Trend

Fuqia befasuese e memeve

A ka meme në internet më shumë nga sa mendohej? Shkenca zbulon pse ato janë kaq efektive në përhapjen e ideve dhe besimeve.

Për pjesën më të madhe të botës ato janë thjesht foto zbavitëse të një lepurushi të adhurueshëm vizatimor ose diçka zbavitëse për të shoqëruar një fjali apo më shumë. Por në Kinë, emojit që kanë qarkulluar në rrjetet sociale kanë një kuptim më të thellë se kaq.

"Rice bunny" u shfaq në vitin 2018 si pjesë e lëvizjes globale #MeToo midis grave për të ekspozuar ngacmimet seksuale. Në Kinë, ku censura shtetërore u bë shumë masive, përdoruesit e internetit duhej të gjenin një alternativë për të koordinuar lëvizjen në vendin e tyre.

Lepuri dhe orizi si imazh duken shumë normale por kur fjalët e të dyja këtyre imazheve thuhen me zë të lartë, ato bëjnë “me too”.

Nëpërmjet përdorimit të këtyre emoji, gratë në Kinë ishin në gjendje për një kohë të ndajnë historitë e tyre dhe të përhapnin fjalën për lëvizjen #MeToo brenda një vendi që mund të jetë shumë e rrezikshme të bëhesh pjesë e një lëvizje të tillë.

Në sipërfaqe, memet e internetit janë një burim i kudondodhur i një argëtimi, një mënyrë për njerëzit që të shprehin veten përmes një përzierje të teksteve, videove dhe imazheve që për një kohë shumë të shkurtër bëhen virale. Ato shpesh janë një argëtim për të gjithë por gjithashtu kanë edhe një anë serioze sipas studiuesve që shikojnë format moderne të komunikimit. Ato janë një gjuhë në vetvete, me një kapacitet për të kapërcyer kulturat dhe për të ndërtuar identitete kolektive mes njerëzve. Këto “shaka vizuale të ndara” mund të jenë gjithashtu mjete të fuqishme për vetë-shprehje, lidhje, ndikim social dhe madje edhe përmbysje politike.

Memet e internetit "janë një nga manifestimet më të qarta të faktit se ekziston një gjë e tillë si kultura dixhitale", thotë Paolo Gerbaudo, drejtor i Qendrës për Kulturën Dixhitale në Kings College London.

Gerbaudo i përshkruan memet si "një lloj gjuhe të gatshme me shumë lloje stereotipash, simbolesh, situatash. Një paletë që njerëzit mund ta përdorin, njësoj si emoji-t, në një farë mënyre, për të përcjellë një përmbajtje të caktuar".

Sipas Instagram, të paktën një milion postime që përmendin "meme" janë shpërndarë çdo ditë në vitin 2020. Por çfarë është ajo që i bën memet kaq popullore dhe pse është një mënyrë kaq efektive për të përcjellë ide?

Sigurisht, memet kanë ekzistuar shumë kohë përpara se të bëhen kaq virale.

Richard Dawkins, biologu evolucionar, shpiku termin "meme" në librin e tij të vitit 1976 "Gjeni egoist", duke krahasuar pjesë të veçanta të kulturës njerëzore që përhapen midis njerëzve me gjenet. Daëkins e shkurtoi fjalën greke të lashtë "mimeme" në meme. Ai tha që memet ishin melodi, ide, fraza tërheqëse ose pjesë informacioni që zënë vend në tru duke përshpejtuar transmetimin e tyre.

Ai shpiku termin për të nënvizuar se si kultura njerëzore mund të përsëritet. Dhe në këtë kuptim memet kanë ekzistuar ndoshta që kur njerëzit kanë pasur kultura të ndryshme. Por ne mund të shohim gjithashtu thelbin e asaj që i bën memet moderne të internetit kaq të suksesshme në format e lashta të kulturës popullore.

"Ne shohim përsëritjen e realitetit të zakonshëm në shumë forma të artit", thotë Idil Galip, studiuese në Universitetin e Edinburgut.

“Edhe duke u rikthyer në, le të themi, kohët helene, ju keni diçka si teatri tragjik, që merr gjërat që ju ndodhin që janë shqetësuese dhe reale dhe i kthen ato në gjëra komike, gjë që bëjnë memet”.

Me ardhjen e internetit, megjithatë, memet janë bërë një fenomen më i prekshëm që mund të vërehet ndërsa ‘rriten’, përhapen dhe ndryshojnë.

"Në një farë mënyre, është si përdoruesit e internetit që hapin rrugën që akademikët t'i shikojnë memet më shkencërisht", thotë Limor Shifman, profesor i komunikimit në Universitetin Hebraik të Jerusalemit.

Studiuesit në Facebook treguan në një studim në 2014 se sa gjerësisht memet e postuara në faqen e mediave sociale mund të përhapen dhe të evoluojnë. Në një shembull, ata gjetën 121,605 variante të ndryshme të një meme të veçantë të postuar në 1.14 milion përditësime të statusit.

Shifman i përshkruan memet si "një grup tekstesh me karakteristika të përbashkëta, me një thelb të përbashkët të përmbajtjes, formës dhe qëndrimit".

“Një tekst që përhapet mirë dhe shumë njerëz e shohin, nuk është meme”, thotë Shifman.

"Është virale. Por nëse shumë njerëz krijojnë versionet e tyre, atëherë bëhet një grup tekstesh dhe më pas është një meme".

Memet prekin vetëdijen kolektive në internet dhe janë referuar si folklor dixhital". "Ne mund të shohim jo vetëm mënyrat e reja se si njerëzit i bëjnë gjërat ose mënyrat e reja se si njerëzit shprehen në publik, por edhe disa nga temat, disa nga ankthet ose dëshirat që njerëzit kanë. Të gjitha këto çështje komplekse pasqyrohen në gjëra të tilla si memet", thotë Gerbaudo.

“Zakonisht memet më virale dhe më të pëlqyera janë memet që kanë të bëjnë me gjëra që janë shumë të reja në kujtesën publike”, thotë Galip.

Një studim zbuloi se memet që nxisin një reagim më të fortë emocional kishin më shumë gjasa të ndaheshin midis njerëzve. Njerëzit kishin gjithashtu më shumë gjasa të përcillnin video qesharake në vend të atyre të lezetshme, të neveritshme ose që nxisin zemërim.

Shumë prej nesh fituan një vlerësim të ri për memet gjatë pandemisë. Hulumtimi i kryer gjatë izolimit të vitit 2020 në Spanjë nga Lucía-Pilar Cancelas-Ouviña, pedagoge e didaktikës së gjuhës dhe letërsisë në Universitetin e Cadiz-it, zbuloi se humori ishte një tipar thelbësor i memeve.

Memet kanë gjithashtu një mënyrë të çuditshme për të kapur një ndjenjë, përvojë ose gjendje shpirtërore që lidhet me njerëzit. Një studim i vogël i kohëve të fundit zbuloi se njerëzit me depresion i vlerësuan memet e lidhura me depresionin si më humoristike dhe të ndashme.

Studiuesit sugjerojnë se memet portretizojnë në mënyrë elegante përvojën e depresionit, të cilën disa mund ta kenë të vështirë ta shprehin.

Ajo që është e qartë është se memet modeste nuk duhet nënvlerësuar. Ata fshehin kompleksitetin dhe kulturën nën pamjen e tyre të jashtme të thjeshtë. Online, memet janë lehtësues të rëndësishëm të komunikimit, përkatësisë dhe aktivizmit dixhital, që mund të na bashkojnë dhe të ndajnë, varësisht se kush jemi dhe si marrim pjesë me to.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë