Njerez

Frojd: Si u frymëzua babai i psikanalizës nga koleksioni i artit

Karen Chernick/ Artsy  - Kur Sigmund Frojd u largua nga Vjena e pushtuar prej nazistëve,  më 1938-ën, në moshën 82 –vjeçare, kishte vetëm një objekt të çmuar mes shumë sendeve të tij, pa të cilin nuk mundej ta imagjinonte jetën: një kopje romake e një statuje  të shekullit të 2-të,  të perëndeshës Athina. Për  vite me radhë, kjo hyjni femërore e arsyes, luftës dhe zejtarisë,  zinte një skenë qendrore në shkrimoren ku themeluesi i psikanalizës shkroi teoritë e tij pioniere mbi nënvetëdijen. Ajo ishte thjesht një anëtare e një audience të pafund statujash që e shihnin mjekun austriak të punonte nga cepat e shkrimore dhe raftet e zyrës.Përveçse ishte koleksionues ëndrrash, gjendjesh psikologjike dhe lapsusesh verbale, Frojdi ishte gjithashtu një koleksionues i thekur i gjërave antike. “Psikanalisti”,  i tha ai një pacienti të hershëm me nofkën Njeriu Ujk, “ashtu si arkeologu në gërmimet e tij, duhet të zbulojë shtresë pas shtrese psiken e pacientit, përpara se të arrijë tek më të thellët e më të çmuarit thesare”. Frojdi e kaloi pjesën më të madhe të karrierës duke vënë në pah shtresat e panumërta psikike, por përpara se të vdiste, një vit pasi la Vjenën për Londrën, ai arriti të grumbullonte mbi dymijë sende të çmuara nga mbretëritë antike të Egjiptit, Greqisë, Romës, Indisë, Kinës dhe Etrurisë.

Frojdi nisi të grumbullojë koleksionin e tij të pasur më 1896-ën, në një fazë të rëndësishme të jetës. I ati sapo kishte vdekur; ai ishte i zënë duke hapur zyrën e tij të parë,  në prag të nisjes së vetë-analizës. Kur ishte në fillim të karrierës (dhe mbante një familje prej gjashtë fëmijësh), Frojdi nuk kishte shumë të ardhura në dispozicion për t’iu kushtuar këtij zakoni të të koleksionuarit. Si rezultat, blerja më e hershme ishin  riprodhim allçie të skulpturave italiane, përfshi edhe “Skllavi në Agoni” të Mikelanxhelos. Ndërsa pozicioni i tij stabilizohej dhe shijet iu rafinuan, e kufizoi veten tek koleksionimi vetëm i objekteve origjinale nga antikiteti, duke gjurmuar tregjet antikuarë të Vjenës. Veprat e artit që vareshin mbi divanin e tij të famshëm, ku pacientët shtriheshin gjatë trajtimeve psikanalitike, përfshi një frizë romake, një portret mumieje e shekullit të 3-të, një riprodhim  i Edipit dhe Sfinksit, i  artistit neoklasik francez  Jean-Auguste-Dominique Ingres. Ndërsa kjo e fundit është e pranuar si kopje e pikturës, tema mitike greke që përshkruan ishte e pëlqyer nga njeriu i cili edhe e  identifikonte veten si Edipi- duke kapërcyer gjëzat e nënvetëdijes – edhe nxori teorinë e kompleksit të Edipit.


Muret e zyrave vjeneze dhe londineze të Frojdit ofronin një përzierje vendesh dhe epokash. “Stili i të ekspozuarit ishte krejt personal” shpjegon Bryony Davies, asistent kurator në Muzeun e Frojdit,  në Londër. “Objektet e tij shfaqen të gjitha në mënyra unike.” Zgjedhjet kuratoriale të Frojdit janë ruajtur nga muzeu, që ka ruajtur  edhe  studion e tij ashtu siç e kishte lënë, përpara se të vdiste, më 1939-ën. Athina ishte e para që kaloi kanalin anglez drejt zyrës londineze të Frojdit, por edhe  pjesa tjetër e objekteve erdhën fill pas, falë ndihmës së ish-pacientes  dhe koleges së tij, princeshës Mari Bonaparti dhe ndihmës së muzeut Kunsthistorisches në Vjenë. Ndërsa muret e tij ishin një pastiço stili, raftet ishin tejet të rregullt. Në koleksionin e shtëpisë së Londrës, një grup statujash të Erosit ndajnë të njëjtin raft, objektet mortore egjiptiane janë të vëna në një tjetër, enët  greke lekythoi  janë po ashtu të grupuara bashkë. “Kjo e bën të duken krejt të rregullta mes përzierjes së objekteve”,  vëren   Davies për ansamblin e objekteve të ndryshëm, të bashkuara  vetëm nga fakti se kishin mbërthyer interesin e psikanalistit. “Përjashtimi më i dukshëm i kësaj, është shkrimorja  e  Frojdit – vendi ku vendoste objektet e parapëlqyera, si edhe ato më praktike.” Athinës i bëjnë shoqëri një mishmash artikujsh si estetike ashtu edhe praktike, antike dhe moderne. Perëndesha egjiptiane qëndrojnë pranë stilolapsave, ndërsa  kutitë e cigareve janë pranë figurave kineze të Dinastisë Tang.

Frojdi në shkrimoren e tij në shtëpinë e Vjenës. Foto : Getty Images.


Një periudhë e veçantë e objekteve  të vyera qëndron në anën e djathtë të shkrimores: një statujë mermeri e perëndisë egjiptiane Thoth. Amvisa besnike e Frojdit, Paula Fichtl ( dhe mjeshtre e shpluhurimit të koleksionit të tij) kujtonte se mjeku e prekte kokën si  babun të Thothit çdo mëngjes dhe e fërkonte sa herë shkruante apo zhytej në mendime. Thothit i atribuohet shpikja e hieroglifëve, simbolet e shkruara që e magjepsnin Frojdin. Ndoshta lidhjet mes koleksioneve të Frojdit dhe veprave të tij teorik janë të shfaqura më qartë në interesin e tij për hieroglifët egjiptianë”, thotë Stefan Marianski, oficer i edukimit në muze. “Ai ndonjëherë krahasonte ëndrrat me tekstet hieroglifë, të cilat mund të deshifroheshin me mjetet e duhur.”  Shumë figura dyfytyrëshe që kishte në pronësi gjithashtu tregonin një përkim mes koleksionit të tij të artit dhe ideve. Një hajmali bronzi e Janusit, perëndisë romake të fillimit dhe fundit dhe,  një kuti  me një fytyrë menade të  gdhendur në një anë dhe një satir nga ana tjetër janë dy shembuj të spikatur. Dualizmi ishte pjesë e rëndësishme e të menduarit të Frojdit dhe pasqyrohet në shumë prej teorive të tij, përfshi edhe parimet që vendosin kënaqësinë përballë realitetit, lidhjen mes libidos dhe dhunës dhe instinkteve të jetës dhe vdekjes, të referuara si Erosi dhe Thanatosi.

Shkrimorja e Frojdit. Kortezi e Muzeut Frojd të Londrës.


Frojdi e rrethonte veten me burime pamore frymëzimi që mbërrinin deri në faqet e dorëshkrimeve të tij e që përbënin  mijëra objektet e magazinuara në konsultoren e tij dhe n studio, që përbënte vendin e tij të punës. Pjesa tjetër e shtëpisë së tij ishte tradicionalisht borgjeze, e zbukuruar me foto familjare dhe mobilie të fundshekullit. Njeriu Ujk më vonë kujtonte se studioja e Frojdit nuk kishte pamjen e “një zyre mjeku, por të një studioje arkeologu”. Të qenit i rrethuar nga koleksioni i tij mund t’i ketë dhënë zemër Frojdit të përdorë terma të njohura arkeologjike për të shpjeguar procesin e tij të gërmimit në të nënvetëdijshmen. “Mbërrita në një procedurë që më vonë e ngrita në metodë”, shkruante Frojdi, kur nisi të koleksiononte. “Procedura e të pastruarit, shtresë pas shtrese të materialeve psikike patogjene, të cilat pëlqejmë t’i krahasojmë me teknikat e gërmimit të një qytetit të groposur.”

Sigurisht që psikanaliza dhe arkeologjia nuk janë njësoj. “Objektet psikike janë pakrahasueshëm më të ndërlikuara sesa materialet e gërmuar.”, shënonte ai në Ndërtimi në Analiza (1937). Ndryshimi kryesor mes tyre shtrihet në faktin se për arkeologët rindërtimi është qëllimi dhe fundi i përpjekjeve, ndërsa për analizën ndërtimi është vetëm një punë paraprake.” Koleksionimi duket se kishte qenë një punë paraprake për Frojdin, gjithashtu. Ai kishte grumbulluar atë çka ishte, për të, një ilustrim pamor i një të shkuare të lashtë groposur nënvetëdijshëm në psiken moderne, kolektive. Por puna nuk mbaronte me të sjellë xhinglat në shtëpi- ishte pikërisht aty ku merrnin kuptime të reja, për t;i ardhur në ndihmë shpjegimit të ekzistencës së të tashmes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë