Ka ndodhur

Video/ Kanabis me llamba në Kurbin, lokali ishte kthyer në ‘shtëpi bari’ falë edhe elektricistëve

Një “shtëpi bari”, ku kultivohej kanabisi me llamba elektrike është zbuluar në Kurbin, ku janë arrestuar shtatë persona, 4 prej tyre me detyrë elektricistë dhe faturistë pranë OSHEE.

Kati i parë i një banese, lokal, ishte kthyer në laborator që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba.

Gjatë kontrollit të ambientit u gjetën dhe u sekuestruan 506 bimë kanabis të kultivuara në vazo dhe 58 kg kanabis gati për shitje.

Policia tha se kishte informacion në rrugë operative për kultivimin e kanabisit dhe ka vënë në pranga shtetasit: Lek Allamani 54 vjeç, banues në Bushnesh, Taulant Baroka 27 vjeç, banues në Arrameras, Fushë Krujë dhe Gimi Hidën 43 vjeç, banues në Tetovë, Maqedoni.

Kultivuesit kishin bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, duke bshkëpunuar me elektricistë dhe faturistë pranë OSHEE.

Policia arrestoi për shpërdorim detyre punonjësit e OSHE-së: Xhemal Danieli 58 vjeç, banues në Bushnesh, më detyrë elektricist, Xhevalin Kaca 56 vjeç, banues në Mamurras, me detyrë elektricist Bib Gjergji 33 vjeç, banues në Fushë Mamurras, me detyrë përgjegjës në OSHEE Kurbin dhe Alfred Fufi 53 vjeç, me detyrë faturist i OSHEE.

Ata akuzohen se kanë lejuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në transformatorin elektrik me pjesën e jashtme që furnizonte me energji ndërtesën e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.

Lidhja e paligjshme e energjisë shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin e bimëve narkotike.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan të gjitha pajisjet që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, si: pajisje elektrike, llamba elektrike termale, lëndë ushqyese për bimët narkotike etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë