Njerez

Kur fatkeqësia dhe gëzimi bien në një ditë! Zakoni shqiptar që mban gjallë harmoninë midis fqinjëve


Familja B. kishin disa ditë që pregatiteshin për dasëm.Çdo gjë duhej të ishte perfekte sepse martohej e vogla e shtëpisë. Të mërkurën hapën vallen dhe oborri u mbush plot me njerëz që kërcenin. Të enjten pasdite vjen DJ për ditën e dytë të valles por i zoti i shtëpisë i thotë të kthehet mbrapsht sepse nuk do të ketë muzikë.
Fqinjit tek shtëpia që e ndajnë vetëm disa metra, i kishte vdekur po atë pasdite nëna, 72-vjecare.
“Nuk na kishte thënë gjë akoma por besoj nga ora 4-5 ka vdekur e në 6 pashë që kishin vendosur cadrat në oborrin e tyre. Sido të jetë, e kuptova se aty kishte ndodhur një fatkeqësi dhe kurrsesi nuk mund të vazhdoja gëzimin tim”, tregon për Gazetasi.al T.B, kryefamiljari i familjes, babai i nuses.
Ai shpjegon se ka një ligj të pashkruar, ligj moral ku fqinji nuk mund të gëzojë ndërkohë që dikush afër ka një fatkeqësi, të paktën jo pa marrë “lejen” për të vazhduar dasmën.
Atë natë, të enjten u ndërpre vazhdimi I dasmës sepse pak metra më tej kishte një morte por të nesërmen gjërat funksionojnë ndryshe…
Në momentin që i ndjeri varroset dhe kryhen të gjitha adetet (mbaron dreka dhe njerëzit shkojnë në shtëpiat e tyre), i zoti i shtëpisë duhet të shkojë të hapë vallen e fqinjit, në këtë mënyrë duke I dhënë lejen të vazhdojë me dasmën.
“Unë sdo e kisha vazhduar ditën e fundit të valles nëse S.K nuk do kishte ardhur të më thoshte se mund të vendosja muzikë. Është dasma ime por për mua, gëzimi Im nuk është më i rëndësishëm se hidhërimi I tij e nga ana tjetër, në këto kushte, për atë, hidhërimi i tij nuk është më i rëndësishëm se gëzimi im. Kështu funksionon!”, thotë T.B.
S.K shpjegon se kjo është një traditë që I ndihmon të jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin.
“T.B martonte vajzën të shtunën por të enjten ka qëndruar gjithë natën tek unë. E njejta gjë edhe të premten deri pasdite vonë. Pastaj ishte rradha e tij. Shkova tek shtëpia e tij bashkë me 2 burra e 2 gra dhe pasi e falenderova për respektin, i thashë se mund të vazhdonte me muzikën dhe harenë”, thotë S.B i cili tregon se një fqinj I mirë nuk vendos muzikë pa i dhënë leje personi që i ka ndodhur fatkeqësia ashtu sic një fqinj i mirë e kupton rëndësinë e dasmës dhe “pavarësisht nëse i ka vdekur një i ri apo një i moshuar, respekton gëzimin e tjetrit”.
Kjo harmoni midis fqinjëve vazhdon edhe më tej, në ditën e djelë kur krushqit vijnë të marrin nusen.
Të djelën ishin “të tretat” e të ndjerës, një traditë që vjen nga ringjallja e Jezu Krishtit ditën e tretë.
Në të dyja shtëpiat kishte njerëz, në njërën veshur me të zeza e në tjetër plot ngjyra.
Në orën 10 vijnë krushqit, Dibranë, me tupana dhe këngë që e kishin filluar që në shtëpinë e tyre. Për respektin e familjes së S.K, në momentin që krushqit kalojnë pranë shtëpisë, i ndalojnë tupanat dhe vajzat nuk këndojnë derisa të kalojnë. Kur nusja del nga shtëpia, nëse njerëzit që janë në vaki duan ta shohin, duhet të marrin në dorë dicka me ngjyrë të bardhë duke qenë se janë të veshur me të zeza.
“Është keq ta shohësh nusen kur je e veshur me të zeza, duhet patjetër të kesh në dorë dicka me ngjyrë të bardhë që ti shkojë mbarë”, tregon Albina, kushërirë e të ndjerës.
“Janë 3 ditë dasëm e tre ditë morte e në këto raste, thuhet se ato tre ditë do ti ndajmë bashkë”, thotë një nga gratë që po shikon nusen dhe në dorë mban një pecetë të bardhë.
Të dyja palët thonë për Gazetasi.al se kanë dëgjuar shumë herë kur fati ka luajtur me fqinjët në këtë mënyrë dhe kjo zgjidhje është ndoshta ajo e mesmja e artë për të vazhduar marrëdhënien e mirë edhe pasi cdo gjë të ketë përfunduar.
“Mua më ka vdekur vjehrri dhe në shtëpinë përballë kishte valle. Atë natë i zoti i shtëpisë lajmëroi të gjithë dhe nuk bëri asgjë. Të nesërmen, pasi e varrosëm, shkuam disa persona tek shtëpia e fqinjit dhe ndezëm muzikë pasi vetëm kështu ai mund ta vazhdojë dasmën”, tregon një nga të ftuarit e dasmës.
“Ne si fqinj kemi nevojë për njëri-tjetrin gjatë gjithë kohës dhe po të mos ishin zakone të tilla, me siguri nuk do të respektoheshim kaq shumë”, thotë S.K.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë