Histori

Futbolli i diktatorëve / Nga Mussolini te Hitleri dhe Enver Hoxha

Nga Musolini te Enver Hoxha, si 'burrat e fortë' kanë shfrytëzuar futbollin për një lavdi më të madhe të regjimeve të tyre. Kur Duçe urdhëroi “Vdekje ose fitore!”. Zhgënjimet e Hitlerit dhe frika e Frankos

1934, Benito Mussolini

"Fati im është i padeshifrueshëm. Ne Uruguai dëshironin të më vrisnin nëse do të kishim fituar titullin. Në Itali do të më vrisnin nëse nuk do ta kishim fituar”. Këtë thoshte Luigi Monti, oriundo-argjentinas, mbas finales së Botërorit e fituar nga Italia kundër Çekosllovakisë.

Futbolli nuk ishte ende çështje midis jetës dhe vdekjes, kështu mendohej, por Benito Mussolini kishte vendosur që gjërat të ecnin ndryshe. Duçe pretendonte me çdo kusht për një fitore të Italisë në Kampionatin Botëror që zhvillohej në shtëpinë e saj. Në botëkuptimin e Mussolinit të gjithë njerëzit ishin në shërbim të Shtetit dhe Duçja ishte Shteti. Një humbje e Italisë do të kishte qenë një goditje për fashizmin dhe do ti kishte shkaktuar Duçes një goditje të pandreqshme të prestigjit Në një epokë në të cilën jeta private e një shtetari ishte pak a shumë e panjohur dhe fotografia ishte ende në fillimet e saj, qarkullonin në tridhjetë milionë kopje foto të Duçes që e tregonin në 2.500 poza të ndryshme. Dhe shumë foto e paraqisnin si një atlet muskuloz, të bronztë dhe të mbi të gjitha të djersitur, sepse sporti përfaqësonte në kredon e tij dy shtylla të rëndësishme të fashizmit: maskulizimin dhe modernizimin. Kur filluan të përhapeshin dyshime për shëndetin e tij, Duçja do të organizonte një mbasdite sportive në kopshtin e vilës së tij. Më shumë se njëzet korrespondentë të huaj të ftuar, do të mbeteshin gojëhapur duke parë kampionin roman të tenisit Mario Belardineli dhe lojtarin e pamposhtur të Kombëtares, Eraldo Monzeglio, të thirrur për të zhvilluar një lojë çift kundër Mussolinit. Shërbimet e Duçes niseshin nga raketa e tij me një lehtësi tërheqëse, por kampionët e famshëm i kundërpërgjigjeshin me goditje të duhura. Pavarësisht nga të gjitha këto, në fund të fundit, kundërshtarët nuk arrinin të shënonin pikë më tepër se Mussolini. Por habia e të pranishmëve ishte e madhe, kur u njoftua rezultati: 7-5 për “sportistin e parë të Italisë”, siç përcaktohej pa asnjëfarë ironie, prej të përkohshmes “Sporti fashist”.

Mbas përfundimit të ndeshjes Mussolini mburrej se me disa orë të nevojshme stërvitjeje mund të bëhej edhe një futbollist fenomenal. Për momentin dukej se qëndronte vetëm në rolin e spektatorit, por nuk ishte në natyrën e tij të rrinte krejtësisht jashtë fushës. Mussolini e manovronte futbollin sipas dëshirave të tij dhe askush nuk mund të thoshte që kampionati (italian) ishte krejtësisht “i pastër” mbas ngjitjes së tij në pushtet.

Qyteti i Bolonjës ishte një bastion i njohur fashist, dhe skuadra e futbollit me këtë emër, fitoi në këto vite një kampionat të diskutueshëm. Lojtarë të shquar të Romës, kundërshtar i drejtpërdrejt u dërguan nga Duçja në frontin e Etiopisë. Sipas Mussolinit gjithçka ishte e pranueshme për të mbërritur synimet e tij, e po kështu edhe gjatë Kampionatit Botëror 1934. Duhej të bindeshin të gjithë se fashizmi ishte zgjidhja e problemit dhe se nuk do të kurseheshin as paratë as mundimet për të treguar se Italia do të paraqitej në mënyrën e saj më të shkëlqyer. Në vend u ndërtuan stadiume me emrat e heronjve të rinj fashistë, midis të cilëve natyrisht që ishte dhe vetë Mussolini. Gjithçka që Duçja bënte në këto çaste duhej të forconte bindjen se Italia ishte eprore mbi fuqitë e tjera botërore.

Duçja emëroi gjeneralin e milicisë fashiste, Giorgio Vaccaro, në krye të një komiteti me detyrën që ta çonte Italinë drejt fitimit të titullit botëror. Komiteti tha se Giuseppe Meazza ishte shumë i mirë, por dhe se lojtarët më të mirë të Botës nuk kishin lindur në Itali. Ishte miratuar ndërkohë një ligj që i ndalonte klubet të mblidhte lojtarë të huaj, por menjëherë ai u hoq. Argjentinasit Orsio, Guaita, Demaria dhe Monti u sollën në Itali dhe u natyralizuan. Monti ishte një rast i veçantë. Gjatë Kampionatit Botëror të vitit 1930 në Uruguain fqinje, ai e kishte drejtuar Argjentinën në finale. Vendi i tij kërkonte me zë të lartë fitoren, por pak para finales kampioni merr një letër përmes së cilës njerëz të panjohur e kërcënonin se do t’ i vritej nëna nëse Argjentina fitonte.

Monti

Kështu Monti dështon dhe ish idhulli u prit me gurë në rrugët e Buenos Ajresit. Ikën në Itali, ndërron emrin në Luigi dhe hyn në lidhje me Mussolinin, edhe ky shumë i bindur në efikasitetin e kërcënimeve. Kjo u pa qartë jo vetëm në Kampionatin Botëror, e njohur si Kupa e Duçes, por edhe katër vjet më vonë. Në të vërtetë Italia e mbrojti titullin e Kampionit të Botës në Paris me sukses, dhe portieri hungarez Szabo në fund të ndeshjes do të thoshte: “Kemi shpëtuar jetën e njëmbëdhjetë njerëzve. U tha se para fillimit të ndeshjes italianët kishin marrë një telegram të Musssolinit me këtë mesazh: “Vdekje ose fitore!”

1942, Gjermania: Adolf Hitler

Führer po qëndronte në tribunën e stadiumit olimpik të Berlinit dhe nuk po dëfrehej. Futbolli nuk ishte sporti i tij i parapëlqyer e tash ja edhe kjo ndeshje! Prestigji i tij personal ishte vënë në lojë dhe askush nuk po llogariste “ndalimin e kësaj humbjeje” që kishte zëvendësuar fitoren. Dy me zero ndaj Suedisë dhe mbeteshin vetëm edhe pak minuta lojë...

Edhe një herë tjetër Kombëtarja gjermane e futbollit po e zhgënjente Hitlerin. Führer parapëlqente boksin dhe motoçiklizmin, por funksionarët nazistë e kishin bindur për domosdoshmërinë e drejtimit të futbollit drejt ideologjisë nacional socialiste. Futbolli si sport profesionist ishte hequr sepse konsiderohej si një formë e “çifutizimit të sportit". Hapi tjetër ishte ai i pastrimit të listave të pjesëmarrësve. Organi i propagandës naziste Der Stürmer shkruante: “Çifuti nuk mund të kuptohet si një sportist i vërtetë. Figura e tij e vogël nuk është bërë për sportin. Klube, jepini trajnerit tuaj hebre një biletë të vetme që të shkojë në Jerusalem! Kthehuni dhe jini gjermanë, vetëm atëherë do të jeni përsëri të shëndetshëm!” Lojtarët hebrenj do të internoheshin ose vriteshin. Shoqëritë e futbollit iu besuan administrimit të hierarkive naziste. Lojtarët e Kombëtares gjermane si Fritz Walter u përdorën si simbol të regjimit dhe ata mund të përfitonin disa privilegje. U quajtën “ushtarët politikë të Führer” dhe ndoshta për këtë trysnia ishte tejet e lartë. “Mbinjerëzit” (Übermenschen) nuk mund të humbisnin në futboll, por ja që në herën e parë që Hitleri po ndodhej i pranishëm në një ndeshje dhe kjo po rezultonte një dështim. Ndodhi edhe në Lojërat Olimpike të 1936-tësnë Berlin. Prej të gjithëve Führer ishte siguruar se Gjermania kishte mundësi të mira, por skuadra e trajnerit Otto Nerz humbet 2-0 me Norvegjinë. Si për t’i keqësuar më tej gjërat, të dy golat u shënuan nga një lojtar me një emër hebre: Isaaksen. Hitleri mënjanoi shkuarjen në stadium për një farë kohe, por Goebbels pavarësisht nga humbja, ishte gjithnjë i bindur për rëndësinë e futbollit. Në ditarin e tij ai e analizonte kështu ndeshjen kundër Norvegjisë: “Führer reagoi me shumë entuziazëm e edhe unë mezi ia arrite të përmbahesha. Publiku nuk përmbahej. Futbolli është një mënyrë e jashtëzakonshme për të ndikuar mbi masat”.

Otto Nerz dhe Sep Herberger

Ministri i Informacionit dhe Propagandës u përfshi përsëri me më fanatizëm në punë për të ndërtuar një skuadër që duhej të fitonte Kampionatin Botëror të vitit 1938. Së pari, Nerz, një trajner nazist apasionant të zëvendësohej me Sep Herberger. Pak më vonë u paraqit një rast tjetër i ri për të fituar epërsinë futbollistike botërore, kur Austria iu aneksua Gjermanisë. Skuadra kombëtare alpine gëzonte në vitet 1930 një famë të madhe.

Kampionati Botëror i vitit 1938 megjithatë përfundoi me një dështim tjetër, sepse lojtarët elegantë të Wunderteam-it (skuadra austriake e quajtur "mrekulli”) nuk kombinoheshin me vrapuesit e “Herrenrasse” (raca e zgjedhur) gjermane. Humbën 4-2 ndaj Zvicrës dhe më 20 prill 1940, ditën e lindjes së Führer, do të ndodheshin përsëri për të luajtur në Bern dhe përsëri do të humbisnin me turp (1-2).

Lojtari i Kombëtares Helmut Schon, deklaronte mbas fundit të ndeshjes se humbja i afrohet shumë tradhtisë së lartë dhe faji është madhërisht i dënueshëm; dhe Joseph Goebbels ishte plotësisht në një mendje me te. I shkruante një letër Reichssportführer (ministrit të Sporteve të Rajhut) Hans von Tschammer und Osten në të cilën theksohej se “asnjë ndeshje nuk mund të programohej pa u parapërcaktuar që më parë rezultati”.

Që nga ai moment, hierarkët e futbollit do të kishin shumë vëmendje që kundërshtari i radhës të mos ishte shumë i fortë. Vendet fashiste ishin të gatshëm të luanin ndeshje ndërkombëtare miqësore dhe disa shtete neutrale si Suedia dhe Konfederata Helvetike nuk e ndjenin si detyrim ta bojkotonin sado pak Gjermaninë. Nazistët fërkonin duart sepse një ndeshje futbolli deri diku e hiqte mendjen nga lufta.

Adolf Urban

Për më tepër një fitore e shfaqur qartë në skenë, e mashtronte popullin duke i thënë se raca ariane ishte eprore mbi të tjerat. Por më 20 shtator 1942, disfata dëshpëruese kundër Suedisë shkatërroi këto plane: 2-3. Führer u poshtërua përsëri në një stadium të stërmbushur prej njerëzve dhe Goebbels u bind edhe më shumë se topi nuk duhej lënë me kaq lehtësi jashtë kontrollit. Në ditarin e tij shkroi: “Njëqindmijë njerëz e lanë stadiumin të zhgënjyer. Është e rëndë ta thuash, por një humbje në futboll ka më shumë efekt moral te populli se sa marrja e një qyteti në frontin lindor”.

Më 23 nëntor të këtij viti( 1942) (2) qeveria e Gjermanisë naziste e ndali përfundimisht zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare. Edhe lojtarët u thirrën në front, një vendim ky që i kushtoi jetën disa lojtarëve të Kombëtares. midis të cilëve edhe kampionëve August Klingert dhe Adolf Urban.

1952, Bashkimi Sovjetik: Josif Vissarionovič Stalin

Mesazhi ishte krejt i qartë. Disa javë më parë se lojtarët e Bashkimit Sovjetik do të niseshin për në Lojërat Olimpike në Helsinki, Josif Stalin mbajti një fjalim ku tha: "Merrni pjesë në Lojëra vetëm nëse jeni të sigurtë që skuadra jonë do të jetë midis fituesve. Nëse nuk do të jeni të këtillë, disa njerëz do të përgjigjen”. Kështu, kur Kombëtarja ruse u eliminua në mënyrë të palavdishme prej armikut të vjetër, Jugosllavisë, persona të ndryshëm do të përndiqeshin prej një paniku sulmesh. Të gjithë e dinin mirë se Stalini nuk e kishte të vështirë që të përdorte masa shtypëse.

Kur në vitet '30 të shekullit XX, qe vendosë për t’i dhënë rrugë një gare futbolli për të rritur nderin dhe lavdinë e Bashkimit Sovjetik, natyrisht që ishte i domosdoshëm një autorizim i liderit të dashur. Për ta afruar Stalinin me futbollin, u vendos të zhvillohej një ndeshje në një tapet të blertë, ndërtuar posaçërisht në Sheshin e Kuq në Moskë. Fillimisht plani ishte që të luhej një derbi Dinamo - Spartak, por klubi i policisë sekrete (Dinamo) vendosi të tërhiqej pak para fillimit. Drejtuesit e Gugb-Nkvd (më vonë KGB) kishin frikë se ndonjë top i goditur keq, mund ti binte Stalinit mbi mjekër, ose më keq akoma, topi mund të rrotullohej drejtpërsëdrejti për në mauzoleun e Leninit. Përfundimi qe se Spartaku luajti kundër rezervave të veta. Ndeshja duhej të zgjaste tridhjetë minuta dhe në rast se Stalini mërzitej, një njeri i shërbimit do të ishte i gatshëm të nxirrte menjëherë një shami të bardhë dhe ta tundte atë me forcë. Pas 44 minutash lojë Stalini deklaroi se i kishte mjaftuar lojëra demonstruese. Disa muaj më vonë filloi kampionati aktual.

Lojtarët më të mirë i pranuan me kënaqësi përfitimet, por ata e dinin se në sistemin e Stalinit secili ishte në dorë të vendimeve të shefit, madje në çdo kohë. Lojtarët të cilët gabonin, shpesh mund të përfundonin në ndonjë kolkoz ose më keq akoma, në Siberi. Trajnerët mund të rrezikonin deri arrestimin nga policia sekrete nëse shqiptonin fjalën perëndimore “off-side” në vend të termit rusisht “une igry”. Midis 1931 dhe 1938, periudha e spastrimeve të mëdha, u ekzekutuan me vdekje njeri mbas tjetrit pesë kryetarë të komisioneve sovjetike të Edukimit Fizik dhe të Sportit. Këta drejtues, sipas Stalinit, nuk kishin punuar shumë mirë dhe ai njihej si një perfeksionist.

Më 1948, Stalini mëtonte me një dekret që ‘’epërsia sovjetike në sportin botëror të realizohej në një të ardhme shumë të shpejtë”. Futbolli nuk përjashtohej prej këtij urdhri dhe pikërisht për këtë, Lojërat Olimpike të Helsinkit u konsideruan tejet të rëndësishme. Takimi i parë u fitua 2-1 kundër Bullgarisë, por në turin tjetër erdhi një humbje çnderuese 1-3 nga Jugosllavia e të urryerit Tito. Më keq se kaq nuk mund të shkonin punët. Shpërtheu ndërkaq, gjuetia ndaj fajtorëve. Para së gjithash Politbyroja analizoi deri në imtësi humbjen. Një nga anëtarët e saj kërkoi dorëheqjen e trajnerit Arkadiev, i cili sipas të dhënave të sigurta, nuk e kishte lexuar kryeveprën e fundit të Stalinit, “Problemet ekonomike të socializmit në BRSS".

Ndeshja me Jugosllavinë

Më 18 gusht 1952 komisioni sovjetik për Edukimin Fizik dhe Sportin, lëshoi ​​një deklaratë në të cilën përveç të tjerave, lexohej: “Duke humbur kundër Jugosllavisë, skuadra e BRSS i ka shkaktuar një dëm të madh prestigjit të sportit sovjetik dhe të vetë Kombëtares ruse. Një hetim i thellë tregoi se mbrojtësit Bašaškin dhe Križevskij nuk i kryen detyrat e tyre në mënyrë optimale, duke mos përdorur vendosmërinë e duhur. Nikolaev luajti shumë keq dhe Beskov u soll si një frikacak. Petrov ishte i padisiplinuar. Sjellja e tij shkaktoi vetëm nervozizëm në skuadër”.

Lojtarët e akuzuar do të skualifikoheshin për një vit dhe duhej të rikthenin të gjithë titujt e nderit që kishin marrë për merita sportive. Skuadra e ushtrisë CSKMO (më pas CSKA), që ishte furnizuesi parësor i lojtarëve të Kombëtares, u dënua edhe më fort. Stalini urdhëroi shkrirjen e menjëhershme të klubit. Periudha që erdhi mbas këtyre vendimeve, ishte mjaft e turbullt. Kampionati u zhvillua, dhe për fat dekreti ende nuk ishte firmosur. CSKMO i kishte zhvilluar tri ndeshjet e para përpara se klubi të ishte përjashtuar nga gara. Publiku kishte mbetur krejt i paqartë, sepse partia kishte urdhëruar shtypin për një censurë rreth kësaj çështjeje. Gjithçka do të zbulohej dy muaj më vonë, kur e përkohshmja “Sovjetskij Sporf’ publikoi renditjen e kampionatit, pa CSKMO-në. Skualifikimi mbeti në fuqi deri sa vdiq Stalini, më 1953. U revokua menjëherë dhe CDSA ishte në gjendje të merrte pjesë përsëri në kampionat, duke filluar në 1954.

1954, Hungaria: Matyas Rakoshi

Humbja e papritur e “Aranycsapat” - ekipi i artë, në finalen e Botërorit 1ë 1954- (3-2) bëri bujë. Lideri më i madh i Partisë punëtore hungareze kuptoi se kjo mund të nënkuptojë fundin e tij. Futbolli ishte konsideruar prej kohësh opium për njerëzit, por kohët e fundit ai po humbte efektivitetin e tij.

Aranycsapat

Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Deri më 1950 “vrasësi tullac” - kështu quhej pa dijeninë e tij Mátyás Rákosi - kontrollonte në mënyrë absolute Hungarinë. Një revolucion sjell gjithmonë me vete viktima, por lideri absolut shqetësohej gjithnjë për t'i garantuar popullit edhe një farë formë lehtësimi çlirues. Sipas Rákosit, fitorja e Kombëtares në Lojërat Olimpike të vitit 1952, ishte kryesisht meritë e tij. Para finales historike kundër Jugosllavisë të "revizionistit të mallkuar” Tito, ai i thotë në telefon krye trajnerit Gusztáv Sebes: “Është e ndaluar të humbasësh”.

Mátyás Rákosi

Qëllimi tjetër ishte fitimi i Kampionatit Botëror, dhe në këtë optikë duhej bërë një reformë strukturore e futbollit hungarez. Lojtarët më të mirë u hoqën nga mjedisi i tyre dhe u transferuan në dy ekipe të themeluara. Honved (ish Kispest) u zgjodh si klubi ku duhej të ndodhej shtylla kurrizore e Kombëtares dhe qysh nga ky çast, ai duhej të njihej si skuadra e ushtrisë. MTK (ish Hungaria) u përshtat si përfaqësuese e policisë sekrete dhe duhej të ishte zgjidhja e dytë e futbollit hungarez.

“Futbollistët duhet të përpiqen të shënojnë një gol kundër imperializmit, - ishin fjalët e sakta të Rákosit, dhe partia punonte ndërkaq, për t’i plotësuar sportistëve nderet më të larta. Lojtarët jetonin në kazerma të ushtrisë dhe parakalonin në parada me uniforma të gradave të larta. Me sugjerimin e Rákosi ata shpesh zgjoheshin në gjashtë të mëngjesit për stërvitje të befasishme. Vetëm pasi kishte insistuar shumë në këtë metodë stërvitore, "komisioneri teknik" Rákosi kuptoi se kishte ndoshta sisteme më efektive për atletët më prestigjiozë.

Me kalimin e kohës marrëdhëniet midis futbollit dhe diktaturës u bënë gjithnjë e më të shpeshta. Kampioni Ferenc Puskás, me propozimin e Rákosi, iu shpërndante medalje punëtorëve të cilët kishin tejkaluar planet në prodhim, dhe në mbledhjet e partisë gjithnjë e më shpesh ky i fundit i referohej “skuadrës së artë”. Në një nga këto takime.ai tha: "Suksesi ndërkombëtar i Ocsi (“vëllal i vogël , nofka e Puskás) është prova përfundimtare që sistemi ynë funksionon. Më thoni nëse ekziston një vend tjetër ku një djalë i varfër bir proletarësh mund të bëhej një anëtar i elitës! Suksesi i Ocsi-it përfaqëson suksesin e komunizmit!”

Me kalimin e viteve, ndërhyrja e Rákosi u rrit gjithnjë e më shumë. Më 1953 Sebes organizoi me nismën e tij një ndeshje miqësore kundër Anglisë, formacion i cili nuk kishte humbur kurrë asnjë ndeshje në shtëpinë e vet. Kur Rákosi mori vesh për këtë ndeshje, ai e thirri trajnerin dhe e pyet nëse ishte në gjendje të garantonte fitoren. Sebes i përgjigjet se kjo nuk ishte e mundshme, por Rákosi me zell i bën të njohur krye trajnerit rreziqet në rast humbjeje.

Atëherë Sebes vendos ta pranojë sfidën. Hungaria fiton 6-3 dhe gazetat titullonin: “Socializmi mundi kapitalizmin”. Rákosi ishte i kënaqur, por synimi më i rëndësishëm ende nuk kishte mbërritur. Ishte finalja e Kampionatit Botëror të vitit 1954 në Bernë.

Në pjesën e parë të asaj ndeshjeje gjithçka zhvillohet sipas planeve. “Skuadra e artë” kishte katër vjet që nuk kishte humbur asnjëherë dhe tash kryesonte 2-0. Por në pjesën e dytë u regjistrua një prej befasive më të mëdha që ishin parë ndonjëherë në finalen e një Kampionati Botëror. Gjermania rrëmben titullin duke fituar 3-2 dhe në rrugët e Budapestit u protestua për tri ditë, para së gjithash kundër skuadrës dhe indirekt edhe kundër vetë regjimit. Pakënaqësia vazhdoi të përhapej dhe futbollistët shpesh u konsideruan si të afërt me diktaturën. Kur më vonë hungarezët do të shpërthenin në rrugë për t’u ngritur kundër komunizmit, edhe shtëpia e Sebes ishte synim prej të revoltuarve: anëtarë të partisë e këshilluan atë të strehohej në Zvicër. Lojtarët u sulmuan me revolta rrugëve dhe ndërkaq, pothuajse të gjithë ata u arratisën jashtë vendit me makina të blinduara.

Hungaria fiton 6-3

Jo shumë kohë më vonë, shpërtheu përfundimisht revolucioni. Historianë si Andrew Handler dhe László Kutassi janë në të njëjtin mendim kur i japin një rol kyç në këto ngjarje humbjes së pësuar në Botëror. Komunisti i flakët Sebes deri sa vdiq mbeti stoik në mbrojtje të këtyre fakteve. Ai do të shkruante në biografinë e tij: ‘‘Jam krejtësisht i bindur se nuk do të kishte pasur asnjë revolucion nëse do të kishim fituar. Jam po aq i bindur se sistemi ynë socialist do të kishte rezistuar edhe për shumë vite”.

1964, Spanjë: Francisco Franco Bahamonde

“Franko! Franko! Franko! Franko! Franko!” Gjenerali i vogël vështronte përreth. Ja, në ndodhej në fushë për të dorëzuar Kupën, qendër të fushës të stadiumit të klubit të tij parapëlqyer, Real i Madridit. Spanja sapo kishte mposhtur Bashkimin Sovjetik të urryer 2-1 në finalen e kampionatit Evropian dhe publiku brohoriti diktatorin 72-vjeçar sikur ai ta kishte fituar kupën vetë.

Franco

“Caudillo”-ja vendos megjithatë të heqë dorë nga ndeshja sepse merret vesh që, radio të ndryshme të fshehta, i kishin bërë thirrje disidentëve spanjollë për të protestuar në stadium kundër diktaturës shtypëse. Me një njoftim kaq të shkurtër nuk ishte e mundur të bëhej ndryshe dhe një poshtërim i tillë para gjithë Evropës do të kishte pasoja katastrofike. Një arsye tjetër kundërshtuese për Franco-n ishte kërkesa me ngulm i sovjetikëve për ta parë flamurin e tyre të valëvitej në stadium si dhe të ndjenin melodinë e himnit të tyre para fillimit të ndeshjes. Simbole dhe parulla komuniste në praninë e fashistit Franco? Për diktatorin kjo ishte një situatë e papranueshme.

Megjithatë, në fillim Franco e trajtoi me arsye çështjen dhe kërkoj që ndeshja të zhvillohej në tokë neutrale. Por UEFA vendosi të përjashtojë Spanjën nga turneu. Të nesërmen, gazetat që mbështesnin regjimin, shkruanin se Spanja ishte përjashtuar nga Kampionati Evropian prej një komploti komuniste, kur këto gënjeshtra do të arrinin të tërhiqnin vëmendjen e shtypit të huaj, reagimet ishin të parashikueshme.

Për të fshirë gabimin nga kujtesa kolektive, Franco vendos të organizojë Kampionatin e ardhshëm Evropian në Spanjë. Si të ishte programuar gjithçka, kampionëve kurajozë të “caudillos” iu bije që të takohen përsëri me armikun e kuq, kësaj here në finale.

Ishte mundësia më e mirë e mundshme për të marrë hak, por një kryetar absolut duhej t’i merrte të gjitha parasysh. Deri në ditën e fillimit kishte dyshime mbi praninë e Franco-s në stadium. Normalisht mendohej se Kupën fituesve do t’ua dorëzonte ai, ndonëse edhe në të kaluarën ceremoni fituesish nuk kishin shkuar fort mirë. Skuadra e tij Real i Madridit, kishte humbur më 29 qershor 1958 finalen e Kupës së Spanjës (Copa de Su Excelencia el Generalísimo) kundër Athletic Bilbao (0-2), dhe në çastin e dorëzimit të saj në stadiumin e kryeqytetit spanjoll, sulmuesi bask Gainza i kishte thënë: “Shihemi brenda një viti, caudillo”.

Një humbje e re do ta kishte detyruar Franco-n, i cili ishte një “katolik i klasit të parë”, që të përgëzonte komunistët pa Zot dhe ndeshja do të transmetohej drejtpërsëdrejti nga pesëmbëdhjetë vende. Ishte thirrur madje edhe një mbledhje e papritur ku një politikan ndikues propozonte për t’i droguar sovjetikët nëpërmjet çajit që ata do të pinin gjatë pushimit të pjesës së parë. Por kjo ide qe konsideruar shumë e rrezikshme. Në tërësi ishte një veprim i mirë, sepse Spanja ende kishte skuadrën më të mirë.

Fitorja 2-1 ishte e merituar dhe gazetat shkruanin: “Fitimi i titullit është pasojë logjike e fitoreve të Franco-s në luftën civile”. Dhe ashtu si “caudillo”-ja, dukej se mendonin edhe shikuesit, pasi filluan të këndonin "España una / España grande / España libre / Arriba España", strofa e fundit nga kënga falangiste. Cara al Sol.

Caudillo-ja i vjetëri përshëndeti edhe një herë gjithë këta njerëz me aq dashuri. Ata nuk e dinin ndërkaq se Jose Solis Ruiz (ministri sekretari përgjithshëm i Partisë qeveritare) kishte arrestuar shumë disidentë jashtë stadiumit, duke i zëvendësuar ata me kushedi sa duartrokitës të paguar për të brohoritur nxehtësisht...

1970, Shqipëria: Enver Hoxha

Kujdestari i popullit shqiptar ndalonte muzikën pop, sepse qytetarët vërshëllenin rrugëve këngët e Beatles; i mbyllte baret, sepse ishin çerdhe të kolonave të pesta që komplotonin kundër regjimit; dhe ndalonte fenë sepse ishte hyjnia e vetme.

Enver Hoxha, diktatori i Shqipërisë qysh nga 1944, kërkonte që çdo shqiptar mashkull, të mbante të njëjtin stil flokë të vendosur nga parukierët e caktuar posaçërisht nga administrata shtetërore. Flokët e gjatë ishin sinonim i lirisë dhe diktatori kishte shumë siklet këtë term. Në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit (afër Tiranës) ishte vendosë një berber dhe turistët mermin një leje hyrjeje vetëm mbasi iu shkurtonin flokët.

Hoxha bëri shumë përpjekje që ta mbante Shqipërinë nën kontrollin e tij. Këmbëngulte se ishte një zot dhe nëse ishte e nevojshme, përdorte forcën për t’i detyruar popullit që ta adhuronte. “Intensifikimi i luftës së klasave ishte një justifikim makabër për ushtrimin e terrorit pa kriter.

Ishte krijuar një shtet stalinist policor ku një ndër tre persona, bënte pjesë në të frikshmin Sigurimi i Shtetit, policia e brendshme sekrete, dhe të gjithë këta ishin të detyruar të spiunonin njëri-tjetrin. Askush nuk ishte në gjendje ta dallonte trillimin nga realiteti, edhe sepse jeta e të gjithëve drejtohej si  një Truman Show (film i famshëm amerikan). Futbolli nuk mund t’i shpëtonte këtij zakoni. Si një zakon i mirë evropianolindor, policia sekrete kishte të sajën një skuadër dhe ushtria një tjetër.

Pasoja e pashmangshme ishte se Dinamo (e Ministrisë së Brendshme) dhe Partizani (Ministria e Mbrojtjes), të dyja të kryeqytetit, fitonin rregullisht pothuajse gjithë kampionatet, duke përdorur lojtarët më të mirë aktivë. Arbitrat shpesh kërcënoheshin se mund të çoheshin në punë të detyruar dhe ku, rmë 1966-67, 17 Nëntori (klubi historik Sportklub Tirana) ishte duke e fituar titullin, u vendos nga lart që t i merreshin lojtarët më të mirë për t’i çuar në ekipe të nivelit më të ulët teknik. Futbollisti i madh Skënder Halili kishte pohuar se do ta linte Dinamon për t’u kthyer në klubin e tij të origjinës: ai u arrestua mbas një procesi farsë duke u dënuar me burgim. Kujdestari i popullit shqiptar heshti natyrisht, sepse kur ishte fjala për futbollin, ai qëndronte si neutral, ndonëse thashethemet ishin se kishte një simpati të fshehtë për Luftëtarin, skuadra e Gjirokastrës, qyteti ku kishte lindur. Vetëm kur ishte fjala për ndeshje ndërkombëtare ai vendoste të ndërhynte me më shumë vendosmëri.

Gjithçka filloi me vdekjen e idhullit të madh të Hoxhës, Josif Vissarionovič Stalin në 1953. Lideri i ri i Bashkimit Sovjetik, Nikita Sergeevič Hrushovi, pranoi në një nga fjalimet e tij në 1956: “Janë bërë krime të mëdha në Bashkimin Sovjetik në të kaluarën”. Hoxha u hë i papërmbajtshëm prej këtyre “gënjeshtrave”.

Kombëtaret e vendeve perëndimore nuk mundtë luanin në Shqipëri për ndeshje miqësore, kështu që nuk mbetën shumë kundërshtarë të tjerë. Ndërmjet vdekjes së Stalinit dhe vitit 1963 (viti kur për herë të parë Shqipëria mori pjesë në kampionatet evropiane) Kombëtarja a luajti vetëm tri ndeshje zyrtare miqësore, me një bilanc pozitiv: Shqipëria - Polonia 2-0 (Tiranë, 20 nëntor 1953). Kina - Shqipëria 3-2 (Pekin, 15 shtator 1957) dhe Shqipëria Gjermania Demokratike 1-1 (Tiranë, 1 maj 1958); pak muaj para vdekjes së gjeorgjianit, ajo kishte mundur dy herë Çekosllovakinë 3-2 dhe 2-1 (Tiranë, 29 nëntor dhe7 dhjetor 1952), pa harruar ndërkaq, një barazim me Hungarinë e madhe 0-0 (23 maj 1948).

Hrushov dhe Hoxha

Ndalimi për miqësoret ndërkombëtare u tërhoq pas një përplasjeje tjetër me Hrushovin. Udhëheqësi sovjetik kërkoi, ndër të tjera, që Shqipëria të presë disa nëndetëse sovjetike në portin e Vlorës. Hoxha refuzoi dhe në dhjetor 1961 Moska prishi marrëdhëniet me Tiranën. Kina e Maos u bë aleati i ri.

Ndeshja me Poloninë

Shqipëria filloi të hapte gamën e marrëdhënieve të saj diplomatike. Përjashto sovjetikët, gjithë Kombëtaret dhe klubet e huaja qysh nga ai moment priteshin me krahë hapur, madje edhe ato të vendeve të NATO-s. Duke luajtur edhe kundër “skuadrave kapitaliste” dhe jo vetëm kundër atyre të vendeve “revizioniste". Hoxha u dha një shuplakë të mëtejshme morale fytyrës së Hrushovëve; por normalizimi i marrëdhënieve me Perëndimin solli gjithashtu shumë probleme. Si të sillej për shembull, ndaj kundërshtarëve me mjekra dhe flokëgjatë? Sidoqoftë, Hoxha refuzoi të tërhiqte zakonin për prerjen e flokëve. Për këtë Ajax i Amsterdamit do të kishte disa probleme në shtatorin e vitit 1970, për t’ u lejuar të hynte në vend me rastin e ndeshjes së parë për Kupën e Kampioneve kundër skuadrës së 17 Nëntorit të Tiranës.

Tirana-Ajax

Viza u pranua vetëm me kusht që lojtarët e Ajax të mos ecnin rrugëve të Tiranës dhe të mos flisnin me qytetarë të zakonshëm. Në fund ndeshja u luajt dhe përfundoi 2-2  . (Ndeshja e kthimit përfundoi 2-0 për holandezët. Tri herë kampionët e ardhshëm të Evropës do të ankoheshin megjithatë, për faktin se kundërshtarët e tyre nuk pranuan të flasin me ta. Por “flokëgjatët dhe mjekroshët” e huaj nuk e dinin se stadiumi ishte i mbushur me agjentë të policisë sekrete dhe se për shqiptarët të cilët guxonin dhe flisnin me një të huaj, dënimi ishte deri në dhjetë vjet burg. Përgatiti: Mendrit Shehu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë