Shendet

Fluks vizitash për sëmundjet e shëndetit mendor, ekspertët: Vapa ndikon në ndërprerjen e terapive, mosha më e prekur 18-40 vjeç

Në poliklinikën nr.3 të specialiteteve në Tiranë  janë shtuar rastet e pacientëve me probleme të shëndetit mendor që kërkojnë ndihmën e mjekut specialist. Në një prononcim për Gazetën “Si”, mjekja psikiatre Valentina Asabella thotë se shumë prej tyre kalojnë dhe kriza.

Sipas mjekes psikiatre, shkak i krizës është ndërprerja e terapisë si pasojë e të nxehtit.

Por cila është lidhja e sëmundjeve mendore me temperaturat e larta?

“Tek njerëzit bipolarë shpesh ndizet poli i teprimeve: i gjallërisë, i shpenzimeve, i paqëndrueshmërisë. Repartet e psikiatrisë janë të mbushura me këto “raste urgjente”. Fajësohet humbja e gjumit nga nxehtësia. Sepse depresioni maniak rritet në vapë”, thonë ekspertët.

Sipas mjekes psikiatre, Valentina Asabella, është pikërisht kjo kategori pacientësh që shtrohen më së shumti në spitalin Psikiatrik, pas krizave që pësojnë.

“Pacientët që kalojnë krizë lënë mjekimin, u rëndohet gjendja dhe shfaqin sjellje agresive në familje dhe komunitet. Shumë prej këtyre rasteve i shtrojmë në spital me ndihmën e policisë për shkak të sjelljes së dhunshme”, thotë psikiatrja.

Mjekja psikiatre e poliklinikës nr.3 të specialiteteve në Tiranë thotë se mosha më e prekur nga sëmundjet mendore është 18-40 vjeç, por ka dhe të moshuar.

Sipas mjekes Asabella, shumë prej pacientëve nuk pranojnë të marrin mjekimin dhe këtu qëndron vështirësia në punën e tyre.

Mjeku i familjes, porta e parë pritëse

Mjeku i familjes është kontakti i parë që trajton pacientët me sëmundje të shëndetit mendor. Por mjekët thonë se jo të gjithë të sëmurët vendosin kontaktet me mjekun e tyre të familjes.

“Ne e dimë që gjatë stinës së verës shtohen rastet problematike me probleme të shëndetit mendor pasi zakonisht dielli ndikon pozitivisht në humor dhe kjo i shtyn të lënë terapitë, ti neglizhojnë medikamentet dhe të mendojnë që s’kanë nevojë, gjë që çon në rëndimin e gjendjes shëndetësore të pacientit”, thonë mjekët.

Nga ana tjetër, një faktor që ndikon negativisht është dhe stigma dhe mungesa e informacionit të familjarëve që nuk njoftojnë urgjencën për sjelljet agresive të familjarit të tyre.

“Njerëzit akoma sot kanë turpin e sëmundjeve mendore dhe jo merakun e degradimit të tyre. Turpi se mos njerëzit marrin vesh se ka sëmundje mendore është më i madh sesa meraku për dëmtimin e shëndetit”, thonë ekspertët.

Mjekët bëjnë apel që për çdo problem apo shqetësim që mund të kenë të sëmurët, ti drejtohen qendrës shëndetësore për të marrë  udhëzimet e nevojshme dhe respektuar zinxhirin e referimit, me qëllim ekzaminimin e duhur tek mjeku specialist dhe shmangien e krizave që shfaqen në rastet e mungesës së mjekimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë