Vende dhe Udhetime

Fjala që mbron Danimarkën nga Covid-19

“Samfundssind” një fjalë e cila mund të përkthehet si “shpirti i komunitetit” është bërë kryefjala e krizës së koronavirusit.

Dansk Sprognevn (Këshilli i Gjuhës Daneze) dhe  radio “P1” zgjedhin çdo vit fjalën e vitit në Danimarkë. Kjo bëhet në varësi të gjendjes së vendit. Për shembull, në 2019 ishte fjala “hvidvask” që do të thotë “pastrim parash”.

Samfundssind ishte një fjalë që u përdor nga 23 herë në shkurt në 2855 ne Mars çka dhe tregon pse ajo është zgjedhur si fjala e vitit.

Këshilli i Gjuhës Daneze e përcakton si “shqetësimi për shoqërinë, më i lartë se interesat vetjake”

"Ekziston një traditë e fortë e shpirtit të komunitetit në Danimarkë," tha Eva Skafte Jensen, studiuese e vjetër në Këshillin e Gjuhës Daneze.

Ajo tregon se në Shekullin 19, kjo u pa në mënyrën se si njerëzit në fshat vendosën andelsbevægelsen (kooperativat) të përqendruar në qëllimet e përbashkëta. Fermerët u bashkuan të gjithë duke ndihmuar në mënyra të ndryshme njëri-tjetrin, u hapen shkolla dhe në zonat më të thella dhe punëtorët ndihmonin gjithmonë njëri-tjetrin.

Aty u kuptua se kur njerëzit bashkoheshin, arrinin më shumë sesa vetëm.

Në fillim të pandemisë, Kryeministrja Mette Frederiksen bëri thirrje direkt për “samfundssind”.

“Ne duhet të qëndrojmë bashkë duke respektuar distancimin social" tha ajo në një konferencë shtypi më 11 mars ndërsa u mbyll vendi, një ndër të parët në Europë.

Ajo tha se i falënderon të gjithë ato që kanë ndihmuar njerëzit por duke respektuar çdo masë, duke treguar kështu se kjo është ajo që e tregon Danimarkën, samfundssind.

Danezët u përgjigjën me entuziazëm. Kompanitë private filluan të dhurojnë pajisje mjekësore të ndryshme për shërbimet e kujdesit shëndetësor, fabrika e Lego filloi prodhimin e maskave për punonjësit e kujdesit shëndetësor, parku Tivoli Gardens u kthye në një kopsht fëmijësh të përkohshëm, me udhëzimet e distancimit social dhe një nga hotelet më të njohura “Alchemist” filloi të gatuante për të pastrehët.

Shumë shpejt, kjo fjalë filloi të shfaqej në lajme, u krijua një hashtag në mediat sociale dhe përdorej nga të gjithë njerëzit, kudo.

Në fjalën e saj, Frederiksen theksoi nevojën për të ndjekur udhëzimet e qeverisë dhe për të filluar sa më shpejt të jetë e mundur. Danezët kryesisht u “bindën” menjëherë. Pedagogët David Olagnier dhe Trine Mogensen nga Universiteti Aarhus, treguan se njerëzit filluan të ndjekin masat e vendosura që në momentin që u njoftuan, katër ditë para se të hynin në fuqi dhe kjo, sipas tyre, tregon se danezët kanë një ndjenjë të fortë të përgjegjësisë ndaj komunitetit të tyre.

Olagnier dhe Mogensen gjithashtu vunë re se "Danimarka është një vend ku besimi rregullon gjithçka". Pra, a qëndron çelësi i samfundssind në faktin e thjeshtë që danezët i besojnë qeverisë së tyre dhe njëri-tjetrit, për të bërë gjënë e duhur?

Besimi shoqëror promovon bashkëpunimin, shkruajnë Kim Mannemar Sønderskov, profesor i Shkencave Politike në Universitetin Aarhus dhe Peter Thisted Dinesen, profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Kopenhagenit, në një artikull të vitit 2014. Autorët zbuluan se niveli i besimit shoqëror në Danimarkë është ndër më të lartët në botë dhe, për më tepër, se ai u rrit në mënyrë dramatike gjatë periudhës 30-vjeçare midis 1979 dhe 2009.

Në 1979, 47% e danezëve u shprehën se “shumica e njerëzve mund të besohen”, ndërsa kjo përqindje ishte rritur në 79% në 2009.

Autorët ia atribuojnë këtë pjesërisht "përmirësimit të cilësisë së institucioneve shtetërore dhe një rritje të njëkohshme të besimit të qytetarëve në këto institucione".

“Transparency International” publikoi renditjen vjetore të vendeve më pak të korruptuara në botë dhe këtë vit, Danimarka kryesoi, e barazuar deri diku me Zelandën e Re. Me një qeveri të përgjegjshme, politikanët në Danimarkë gëzojnë një nivel relativisht të lartë të besimit. Kur politikanët "sillen në një mënyrë jo korruptive", shkruajnë Sønderskov dhe Dinesen, "ata dërgojnë sinjalin se shumë njerëzve mund t'u besohet".

Shumë vizitorë në Danimarkë arrijnë të kuptojnë se ka një nivel tjetër besimi atje, ndryshe nga cdo vend tjetër. Për shembull, nëpër zonat rurale shihen tavolina të vogla në anë të rrugëve ku prodhime bujqësore por nuk ka shitës. Është vetëm një kuti për të bërë pagesën dhe kaq.

Gjithashtu, mund të shohësh dhe karroca fëmijësh që qëndrojnë të parkuara në park apo jashtë një lokali. Madje, në 1997, një grua daneze u arrestua gjatë një vizite në Nju Jork pasi la fëmijën e saj jashtë një dyqani ndërkohë që vetë u fut brenda. Këtu tregohet dhe përplasjet e kulturës që kanë danezët në krahasim me vendet e tjera.

Lehtësia me të cilën prindërit mund të lënë fëmijët pa qenë nevoja ti kontrollojnë në Danimarkë është produkt i një shoqërie që është më pak e shqetësuar për bashkëqytetarët e saj. Në vitin 2016, Ministria e Kulturës mbajti një votim publik për të vendosur vlerat e vendit dhe besimi u përcaktua të ishte një nga më të rëndësishmit.

Njerëzit që zhvendosen në Danimarkë nga diku tjetër shpejt njihen me një nga shembujt më të qartë të besimit shoqëror në Danimarkë: "gjobën" e taksave. Banorët danezë pranojnë disa nga taksat më të larta në botë në besimin se, duke paguar të gjithë pjesën e tyre, paratë e taksave do të përdoren për të mirën e përbashkët shoqërore, kujdesin shëndetësor dhe shkollimin universitar falas. Një kulturë ku të gjithë kujdesen, nxit besimin dhe ndjenjën e të qenit së bashku të gjithë.

Ndjenja e barazisë është gjithashtu e rëndësishme. Danimarka, sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), ka një nga nivelet më të ulëta të pabarazisë së të ardhurave në botë. Sønderskov dhe Dinesen shkruajnë se “qytetarët në shoqëri më të barabarta ekonomikisht gjithashtu kanë tendencë të kenë nivele më të larta besimi. Kjo shpjegohet me një ndjenjë më të fortë të komunitetit midis qytetarëve.”

"Pothuajse të gjithë shkojnë në çerdhe publike në Danimarkë", tha Kay Xander Mellish, autore e librave “Si të jetoni dhe të punoni në Danimarkë.

"Në vitet e para fëmijët mësojnë rregullat themelore për funksionimin si një shoqërie. Ata mësojnë se si të ulen në një tavolinë në kohën e drekës, të presin derisa të jetë radha e tyre për t'u shërbyer dhe të ushqehen.” tregon Mellish.

Stafi në përgjithësi nuk e udhëheq lojën pasi kjo "u lejon fëmijëve të formojnë grupet e tyre dhe të mësojnë se si të punojnë së bashku".

Tradita e gjatë e vendit për ta vendosur shoqërinë mbi interesin vetjak, për ta konsideruar komunitetin më të fortë se individi duket se ka qenë forca e atij vendi kundër Covid-19.

Burimi: BBC. Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë