Ana e errët

Fenomeni i ri i shtëpive të hashashit, si ka ndryshuar strategjia e trafikantëve të drogës

Dy bashkëshortët, Klodian Zeqo dhe Anita Zeqo, e kishin kthyer shtëpinë private në një parcelë hashashi. Çifti, i cili në jetën e përditshme nuk të jepte idenë dhe dyshimin se po merrej me trafik, u tradhtua nga një informator, thanë burimet e GazetaSi.al.

Në dhomën e vilës, sipas të cilës mori emrin dhe aksioni antidrogë, u gjetën veç kubikëve me hashash edhe pajisje që ndihmojnë në rritjen e hashashit, por edhe drogë e fara të bimës narkotike.

Mes orëve të gjata të shërbimeve dhe planit të masave, që synon edhe kontrollet e brendshme të ambienteve,  policia i tregon GazetaSi.al, se në kuadër të fenomenit të ri të mbjelljes së drogës në ambiente të brendshme, kontrolloi 21 mijë e 156 sera, që kryesojnë në zonën e Lushnjës, Fierit dhe në çdo cep tjetër.

“I konsiderojmë si zona risku dhe pa mëdyshje mund të them që po kthehet një fenomen mbjellja e hashashit në sera, këtë e konfirmon një nga aksionet në zonën veriore të vendit”, - deklaroi zyrtari i  policisë për GazetaSi.al. Si shembull, sillet zbulimi i një ambienti në Lezhë, kati i dytë i një magazine pas monitorimit të grupeve operacionale.

Forcat speciale të RENEA-s gjatë operacionit anti-drogë fundjavën e shkuar

Gjatë këtij operacioni u shpall në kërkim edhe kreu i kadastrës së Kurbinit. Por megjithatë Fieri dhe Lushnja, sipas burimeve të GazetaSi.al, kryesojnë në këtë trend, ku nuk lihet jashtë edhe Kamza, por edhe zonat brenda Tiranës.

“Mund të duket si e habitshme, por të dhënat janë të pakundërshtueshme, dyshohet se shtëpi private në Kamëz janë kthyer në shtëpi hashashi nga të rinj që kanë marrë eksperiencë në Britaninë e Madhe dhe tani po përdorin banesat e tyre private”, - shtoi një burim tjetër, i cili është po ashtu i angazhuar si informator.

Lushnja, e cila ka hyrë si një nga “hot spotet” për shkak të serave, i bindi oficerët e antidrogës jo vetëm pas informacioneve, që i ka shkaktuar policisë parehati, por edhe pas zbulimit të një baze të tillë. Por tre të arrestuarit e kyçën gojën dhe asnjë prej tyre nuk foli.

Durrësi, pas rastit të vitit të kaluar që përfshiu edhe ish-zyrtarë të hekurudhës, surprizoi me zbulimin e një parcele me hashash në katin e fundit të një apartamenti.

I zoti i shtëpisë, një 62-vjeçar përfundoi në pranga, teksa dy punonjës të OSHEE-së janë vënë nën hetim. Por asnjë nuk flet se ku e shesin dhe kush i ndihmon ata për t’u kujdesur për drogën.

Është më lirë

Drejtues të Policisë së Shtetit, në mbështetje të forcave speciale

“Kur krijohen qarqet me OSHEE-në ose vjedhje e energjisë, trafikantët nuk kanë nevojë të marrin toka, dhe të angazhojnë punëtorë krahu dhe shpenzime të tjera”, rrëfen punonjësi i policisë që jep alarmin se policia pavarësisht informacionit, e ka të pamundur të kontrollojë në çdo pallat apo objekt të dyshuar.

“Edhe operacioni në Krujë u zhvillua me vëzhgim të detajuar, pas informimit”, – tha punonjësi i Policisë së Shtetit, sipas të cilit duhej siguruar që brenda banesës kishte një serë me hashash.

Nga ana tjetër, mësohet nga burimet e GazetaSi.al, se gjatë këtij viti, nga ky trend janë përfshirë në kontrolle edhe magazinat, ku në total numërohen 10 mijë të tilla të verifikuara, teksa 5 mijë godina dhe tunele janë objekte ushtarake, tek të cilat çdo komisariat pasi ka marrë detyrat, është shpërndarë për t’i kontrolluar.

“Banesat e braktisura, atje ku nuk jeton askush, pasi pronarët janë në emigracion ose pallate që janë në ndërtim, por ende të papërfunduara, janë kontrolluar gjithashtu”, - rrëfen agjenti i antidrogës, i cili është pesimist për përmasat që sipas tij ka marrë kultivimi i serave.

“Ju e dini rastin e vajzës që mori shtëpi me qira dhe që ishte nën moshë. Ajo e kishte mbjellë në vazo lulesh drogën dhe u justifikua se ishte përdoruese. Por e vërteta është se, si kjo e re, edhe të tjerë përdorin të njëjtën strategji”, - shtoi efektivi.

Sakaq...

RENEA dhe FNSH gjatë kontrolleve masive në terren për kultivimin e lëndëve narkotike

Gjatë përpjekjeve për të luftuar fenomenin e kultivimit të kanabisit dhe frenimit të parave të zeza që vijnë nga ky aktivitet, Shqipëria harxhon miliona lekë.

Sipas një burimi zyrtar të GazetaSi.al, pranë Policisë së Shtetit, shpenzimet e policisë çdo vit kapin shifrën e 4-5 milionë dollarëve.

Shpenzimi më i ulët, rezulton të ketë ndodhur gjatë vitit 2015, ku policia raportoi se harxhoi nga buxheti i shtetit me shërbime dhe angazhimin e forcave në terren, si dhe logjistikë, gati 3 milionë dollarë.

Një vit më pas, kjo shifër gati u dyfishua në 5 milionë dollarë, ku përfshihen edhe hedhja e parave për blerje automjetesh speciale në zonat malore dhe të thella apo pajisjet speciale për vrojtim dhe monitorim të territorit në distanca të thella.

E teksa edhe për vitin 2021, policia ka nisur sërish krehjen e zonave malore, e sigurt është që veç sipërfaqeve në pyje apo tokë arë, ky vit mbetet sfidues për autoritetet për një fenomen të ri, atë të kultivimit të drogës në ambiente të mbyllura.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë