Nga Edmond Prifti – Këtë histori ndryshe nga gjithë çka keni lexuar deri më sot, në Gazeta “Si”, po e fillojmë nga fundi: Ishte një fund i bukur dhe me dy miqësi të reja! Tashmë, që e keni kuptuar fundin mund të shihni fotografitë apo të rehatoheni me videon në vijim se si Thierry Solignac, një ish-pilot instruktor i helikopterëve “Cougar” të Farkës dhe unë si bashkudhëtar i tij, jo veçse “shpëtuam” dy djem të rinj nga humbja në Majën e Tujanit, pjesë e Parkut Kombëtar të Dajtit, por edhe gjatë shtegut të kthimit u shpjeguam atyre edhe shumë të paditura për historinë e Shqipërisë. Ishte më shumë Thierry, francezi, që e di historinë e Shqipërisë, shtigjet e zakonet shqiptare, mbase më mirë se edhe vetë shqiptarët, pak nga natyra e tij prej ushtaraku, e pak nga shpirti i tij i lirë…

“Mali i Thierry”-së, apo pilotit francez

Po aq magjike e dramatike për krimet e kryera gjatë komunizmit, është historia e Malit me Gropa, apo siç thotë piloti Thierry Solignac, “në Malin e Tjerisë”, aty ku relievi i tij, “të duket sikur je mbi hënë”. Ai duket mjaft qartë nga Maja e Tujanit. Është i dashuruar kokë e këmbë pas atij vendi, ndërsa shpreson se në një të ardhme dëshiron të bëjë edhe një ‘Guest House’, pikërisht aty. Madje, ndodh shpesh që teksa shqiptarët përpiqen t’i rrëfejnë tek-tuk ndonjë copëz historie, për Malin me Gropa, Thierry qesh…e ai e mbyll duke i thënë në shqip se: “Jam shqiptar. Ai është mali i Tjerisë, duke i lënë jo rrallëherë me sy të syçakërryer bashkë-biseduesit “e panjohur”. Thierry Solignac, njihet nga media shqiptare po ashtu, kur më 4 korrik të vitit 2014, ai ishte drejtues i helikopterit ushtarak shqiptar “Cougar” e së bashku me pilotin Leitant-kolonelin Altin Lame, shpëtuan një grup turistësh kroatë në Jezercë, në kuadër të një misioni shpëtimi mjaft të vështirë, ku morën pjesë Forcat Ajrore Shqiptare të Repartit të Farkës.

Për Solignac, “ta lësh veten të lirë e të ëndërrosh, ta kuptosh jetën me sytë e një fëmije që i zbulon gjërat për herë të parë, kështu do mund ta përpish jetën me plot dëshirë”, thotë majori francez për “Gazetën Si”, i cili ka ardhur në Shqipëri më 5 shtator të vitit 2011, ndërsa sot punon me kontratë pune në Uzbekistan. Shpesh herë ai kthehet në “vendin e tij të dytë”, këtu, ku madje ka blerë edhe një shtëpi pranë Liqenit të Thatë. Për të, ndonëse jemi mësuar “gabimisht” se një ushtarak nuk qesh, “Shqipëria është një vend mjaft i bukur dhe që ofron shumë mundësi turistike, veçanërisht për turizmin malor”.

Pak më shumë se dikur, sot Thierry e ndjen veten shqiptar, ndonëse ashtu si edhe ne që shpesh herë na çudisin disa gjëra në këtë vend, ai ndryshoi edhe paragjykimet që kishin të tjerët për Shqipërinë e shqiptarët. “Isha kurioz për gjithçka. Ndërtesat me tulla të kuqe, kullat e xhamit mbi urën e periudhës otomane, liqenin artificial apo shëtitoren, e banorët e këtij qyteti”. Por më tepër përshtypje atij i bënë njerëzit kur i ndalonte dhe kur i pyeste në rrugë, për të ditur një vendndodhje… “Ata ndalonin dhe më orientonin, madje edhe më shoqëronin. U ndjeva me të vërtetë mjaft mirë”. Udhëtimi i tij i parë në tokën e shqiponjave, ishte Shpella e Pëllumbasit, thuajse 22 kilometra larg Tiranës, e më pas Bovilla, Apollonia, Bylisi, Skrapari, etj. “Nëse interesohem për historinë e Shqipërisë, është e qartë se është një popull europian me një pasuri të pafundme.

Pozita gjeografike e Shqipërisë, e ka bërë këtë vend një udhëkryq përgjatë shekujve e të gjithë qytetërimeve. Rëndësia e saj historike gjendet në rrënojat e zbulimeve të panumërta të përmendura apo të fshehura, duke pritur për të na dhënë pasuri të mëdha”. E ndërsa, vijon duke thënë, “Do doja megjithatë të thosha, se ka diçka që më ka magjepsur gjithmonë. Është si ajo buzëqeshja që ndriçon fytyrën e një bariu në një mal ‘të humbur’. Është e papërshkrueshme! Mjafton ti thuash ‘Përshëndetje’ atij, e menjëherë fytyra ndriçohet nga një buzëqeshje rrezatuese, të cilën e kam gjetur veçse këtu”. E për ta përmbyllur Solignac thotë se, “Një zog që pi ujë në një pellg, një muzg që përqafon Dajtin, një vështrim i shkëmbyer gjatë një kafeje në një kasolle të vogël mes Malit me Gropa…çdo gjë, krejt çdo gjë e tillë, duhet të përjetohet si një ngjarje unike. E së fundmi, mos hezitoni të jepni më shumë rëndësi…njeriut”.
Kuaj ne fushen e Malit te Dajtit – Gazeta Si, 16 gusht 2019 Mjet qe perdoret ne fushen e Dajtit – Gazeta Si, 16 gusht 2019
Për këto, por edhe për një guidë 3-ditore “plot pasion” rreth Shqipërisë, u foli Thierry Solignac edhe dy turistëve danezë që kishin ngatërruar shtegun e kishin humbur keqazi, të cilët i takuam rastësisht në Majën e Tujanit, krejt të përhumbur, por me fund të lumtur…
Danezët “e humbur”, Junas Wiederholt Larsen e Gustav Emil Lange

Të dy kanë ardhur nga Viborgu i Danimarkës. Të dy, të datëlindjes 1999. Junas punon si aktivist në një shkollë me fëmijë autikë, e Gustav, vijon studimet, por të dy janë duke u përgatitur për shkollën e lartë… E para kësaj, ata menduan të bënin një udhëtim drejt Shqipërisë, e më pas drejt Lindjes së Mesme. Dhe pikërisht, kur sapo kishin ardhur në Rinas, shoferi i taksisë i çoi drejt e në hotelin “Plazza” me 109 euro nata, ndërsa Junas thotë për “Gazeta Si”, se aq kushton një hotel i mesëm në Danimarkë. Duke qenë se nuk kishin asnjë mundësi zgjidhjeje në mes të natës, të nesërmen, pasi vizituan Muzeun Kombëtar, apo tentuan të ngisnin makinë me qira nëpër Tiranë, shkuan direkt e në “Tirana Backpaker Hostel” me 10 euro nata, e mëngjes të përfshirë. Të dy djemtë e rinj i takuam, kur së bashku me Thierry-n, ndërmorëm një udhëtim “rutinë”, në mes të vapës së gushtit drejt Majës së Tujanit, të nisur nga vendi ku edhe ndalon teleferiku në fushën e Dajtit. Pas një ngjitje gati 1 orë e gjysmë, e duke ndjekur shenjat alpine, por edhe eksperiencën “vrapuese” të Thierry Solignac që kishte qenë për herë të parë në Majën e Tujanit në vitin 2012 (në lartësinë 1511 metra), nuk kishte kaluar shumë kur dëgjuam edhe zërat e dy danezëve, Junas dhe Gustav.

Thierry, teksa sapo ishte zgjuar nga një dremitje, direkt u shpjegon se aty dikur ishin disa antena, por të cilat kanë lëvizur prej andej “duke e pastruar gjithë vendin”, ndërsa më tej u rrëfen atyre për ‘Rrugën e Arbrit’ që po ndërtohet, Bovillën apo Qafështamën, “si dhe për dashurinë e tij”, Malin me Gropa, por edhe shumë histori të tjera shqiptare… Pas një kafe buzë ‘Ballkonit të Dajtit’, vijuam më tej udhëtimin drejt Tiranës, ndërsa të dyve na u shtuan dy miq të rinj, të dashuruar sefte pas Shqipërisë, duke na premtuar se herë tjetër do rrinë me javë të tëra, e pse jo të na bashkohen në udhëtimet tona…

Udhëtimi me teleferik

Përpos pamjes madhështore mbi Tiranë, teksa sodit pamjen nga sipër nga “Ballkoni i Tiranës”, u
dhëtimi prej më se 15 minutash me teleferik, ka një kënaqësi të veçantë. Me një biletë që kushton 1000 lekë vajte-ardhje, të jep mundësinë të kalosh një ditë ndryshe në lindje të Tiranës, në Dajt, në freskinë që të jep ky vend kaq pranë kryeqytetit, në lartësinë 1613 metra, me një sipërfaqe prej 3300 hektarësh. Pothuajse 25 kilometra nga kryeqyteti, ndodhen gjurmët më të vjetra të banimit në Tiranë, që datojnë para 10.000 deri 30.000 vite para. Përgjatë këtij udhëtimi, do të shihni poligonin ushtarak, ngado kazerma e bunkerë, por edhe Linzën e pushtuar nga ndërtesat. Përmes reve, mund të dalloni nga larg portin e Durrësit dhe detin Adriatik.

Kalaja e Dajtit
Në kronikën e tij Prokopi i Qezaresë shkruan se perandori bizantin Justiniani (527-566) ndërtoi në Epirin e Ri, 32 kala dhe rindërtoi 26 të tjera, me qëllim që të mbronte Epirin e Ri nga sulmet e sllavëve. Në qoftë se kalaja është një prej këtyre, ajo i përket gjysmës së shekullit të VI-të. Kalaja është një monument i trashëgimisë kulturore në Tiranë, e gjendet në një prej lartësive që ngrihen në jug të fushës së Dajtit. Lartësia ka formën e një piramide me bazë trekëndëshe dhe me dy maja, gjë që i jep pamjen e një samari. Faqja perëndimore është më pak e pjerrët dhe kalon poshtë në një pjesë të vogël fushe. Faqet veriperëndimore dhe lindore bien me një pjerrësi të madhe mbi dy përrenj malorë. Muret kanë qenë të detyruar të ndjekin formën e kodrës, pra formojnë një trekëndësh, i cili është forcuar në tre këndet me nga një kullë të rrumbullakët. Gjatë 190 metrave të këtij muri mund të dallosh qartë themelet e ndërtesave, që nga njëra anë mbështeteshin tek ky mur.

Të tilla ndërtesa mund të shohësh edhe në pjesët e sheshta larg murit. Disa prej këtyre shfrytëzojnë për mbështetje shkëmbinjtë e mëdhenj. Dallohet mirë një prej ndërtesave të mbështetura në mur. Ajo ka përmasa 5.90 metra me 5.89 metra dhe është e ndërtuar prej gurësh të mëdhenj pa lidhje llaçi. Kulla e fundit gjendet në kuotën 1149 metra. Pjerrësia e madhe e relievit në këtë vend, ka bërë që muret e saj të ndërtohen me një trashësi 0.90 metra. Gjithashtu kulla ndjek formën e shkëmbit mbi të cilin ndodhet, duke marrë kështu pamjen e një trapezi me perimetër 18 metra. Qëllimi i ndërtimit të kalasë si duket është mbrojtja e dy qafave që gjenden në të dy anët e malit të Dajtit.

Por nuk ka qenë ky i vetmi qëllim i ndërtimit të kalasë. Kjo vërtetohet nga numri i madh i banesave që gjenden në të, nga qeramika lokale që takohet kudo e nga shumë copa zgjyre (pjesa që mbetet pas shkrirjes së një metali), që janë gjetur aty. Kjo tregon se aty prodhohej qeramikë e shkriheshin metale. Disa monedha të gjetura në kala mund të në ndihmojnë për datimin e saj. Këto monedha i përkasin Tiber Kostandinit II-të (582-602). Nga disa fragmente faqesh enësh me kanelyra dhe nga një vegjë e profiluar, kuptojmë se kalaja i përket kohës së vonë romake. Në mure dallohen dy lloje ndërtimi: një me gurë të mëdhenj katërkëndësh të palidhur midis tyre, që i përkasin ndoshta një kalaje ilire më parë; e tjetra, me gurë të vegjël të palatuar dhe të lidhur me llaç, që i përket kohës së vonë romake.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.