Politike

Financial Times: Meloni merr dritën jeshile (me kushte) nga BE për kampin e refugjatëve në Gjadër

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, me skemën e saj të debatueshme për ndalimin e azilkërkuesve në Shqipëri, mund të jetë në përputhje me ligjin e Bashkimit Europian vetëm nëse personave të ndaluar u garantohen të njëjtat mbrojtje dhe të drejta që do të gëzonin në territorin italian, ka deklaruar një këshilltare ligjore e gjykatës më të lartë të BE-së.

Opinioni juridik i Avokates së Përgjithshme të Gjykatës Europiane të Drejtësisë (ECJ), i cili nuk është detyrues, i jep Romës një hapësirë të kufizuar ligjore në një çështje që po ndiqet me shumë vëmendje, pasi mund të përcaktojë qasjen e ardhshme të Bashkimit Europian ndaj menaxhimit të kufijve të tij.

Në një deklaratë të publikuar të enjten nga Gjykata Europiane e Drejtësisë, ku paraqitej opinioni i Laila Medina-s përpara vendimit përfundimtar, thuhej se “shtetet anëtare mbeten të lira të vendosin objekte ndalimi në territorin shqiptar”, por se të drejtat e personave të ndaluar “duhet të garantohen në një nivel të barasvlershëm me atë që zbatohet në territorin kombëtar”.

Megjithëse transferimi i këtyre qendrave në Shqipëri nuk konsiderohet automatikisht i paligjshëm, Medina paralajmëroi se kuadri aktual ligjor “nuk duket se përmban rregulla të qarta dhe të sakta” që të garantojnë se azilkërkuesit mund të mbrojnë veten në mënyrë efektive, të mbajnë kontakte me anëtarët e familjes dhe të lirohen sapo të përfundojë afati ligjor i ndalimit të tyre.

Giorgia Meloni dhe Edi Rama u takuan në Romë vitin e kaluar. Kryeministrja italiane njoftoi në nëntor të vitit 2023 se kishte arritur një marrëveshje me kryeministrin shqiptar për ngritjen e dy qendrave të ndalimit.

Kjo çështje është ndjekur nga afër edhe nga shtete të tjera anëtare të BE-së, të cilat po shqyrtojnë mundësinë e krijimit të skemave të ngjashme në vende të treta. Vendimi përfundimtar pritet të përcaktojë kuadrin ligjor mbi mënyrën se si qendra të tilla të ndalimit jashtë territorit të BE-së mund të bëhen një pjesë qendrore e politikës europiane të migracionit.

Opinionet e avokatëve të përgjithshëm të Gjykatës Europiane të Drejtësisë nuk janë detyruese, por shpesh japin një tregues të fortë mbi drejtimin që mund të marrë vendimi përfundimtar i gjykatës.

Meloni njoftoi në nëntor të vitit 2023 se kishte arritur një marrëveshje me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për krijimin e dy qendrave të ndalimit ku do të strehoheshin azilkërkuesit e shpëtuar në Detin Mesdhe, ndërsa kërkesat e tyre për azil do të shqyrtoheshin.

Meloni, e cila zhvilloi fushatën elektorale duke premtuar se do të frenonte migracionin e parregullt drejt Italisë, deklaroi se mbajtja e azilkërkuesve jashtë territorit italian, në Shqipëri, do të kishte një efekt të fortë parandalues, duke dekurajuar migrantët e tjerë që të tentonin të arrinin në Itali.

Sipas planit fillestar, migrantëve të cilëve do t’u pranohej kërkesa për azil do t’u jepej strehim në Itali, ndërsa ata që do të merrnin përgjigje negative do t’i nënshtroheshin procedurave të përshpejtuara për t’u kthyer në vendet e tyre të origjinës ose në vende të tjera.

Megjithatë, përpjekjet e qeverisë Meloni për të përdorur qendrat në Shqipëri janë përballur me kundërshtime nga gjyqtarët italianë të çështjeve të emigracionit. Ata kanë vendosur se migrantët kanë të drejtë të dërgohen në Itali, ku mund të qëndrojnë në qendra të hapura pritjeje ose në akomodime private, në vend të qendrave të ndalimit me karakter të ngjashëm me burgjet në Shqipëri, gjatë kohës që shqyrtohen kërkesat e tyre.

Më pas, qeveria e Melonit ndryshoi rregullat, duke përcaktuar se vetëm migrantët që vijnë nga vende të konsideruara “të sigurta” për kthim do të transferoheshin në Shqipëri për përpunimin e kërkesave të tyre. Megjithatë, skema ka vazhduar të përballet me sfida ligjore.

Qeveria Meloni është vënë gjithashtu nën presion nga opozita italiane e qendrës së majtë, e cila e akuzon se ka shpërdoruar fondet publike për ndërtimin e qendrave të ndalimit me dobi të kufizuar praktike. Aktualisht, këto qendra po përdoren për strehimin e disa migrantëve që presin riatdhesimin, por kritikët argumentojnë se mbajtja e tyre në Shqipëri rrit kostot e të gjithë procesit të dëbimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë