Art dhe Kulture

Figura e nuses – Nga bukuria e folklorit te nënshtrimi më 2020

Zaim Elezi, Dasma Dibrane

Një burrë shkruan një këngë dasme dhe dy gra e këndojnë, duke tërhequr pas indinjatën e shumë grave dhe burrave të tjerë që luftojnë çdo ditë për barazi gjinore.

Kjo ka ndodhur me këngën “Nuse, mësuese”, kënduar nga Shkurte Fejza dhe Gresa Behluli dhe kompozuar nga Ilir Berani.

Qendra Kosovare për Studime Gjinore e ka cilësuar këngën si promovim i nënshtrimit të grave, duke e përshkruar më tej si “Këngë, e cila përveç që i redukton gratë në rolet tradicionale gjinore, është shumëfish shtypëse për gratë duke qenë se promovon dhunën ndaj grave si mjet të disiplinimit të tyre”.

Mbi nënshtrimin e vajzave në martesat e padëshiruara dhe shpesh në moshë të mitur  zë aktiv është edhe këngëtarja Andrra, e cila ka publikuar një sërë albumesh me këtë tematikë, duke u dhënë nota moderne këngëve folklorike të dasmave si “Palinë”, “Moj Nano”, “Kalle Lamen”, e shumë të tjera, ku përmes folklorit këngëtarja e rritur dhe me karrierë në Gjermani ballafaqon të tashmen, ende të sunduar nga patriarkalizmi dhe maskilizmi në Kosovë.

Por kënga e kënduar nga Fejza dhe Behluli nuk është pjesë e folklorit të këngëve të dasmave, por një krijim i ri i Beranit dhe sipas Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, këngë të tilla i kontribuojnë gjithashtu vazhdimësisë së thellimit të pabarazisë gjinore dhe përjetimit të grave si dytësore dhe lehtë të dominueshme.

Mori nuse vezulluse/ Ma e reja je n’ket shpi/ Dikush tjetër ma i vjetër/ Pun’t ma mirë se ti i di

Thonë disa nga vargjet e këngës, ndërsa refreni vijon: Fjala prish e fjala ndreq/ Zgjidhi nuse ma mirë fjalt/ N’daq pun’t mos me i pas keq

I gjithë mesazhi i këngës flet mbi rolin e nënshtruar që duhet të ketë nusja  e re, në familjen e bashkëshortit dhe respektin për vjehrrën, kunatat dhe anëtarët e tjerë, duke  e vendosur fokusin  tek familjet e mëdha patriarkale , ndonëse  është shkruar dhe interpretuar më 2020-n, ku moderniteti – edhe në vendet patriarkale të Ballkanit- promovon gjithnjë  e më shumë familjen bërthamë dhe vajzat dhe gratë luftojnë për të drejtat, për të dalë njëherë e mirë nga roli i tyre si nuse shtëpie apo lindëse fëmijësh.

https://www.youtube.com/watch?v=6y60K2VdvrA

Qendra Kosovare për Studime Gjinore  bën thirrje për ta raportuar këtë këngë, nën opsionin  “Hateful or abusive content””.

Ndonëse me një histori me rrënjë të forta patriarkale,  folklori shqiptar i ka dhënë një rol të veccantë figurës femërore, vajzës dhe nuses në këngë, duke thurur lavde mbi bukurinë fizike e shpirtërore.

Në një botim të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit, nga Qendra e Studimeve Albanologjike, studiuesi Miaser Dibra merr në shqyrtim bukurinë e nuses në këngët e ceremonialit të dasmës.

Një nga trajtesat është  “E bukura, e mira, e dobishmja në figurën e nuses”.“Orientimi nga këngët që flasin për nusen si personazh kryesor  i ceremonialit, ndihmon për një paraqitjeje shumëplanëshe të së bukurës specifike që e karakterizon gjithë këtë festë.

Jo se dhëndri është më pak personazh në një dasmë, por në fondin e gjerë të këngëve popullore, bie në sy më tepër se gjithçka kujdesi, vëmendja, respektimi, vlerësimi i vajzës, më shumë se asnjë herë tjetër në jetën e saj në këtë event kalimi, në këtë rit shndërrimi”, shkruan studiuesi Miaser Dibra,  duke theksuar kontrastin se  ky fakt folklorik që hetohet në trashëgiminë gojore të të gjitha krahinave tona, ka arsyet e veta shoqërore dhe artistike, sidomos ndryshimet e mëdha në pozicionin shoqëror të secilit nga këta protagonistë në të kaluarën, funksionin që pritej të kishin në familjen e re si rrjedhojë e dasmës.

Dasma në Dibrën e Madhe, Sabit Bocku

“Vëmendja ndaj kësaj figure, si për paradoks me botëkuptimin patriarkal, shpjegohet me kujdesin ndaj dhurueses së jetës, respektin ndaj figurës së gruas në jetën familjare, rëndësinë e nënës në familje në një kuptim shumë të gjerë. Janë emocionuese dhe në kërkim të së bukurës këngët që kanë lidhje me nusen edhe për faktin se natyra femërore e kërkon të bukurën në çdo detaj, e harmonizon botën e brendshme shumë të trazuar atë ditë të shënuar, atë moment kalimi të rëndësishëm, shkruan studiuesi.

Nuse me duvak, mbi kalë

Lidhjet martesore në të kaluarën bëheshin pa njohjen paraprake të çiftit dhe të gjithçkaje tjetër në konakun e ri ku ajo mbërrinte dhe shumë prej këngëve që aplikohen edhe sot, aty e kanë zanafillën. “Kjo ndodh se edhe sot, ndonëse ka ndryshuar shumëçka në shoqërinë e emancipuar aktuale, jeta familjare është një stad krejt i ri me të cilin përballen protagonistët, përgjithësisht në moshë të re”, vëren Dibra.

Estetët të bukurën, të mirën, të dobishmen ndër kohëra nganjëherë i kanë njësuar si koncepte, duke paramenduar se në thelb një e bukur mund të jetë e tillë vetëm nëse është edhe e vlefshme.

Në fakt, njësimi i së bukurës me të dobishmen nuk është i vërtetë në të gjitha rastet e jetës së zakonshme, pasi ka shumë sende të vlefshme për njeriun që nuk parashikojnë të jenë domosdo edhe të bukura. Pranohet në estetikë se, ndonëse e bukura me të dobishmen nuk janë identike, ato shpesh ndërthuren, pleksen dhe thërrasin njëra-tjetrën. Në ndërgjegjen estetike të popullit tonë nocionet e bukur – e dobishme - e mirë janë të njësuara. Madje duhet shtuar se këto nocionepleksen dhe nënkuptojnë edhe të moralshmen.

https://www.youtube.com/watch?v=22LI8YWQYd4
Këngë popullore, "Ani mori nuse", që pëshkruan bukurinë e nuses, por edhe virtytin

“Duke iu referuar krijimtarisë artistike, këngëve të dasmës në rastin tonë, dhe sidomos kur bëhet fjalë për konceptimin artistik të figurës së nuses, do të vërejmë se ...e dobishmja, e vlershmja, e mira, janë plotësisht të njësuara me të bukurën. Në realizimin artistik të figurës së nuses kënga i drejtohet përfytyrimit estetik, të harmonizuar me dukurinë estetike që pasqyron. Kemi të bëjmë në rastin e koordinimit të së bukurës së përfytyruar me një dukuri estetike reale, të vërtetë, konkrete”, shkruan studiuesi. Duke e shtrirë më tej të menduarit për personazhin e nuses në psikologjinë sociale tradicionale vërehet se tregohet kujdes i posaçëm ndaj saj ndër vite, që këtë ditë dhe në vazhdim, e bukura të jetë tek ajo sa më e natyrshme.

“Nusja që parakupton të bukurën – të mirën – të dobishmen është në qendër të përvetësimit artistik edhe për faktin se kjo figurë është në transformim, së pari, në atë të statusit social... mençuria popullore nuk e ka parë në asnjë mënyrë nusen vetëm në anën e jashtme të saj.

Në shumë tekste të fondit tradicional folklorik, gjatë procesit të dasmës nusja shpalos shumë anë të karakterit, të botës së pasur shpirtërore, që justifikojnë paramendimin mbi të”, thotë studiuesi e  që në këtë pohim,  këngët me tekste diskriminuese, duke e trajtuar gruan dhe vajzën si qenie inferiore dhe të përulura ndaj anëtarëve të tjerë të familjes, si matriarkës- vjehrrë apo figurave mashkullore, konstrastojnë edhe me vetë folklorin e ndërtuar në mjedise kulturore e sociale me rrënjë patriarkale.

Përgatitja për Dasmë, Buron Kaceli

“Nisur nga këto pohime, bërë ndër kohëra të ndryshme, theksojmë se kënga popullore ndalet ta shikojë nusen në botën e saj të brendshme, si njeri i formuar dhe jo thjesht si një statujë e bukur”.

Ka një moshë të preferuar për lidhjen martesore tek shqiptarët, e cila i përgjigjet edhe zhvillimit fiziologjik të trupit të njeriut.  Por dallohet se në traditë nusja është kërkuar të jetë posaçërisht e re. Ka shumë arsye për këtë. “Mund të veçohet fakti se koncepti puritan mbi moralin kërkonte rreptësisht pafajësi gati fëminore. Mendësia e hershme se, kur vajza vjen në moshë të rritur, për prindërit ishte si të mbanin prushin në grusht, ka pjesën e vet në këtë zgjedhje. Ndoshta vjen edhe nga mundësia e përshtatjes më lehtë të një vajze shumë të re në ambientin e ri, jo vetëm me burrin, por me gjithë pjesëtarët që bashkëjetonin në familjen e madhe patriarkale, ku detyrimisht duhej të mësohej”, shkruan Miaser Dibra, ndërsa feministet dhe ata që luftojnë për të drejtat e vajzave dhe grave kanë denoncuar fenomene jo vetëm të së kaluarës, por edhe të tanishme, ku në disa vende vijon tradita e martesave me të mitura.

Natyrisht, kjo psikologji përgjithësisht ka ndërruar, thotë studiuesi, por gjithsesi për nusen këndohet të jetë e re.Sipas Miaser Dibrës në këtë artikull mbi të bukurinë e nuses në këngët e ceremonialit të dasmës atë “ E bën të bukur dilema se a do të arrijë të ndjehet e lirë, e shpenguar dhe rehat edhe në shtëpinë e re.”

Është i njohur fakti se në të kaluarën, po sidomos sot, repertori i dasmës nuk përfshin vetëm këngët rituale (këndohen këngë dashurie, nganjëherë këngë historike apo kurbeti). “Nëse bëjmë diferencën e repertorit të djeshëm me atë sot, ndryshimi është i madh si sasi, po edhe si tipologji këngësh”, vëren Dibra.

Në literaturën studimore folklorike, përveç dëshmimit të gjetjes së kërkesës për harmoni sa më të plotë në gjithë këtë festë, është shkruar edhe për kontraste të nënkuptuara në një dasmë, për kontrapunkte që lidhen me kërkesën e puqjes së dy të ndryshmeve, duke filluar nga çifti e për të vazhduar tek marrëdhëniet në familjet e gjera.

Dasma shkodrane, Kolë Idromeno

Pikërisht prej faktit se jo çdo gjë në kuptimin e thellë të asaj që parakupton rrjedhoja e ceremonialit, është në harmoni së brendshmi, marrin kuptim derdhja e lotëve, ofshamat e shpirtit, malli i ndarjes, befasia nga e panjohura, frika nga përgjegjshmëria, mospërputhja shumë herë e vendimit më të rëndësishëm të jetës me moshën e re të protagonistëve e shumë e shumë kuptimësi që derivojnë nga ky event ceremonial.

“Edhe në këto kontraste, jo gjithmonë antagoniste, shkëlqen e bukura (kujtojmë ndër tekste këngësh lotët e nuses si margaritarë, si mall a dilemë e shpirtit, si dhimbje e ndarjes etj.)”, thotë Dibra, ndërsa vlerëson se, nëse ka në folklorin tonë ndonjë të bukur të qëndrueshme, të kënduar me mjetet e sendet rrethanore të të gjitha krahinave, të veshur me gjithë ngjyrat e ylberit e të imagjinuar si të bukurën e përrallave, ajo është  nusja e dasmës, vajza nuse dhe gjithë bota e saj e brendshme, që çelet e  lulëzon në ngjyrën e fytyrës, në ngjyrat e veshjes, në ngjyrat e flokut, në pafajësinë e lotit...

Si për kontrast me këngën që ka hapur polemika në Kosovë, populli ka ditur t’i këndojë nuses jo si një pronë apo shërbyese në shtëpinë e bashkëshortit, por si një person i çmuar e me bukuri të rrallë që e bekon pragun e ri, duke sjellë me vete vijimësinë e jetës përmes pjellorisë

***

U shyqyr, moj Perëndi

Erdhi nusja më shtëpi

Seç i ra një bukuri

Të keqen o rrush i zi

Erdhi nusja më shtëpi

Të keqen o rrush i bardhë

Erdhi nusja në mëhallë

A shyqyr o more Zot

Që m’u mbush shtëpia plot

Trëndafil’e borzilok

Shkoftë e mira, na dëgjoftë

Djali im u trashëgoftë!

***

Kompozitori Berani, i njohur në Kosovë për krijimin e disa këngëve të kthyera në hite, ndoshta ka dashur të evokojë stilin folklorik të këngëve të dasmës, por ndryshe nga këngët popullore që e vinin në piedestal figurën femërore – të paktën për ceremonialin e martesës -, me krahasime bukurie të pa të dytë, autori i tekstit dhe muzikës së këngës “Nuse, mësuese” thekson vetëm nënshtrimin e së resë në familjen e bashkëshortit.

Këngëtaret ngulmojnë se kanë dashur të satirizojnë fenomenin, por kjo nuk i ka  qetësuar aspak aktivistet që luftojnë për të drejtat e vajzave dhe grave për t’iu larguar njëherë e mirë asaj kohe që i trajtonte si të vlefshme vetëm brenda mjedisit familjar, ku duhet të ishin kokulura e të bindura.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë