Analize

Frikë për sigurinë, strehimi i afganëve përçan Italinë

Në një vend si Italia, i cili ka qenë vatër e përçarjeve politike, nuk është për t'u habitur që kriza e fundit globale: rënia e Afganistanit dhe eksodi i pritshëm i refugjatëve, ka ndezur një debat të madh publik.

Gjatë dekadës së fundit, Italia e ka gjetur veten në ballë të krizës së emigrantëve në Europë. Ajo ka evakuuar dhe strehuar më shumë se 5,000 afganë. Raportet se vendi fqinj do të strehojë të tjerë emigrantë që pritet të nisen drejt Europës për t’i shpëtuar talebanëve, kanë nxitur një sërë demostratash.

Ndërsa qeveritë e tjera europiane i kanë kthyer shpinën, kryeministri italian, Mario Draghi, i cili aktualisht drejton një qeveri të madhe koalicioni, ka mirëpritur haptaz refugjatët në Itali, duke kritikuar qasjen e BE -së.

Pozicioni i Draghit është mbështetur nga të majtët. Por një përqindje e madhe e publikut Italian është kundërr dhe pranimi i tyre është kthyer në një mollë sherri.

Një sondazh i fundit zbuloi se pothuajse gjysma e italianëve (47.1%) ishin kundër mirëpritjes së refugjatëve afganë në vend dhe në Europë.

Politikanët e djathtë, si Matteo Salvini dhe Giorgia Meloni, kryetarja e Lidhjes së Vëllezërve të Italisë (Fratelli d'Italia) kanë treguar hezitim për pritjen e mijëra refugjatëve afganë që mund të hyjnë dhe të vendosen në Itali.

Salvini deklaroi se ai mbështeste idenë e "korridoreve humanitare për gratë dhe fëmijët", por donte që të kishte kontrolle më të rrepta mbi burrat që dëshironin të vinin në Itali.

"Të hapim dyert për mijëra burra, përfshirë edhe terroristët e mundshëm? "Absolutisht jo”, thotë Salvini.

Meloni ka mbajtur një qëndrim më të ashpër duke argumentuar se vendet fqinje duhet të jenë ato që mirëpresin refugjatët afganë, duke besuar se korridoret humanitare "nuk janë zgjidhja".

"Siç ka deklaruar tashmë kancelarja gjermane Merkel ne besojmë se gjëja e parë që duhet bërë është të mbështesim shtetet pranë Afganistanit për t'i ndihmuar ata të mirëpresin refugjatët," tha Meloni.

Edhe partia e Berluskonit, edhe pse më e moderuar, tha se ishte e shqetësuar nga kërcënimi i mundshëm i sigurisë i paraqitur nga mirëpritja e refugjatëve në vend.

"Kjo krizë humanitare rrezikon të kthehet në një krizë emigrimi masiv që do të ishte shumë i rrezikshëm për sistemin tonë tashmë të komprometuar shoqëror," tha Antonio Tajani, Koordinatori i Forza Italia dhe ish Presidenti i Parlamentit Europian (2017-2019).

Si rezultat i pozicionit të saj, Italia ka qenë një nga portat kryesore të Europës për emigrantët dhe azilkërkuesit që mbërrijnë përmes Detit Mesdhe. Shumë nga emigrantët hyjnë në vend përmes ishujve të vegjël sicilianë të Lampedusa dhe Linosa, duke u nisur nga brigjet e Tunizisë.

Italia ka pritur refugjatë që ikin nga territoret e shkatërruara nga lufta dhe varfëria ekstreme për dekada, por në 10 vitet e fundit, numri i të strehuarve ka arritur kulmin. Në kulmin e krizës së refugjatëve në vitin 2016, 181,436 njerëz arritën në brigjet e Italisë.

Në atë kohë, një fluks i tillë ndezi një debat të ashpër politik në një vendin fqinj, i cili ishte ende duke u tronditur nga kriza e Eurozonës.

Ndërsa qëndrimet në Itali ndaj refugjatëve kanë qenë tradicionalisht të ngrohta, një ndryshim i dukshëm ndodhi në mesin e viteve 2010, pasi refugjatët u cilësuan si një "rrezik" nga mediat dhe partitë e djathta.

Rregullorja e Dublinit përcakton se refugjatët duhet të strehohen në "vendin e parë të mbërritjes" duke rritur edhe më shumë barrën mbi Italinë dhe duke rritur ndjenjat euroskeptike.

Ngritja meteorike e udhëheqësit të Legës Matteo Salvini është lidhur nga një sërë studiuesish dhe mediash me vetë krizën e refugjatëve. Partia, duke dalë me një platformë kundër emigrimit, fitoi zgjedhjet e Parlamentit Europian 2019 në Itali.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë