Ekonomi

FMN ngel qeverinë në klasë: PPP-të me risk të lartë

Sabina Veizaj- Megjithë kokëfortësinë e qeverisë shqiptare për të mos hequr dorë nga PPP-të, Fondi Monetar Ndwrkombwtar edhe një herë ngre alarmin për kontratat koncesionare që sipas Fondit janë të hartuara dobët dhe me risk të lartë.
FMN ka publikuar raportin e fundit për Shqipërinë, (pasi vendi është nën programin post-monitorim të këtij institucioni) ku thekson se angazhimi i projekteve infrastrukturore përmes PPP-ve ka rezultuar në rritje të detyrimeve potenciale.
Shqetësimi në lidhje me projektet PPP i referohet shifrave të cilat kanë pësuar rritje të shpejtë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. “Rritja e shpejtë e PPP ka shtuar edhe risqet fiskale dhe stafi propozoi hapa të mëtejshëm për të kontrolluar këtë aspekt. Përveç stokut ekzistues të PPP-ve prej 31 për qind e PBB-së (që mbulon më shumë se 220 projekte përfshirë koncesionet në energji me më shumë se 23 pikë përqindje) në buxhetin e 2019 dokumentet parashikojnë një listë të PPP-ve potenciale që arrinin në 15 për qind të PBB-së”, thuhet në raport.
Stafi i FMN-së ka mirëpritur ndryshimin në ligjin e koncesioneve PPP që rrit rolin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si një rojtar në mbajtjen e kostove të mundshme fiskale të PPP-ve, si një hap i parë i dobishëm.
FMN vëren në raport se borxhi publik është i lartë, “ndërsa niveli i ulët i kursimeve të brendshme dhe mungesa e investitorëve të mëdhenj institucionalë e rrit varësinë ndaj burimeve të huaja të financimit. Rritja e varësisë nga PPP-të për projektet e infrastrukturës ka rezultuar në shtimin e detyrimeve potenciale. Rreziqet e brendshme gjithashtu përfshijnë ndikimin e thatësirës në prodhimin e energjisë, duke krijuar risqe për buxhetin”, – theksohet në raport.
Fondi ka rekomanduar që të forcohet dhe konsolidohet vendimmarrja lidhur me procesin e investimeve publike në atë formë që të sigurohet vlera e Parave përmes një procesi konkurrues të ofertave për të gjitha projektet duke ndaluar pranimin e propozimeve PPP –ve të pakërkuara.
Ndërsa shpenzimet qeveritare vjetore të PPP-së parashikohet të mbeten nën kufirin ligjor prej 5 përqind të të ardhurave tatimore, ky tavan lë hapësirë të vogël për PPP të financuara nga qeveria, veçanërisht duke pasur parasysh nevojën për të inkorporuar rreziqet nga detyrimet kontingjente.
Fondi kërkon që të merren masa për të mos krijuar detyrime të prapambetura dhe se disa nga rekomandimet e tij për menaxhimin e investimeve nuk janë zbatuar deri tani.
Edhe në të shkuarën, FMN ka këshilluar qeverinë që të bëjë një vlerësim të kujdesshëm të PPP-ve, një vlerësim të risqeve që ato përfshijnë, monitorimin e tyre, si dhe publikimin e një deklarate të risqeve në mënyrë që edhe publiku të ketë informacion.

Korporata e Investimeve, të merret parasysh eksperienca ndërkombëtare e të konsiderohen risqet

FMN thekson se Shqipëria ka një hendek serioz të infrastrukturës.


Për të adresuar këtë, thotë raporti, autoritetet kanë pasur si prioritet shpenzimet kapitale, që janë mbajtur në nivelin e 5 % të PBB-së, dhe kanë përshpejtuar përdorimin e PPP-ve. Megjithatë, përpos një progresi të vogël,vlerësimi dhe përzgjedhja e projekteve të investimeve vazhdon të jetë e fragmentarizuar në varësi të burimit të financimit të projektit. Stafi i FMN-së rekomandoi që qeveria të konsolidojë proceset vendimmarrëse dhe të forcojë njësinë e menaxhimit të investimeve publike në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë (dhe duke përfshirë menaxhimin e PPP-ve nën të njëjtën çadër). Qeveria po mendon për të krijuar një bankë zhvillimi që do të mbështeste investimet publike duke përdorur asetet fizike publike dhe financimin e ardhshëm të institucioneve financiare ndërkombëtare.
Duke marrë parasysh këtë zhvillim, thotë raporti, autoritetet këshillohen ti referohen eksperiencës ndërkombëtare dhe të konsiderojnë rreziqet që lidhen me subjektet e tilla, duke përfshirë rreziqet fiskale, financiare dhe të qeverisjes.

Zhvillimet e tjera
Një tjetër shqetësim i FMN-së mbetet klima e biznesit. Fondi rekomandon implementimin e reformave strukturore për të përmirësuar klimën e biznesit, me theks të veçantë forcimin e sundimit të ligjit. Duke përshëndetur progresin e deritanishëm, fondi thekson se është i rëndësishëm përfundimi i reformës gjyqësore në vazhdim dhe për të forcuar përpjekjet kundër korrupsionit.
FMN ka theksuar nevojën për të reduktuar informalitetin e lartë duke u fokusuar në mbledhjen e taksave me efiçencë dhe efektivitet.
Pavarësisht rritjes së PBB-së, citon raporti, i projektuar tek 4 % në 2018, inflacioni mbetet nën objektivin e 3 %. Defiçiti fiskal është stabilizuar rreth 2 % të PBB-së, duke nënkuptuar një ulje graduale të borxhit publik, i cili mbetet ende shumë i lartë afër 70 për qind të PBB-së.
• Politika Fiskale: FMN rekomandon qeverinë të shfrytëzojë rritjen aktuale për të ndërtuar fiskal buffers (*hapësira e krijuar nga kursimi i burimeve buxhetore dhe reduktimi i borxhit publik në kohë të mira). Rruga drejt uljes së borxhit publik kërkon konsolidim të mëtejshëm fiskal, bazuar në të ardhura më të larta tatimore.
Një spirancë funksionale fiskale do të ndihmonte në arritjen e këtyre objektivave. Reformat strukturore duhet të synojë rritjen e menaxhimit të investimeve dhe rreziqet që kanosen prej kontingjentit të detyrimeve.
• Politika monetare: Qëndrimi aktual i politikës monetare akomoduese mbetet i përshtatshëm derisa inflacioni të jetë në rrugën e duhur për të shkuar rreth objektivit të saj. Transmetimi i politikës monetare në ekonominë reale është vonuar për shkak të ngërçeve strukturore, të cilat duhet të korrigjohen nga qeveria dhe Banka Qendrore.
• Sektori Financiar: Reformat e sektorit Financiar duhet të ndihmojnë rigjallërimin e rritjes së kreditimit të sektorit privat dhe përshpejtimin e ndërmjetësimit, duke përfshirë përmirësimet e mëtejshme në zgjidhjen e mungesës së performancës së kredive.
Risqet në rritje, duke përfshirë edhe bankat e BE-së, bëjnë thirrje për përmirësime të kuadrit mbikëqyrës.
• Reformat strukturore: Reformat prioritare duhet të synojnë ristrukturimin e sektorit të energjisë, avancimin e qeverisjes në reformat gjyqësore, reduktimin e korrupsionit dhe ti japin zgjidhje infrastrukturës dhe hendekut tw papunësisë në mënyrë që Shqipëria të përfitojë nga integrimi rajonal.
FMN thotë se rekomandimi i mëparshëm për konsolidimin fiskal mbetet ende në fuqi. Por deri më tani, masat për forcimin e financave publike dhe menaxhimin e investimeve (p.sh., PPP-të) bien ndesh me atë që është rekomanduar.


"Por deri më tani, masat për forcimin e financave publike dhe menaxhimin e investimeve (p.sh., PPP-të) bien ndesh me atë që është rekomanduar. "-FMN

Progresi në zbatimin e reformave strukturore të rekomanduara ka qenë i kufizuar, veçanërisht në ristrukturimin e Ndërmarrjeve Shtetërore-ve, të drejtave pronësore dhe reformën e taksave.
Në nëntë muajt e parë, bilancet e përgjithshëm dhe ata primar u përmirësuan pasi që performanca e dobët e të ardhurave ishte më shumë se e kompensuar nga shpenzimet më të ulëta korrente. Përpjesëtimi i të ardhurave u ndikua pjesërisht nga zhdoganimi i borxheve të rimbursimit të TVSH-së.
Parashikimi është kryesisht pozitiv, PBB-ja parashikohet të qëndrojë rreth 4 për qind në periudhën afatmesme. Në vitin 2019, kur rritja parashikohet të jetë e moderuar në 3.7, duke menduar rritjen graduale të eksporteve, duke përfshirë industrinë dhe turizmin, dhe nga investimet e nevojshme për të mbyllur hendekun e madh të infrastrukturës.
Progres i dukshëm drejt pranimit në BE do të ofrojë një farë rreziku në rritje. Inflacioni pritet të rritet gradualisht, pasi hendeku i prodhimit mbyllet. Deficiti i llogarisë rrjedhëse pritet të ngushtohet në periudhën afatmesme deri në pak më pak se 6 për qind të PBB-së, si rezultat i përfundimit të projekteve të mëdha energjetike të importit dhe rritjes së ndërlidhur të eksporteve të energjisë elektrike dhe rritjes së vazhdueshme të eksporteve të turizmit.
Ndërsa rrogat në Shqipëri mbeten të ulwta, po ashtu edhe prodhimi, duke reflektuar një klimë biznesi mediokre në fusha të ndryshme, përfshirë qeverisjen, aftësitë e punës, dhe infrastrukturën.
Për të përmbushur konsolidim të mëtejshëm fiskal dhe për të mbështetur besueshmërinë e kuadrit fiskal, stafi i FMN-së rekomandon forcimin e rregullit fiskal. Ligji aktual i buxhetit organik kërkon që borxhi të jetë në rënie deri në arritjen e 45 përqind të PBB-së, e cila ofron pak ose aspak udhëzime operacionale për objektivat e buxhetit afatshkurtër. FMN rekomandon caktimin e objektivave për bilancin vjetor, për të reduktuar borxhin nën 60 përqind të PBB-së deri në vitin 2021 (në përputhje me Paktin e Stabilitetit dhe Rritjes së BE-së) dhe për të mbështetur objektivin e ligjshëm të reduktimit të borxhit në jo më shumë se 45 përqind deri në vitin 2026 .
FMN nxit autoritetet që të adresojnë borxhin në rritje të qeverisë që nga viti 2016. Humbjet buxhetore - kryesisht të lidhura me rimbursimet e TVSH-së, pagesat e qeverisë qendrore për ndërtimin e rrugëve dhe qeveritë lokale - kanë paraqitur një problem të përhershëm në Shqipëri, duke minuar besimin në administratën tatimore dhe qeverinë më gjerësisht. Parandalimi dhe kontrolli i detyrimeve të prapambetura kërkon forcimin e parashikimit të të ardhurave (duke përfshirë rimbursimet e TVSH-së) dhe menaxhimin e parasë cash, si dhe përmirësimin e kontrolleve, veçanërisht nga Autoriteti Rrugor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë