërrojnë veprat e artit ose shkaktojnë shqetësim serioz tek udhëtarët duke bllokuar trafikun.

Këto forma lufte, po importohen në Itali duke kopjuar modele të huaja. Kohët e fundit eko-terroristët në Gjermani i vunë flakën një fabrike Tesla (makina elektrike, është bërë objektivi i preferuar i ambientalistëve radikalë). Në Amerikë, pamë protesta të dhunshme pas vrasjes së afro-amerikanit George Floyd nga një polic i bardhë në majin e vitit 2020.

Lëvizja “Black Lives Matter”, dhe kryesisht të rinjtë sulmuan zyrat shtetërore në një version “të krahut të majtë” si ishte sulmi i mbështetësve të Trump ndaj Capitol Hill: spektakli i grabitjeve, vandalizmit, djegies së komisariateve, na shoqëroi gjatë gjithë verës së atij viti.

Kohët e fundit në Shtetet e Bashkuara kemi parë “gjestin e pistoletës” të përsëritur në variacione të pafundme menjëherë pas masakrave të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023 . E theksoj “menjëherë pas sulmit”. Pra shumë kohë përpara se Izraeli të niste kundërsulmin e tij në Gaza, dhe të kryente krime të tmerrshme kundër civilëve palestinezë të pambrojtur.

Më 7 tetor, në orët e para pas masakrës së hebrenjve, vrasjes së të fëmijëve dhe përdhunimeve të grave izraelite, shumë shoqata studentore këtu në Amerikë u solidarizuan me xhelatët, duke konfirmuar se dhuna është legjitime nëse ushtrohet nga ata që cilësohen të shtypurit kundër shtypësve të pretenduar.

Ky rehabilitim i dhunës nga të rinjtë, është një fenomen perëndimor. Sepse askush nuk po e përdor “gjestin e pistoletës” kundër Putinit për të refuzuar thirrjen e tij për të shkuar në front. Një i ri dërgohet të vdesë në frontin ukrainas, por nuk guxon të rebelohet kundër Carit.

“Gjesti i pistoletës” nuk përdoret as kundër Xi Jinping, pavarësisht se papunësia e të rinjve në Kinë e ka kaluar nivelin 21 për qind. Është e çuditshme sesi një student italian, ndjeu nevojën për të evokuar me gjeste luftën e armatosur kundër një kryeministreje që e mban atë detyrë pas zgjedhjeve demokratike.

Nëse ai student beson se kryeministrja Meloni duhet të rrëzohet nga pushteti, ndoshta në emër të antifashizmit, Republika Italiane i ofron atij çdo mundësi për ta bërë këtë në mënyrë paqësore, duke marrë pjesë në ndërtimin e një konsensusi në favor të opozitës.

Këto janë gjërat që të rriturit duhet t’ua mësojnë të rinjve. Por shumë syresh kujdesen të mos e bëjnë këtë, ndoshta sepse mendojnë se janë më “modernë” duke treguar kënaqësi, vëmendje dhe mirëkuptim ndaj atyre të rinjve që predikojnë ose ushtrojnë dhunë “në emër të idealeve të drejta”.

Ky qëndrim i të rriturve, të cilët heqin dorë nga marrja e përgjegjësive të tyre, ofron një nga shpjegimet për paradoksin e pa lumturisë, veçanërisht e dukshme këtu në Shtetet e Bashkuara: Brezi Z, pra ai që përfshin të lindurit pas vitit 1997, gëzon lirinë dhe privilegje të paprecedenta në historinë e njerëzimit, dhe në të njëjtën kohë ai është më i trazuari.

Një sondazh i kohëve të fundit nga Qendra Kërkimore Pew, ka treguar se nxënësit e shkollave të mesme amerikane janë deri tani brezi më pesimist. Ata janë shumë të dëshpëruar, si për të ardhmen e tyre personale ashtu edhe për atë të njerëzimit në tërësi. Mjerisht kjo përkthehet gjithashtu në një rritje të depresionit, vetëvrasjeve dhe varësisë nga droga. Si rezultat i gjendjes së rënduar psikologjike të rinisë, Shtetet e Bashkuara kanë rënë më poshtë në Raportin e Lumturisë Botërore, në vendin e 23-të. Kjo ndodh në një kohë që kushtet materiale të të rinjve amerikanë janë të shkëlqyera, dhe kur papunësia e të rinjve është pothuajse jo-ekzistente (ndryshe nga Kina).

Shpjegimi për këtë situatë? Këta të rinj janë indoktrinuar prej vitesh për ta parë Amerikën dhe Perëndimin si një Ferr, si një qytetërim shtypëse dhe dominues, një shoqëri raciste dhe seksiste. Këta të rinj nuk kanë pasur kurrë kaq shumë të drejta, përfshirë të drejtën për të ndryshuar gjininë e megjithatë ata ndjehen të mashtruar për gjithçka, duke filluar nga identiteti i tyre.

Mbi të gjitha, ata mendojnë se jetojnë në pjesën “moralisht të gabuar” të botës. Por e tyrja është një ndjenjë e pakuptimtë, duke qenë se Perëndimi (me aleatët e tij demokratikë në Lindjen e Largët si Japonia, Tajvani dhe Koreja e Jugut), garanton respekt më të madh për të drejtat e njeriut se kudo tjetër në botë, ka më pak pabarazi se Kina, është më e përkushtuar ndaj de-karbonizimit të ekonomisë dhe është më bujare me ndihmën humanitare për ata që kanë nevojë, përfshirë palestinezët.

Për shumë të rinj perëndimorë që bëjnë “gjestin e pistoletës” apo diçka të ngjashme, dëgjoj të thuhet se duhet “ta dëgjojmë këtë brez”. Kur isha i ri, në vitin 1974 sapo isha shpërngulur për të jetuar në Itali dhe hyra në Partinë Komuniste Italiane (PCI) kur mbusha 18 vjeç.

Ishin “Vitet e Plumbit”, të karakterizuara nga aktet e shumtë terroriste. Ata që bënin “gjestin e pistoletës” mbanin shpesh një armë të vërtetë. Në modë ishte P-38. Ata qëllonin dhe vrisnin. Dhe atëherë ata kishin mësues të këqij, ideologë të rritur, teoricienë të luftës së armatosur si Toni Negri.

Por nëse ndonjë nga ne të rinjtë anëtarë të PCI-së tregonte një farë tolerance apo mirëkuptimi ndaj ekstremizmit, komunistët e vjetër nuk na “dëgjonin”. Duhej të ishim ne që duhej t'i dëgjonim ata, leksionet e tyre mbi historinë. Të rriturit duhet të kenë forcën, guximin dhe autoritetin moral për të korrigjuar të rinjtë kur bëjnë gabime.

Një i ri nuk di çfarë të bëjë me një të rritur që është gjithmonë dakord me të ose e imiton atë. Edhe komunistët e vjetër paguanin një çmim gjaku për vendosmërinë me të cilën kundërshtonin predikuesit e dhunës. Ndër viktimat e Brigadave të Kuqe ishin edhe shumë punëtorë, komunistë etj.

“Vitet e Plumbit” ndodhën në Itali, Francë, Gjermani dhe po edhe këtu në Amerikë ( Black Panthers, Weathermen). Ekstremet e rëndësishme të rinisë së kohës, në të majtën dhe në të djathtën ekstreme, u nxitën nga mësues të këqij për të legjitimuar dhunën si një instrument të luftës politike.

Natyrisht edhe atëherë në emër të “drejtësisë” dhe kundër “shtypjes” . Ndoshta mësuesit e këqij të kohës i njohën mëkatet e tyre të tmerrshme? Disa po, por shumë pak. Të tjerët vazhduan të predikonin pa frikë, duke kërkuar hakmarrje. Dhe pjesërisht ia dolën.

E di që shumë italianë e kanë të vështirë ta besojnë, por nuk është e pazakontë të gjesh një libër nga Toni Negri (“Perandoria”) mes leximeve të rekomanduara për studentët e sotëm në disa universitete elitare amerikane, ato me një tarifë vjetore prej 70.000 dollarësh.

Po, ai Toni Negri që frekuentonte dhomat e ndenjes së miliarderëve dhe cimbiste ndjenjat e tyre të fajit duke e lavdëruar luftën e armatosur; u dënua për krimet e tij nga drejtësia italiane, zgjodhi një mërgim luksi në Paris; dhe nuk e vuajti kurrë dënimin.

Mendimi i Toni Negrit, apo edhe ai më me ndikim i marksistit francez Michel Foucault, nënkupton se një pjesë e Brezit Z e interpreton botën bazuar në 3 kategori manikeane: pushtet, shtypje, privilegj. Sidomos nëse i përkasin shtresave të mesme të larta që ndihen të prekura nga komplekset e fajit, këta të rinj mendon se bota është e ndarë mes të varfërve që janë të varfër sepse shfrytëzohen nga perëndimi, dhe neve që jetojmë në qytetërimin më të lig të historisë.

Është një karikaturë që do të indinjonte Karl Marksin. Ky i fundit nderohet nga të rinjtë, por i pa studiuar. Përndryshe studentët e universitetit do ta dinin se Marksi shkruante faqe plot admirim për kapitalizmin, të cilin e konsideronte si një makineri të progresit.

Marksi mendonte se socializmi do të shkonte edhe më tej, do të bënte edhe më mirë duke i shpërndarë në një mënyrë më të drejtë përfitimet e atij progresi kapitalist. Mjerisht, nuk ndodhi kështu, siç e di kushdo që jeton në Kubë, Venezuelë apo Korenë e Veriut. I vetmi “komunizëm i pasur” në histori është në Kinë.

Por bumi kinez erdhi kur liderët komunistë përqafuan ekonominë e tregut, kopjuan shkencën dhe teknologjinë perëndimore. Tani që Xi Jinping po rifut elementë të dirigjizmit socialist, ekonomia kineze po has vështirësi. Një tjetër rrymë e fuqishme e mësuesve të këqij, që e bën Brezin Z kaq të pakënaqur, janë predikuesit e apokalipsit mjedisor.

Ata që përmendin shkencën dhe e manipulojnë atë në mënyrë të paskrupullt, duke thënë se fundi i botës është afër. Edhe ata e përshkruajnë Perëndimin si fajtor. Edhe pse në Perëndim lindën të gjitha teknologjitë e gjelbra që na duhen. Sa i përket Gazës, është një tragjedi e papranueshme.

Askush nuk mund të injorojë mëkatet për të cilat është fajtor Benjamin Netanyahu, dhe ai duhet të ndalet. Por nëse Hamasi do të kishte përdorur miliarda dollarë ndihma humanitare të ofruara për dekada nga Perëndimi në interes të popullit të tij, Gaza sot do të ishte Dubai i radhës.

Burimi: Corriere della Sera. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë