Arsim

Fëmijët: Pse nuk mund të jetë shkolla si Teatri Metropol?!

Sabina Veizaj - Ai që punën e tij e ka të lidhur me fëmijët, përveçse ka një sadisfaksion të jashtëzakonshëm, ka njëkohësisht po aq shumë përgjegjësi dhe përballet me sfida të vazhdueshme. Këtë e kam kuptuar nga Sonila Kapidani, e cila aktualisht është drejtuese e Sektorit të Edukimit në Teatrin Metropol në kryeqytet, por që unë e njoh prej dhjetë vjetësh.

Kapidani prej dy dekadash merret me mësimdhënie në fushën e artit skenik, komunikimit, disiplinën e “Tetatrit dhe Dramës në Edukim (metodologji e re që ajo sëbashku me bashkëshortin e saj aktorin kosovar Shkëlzen Berisha e kanë sjellë në Shqipëri, pasi ky i fundit e ka ushtruar në Angli ku dhe ka punuar për disa vite atje) dhe në piano.

Më herët ajo ka ushtruar mësimdhënien në Universitetin e Arteve në grupmosha të rritura, por prej tetë vitesh është fokusuar kryesisht tek fëmijët me “Tetarin dhe Dramën në Edukim”.

Me Sonilën shpesh diskutojmë se sistemi ynë arsimor, pedagogjia e shkuar kohe që ushtrohet ende në klasat dhe auditoret tona, mënyra e edukimit të brezave që iu vesh fëmijëve një kostum që iu rri shumë ngushtë; me mungesë lirie, mungesë kreativiteti, mungesë analize kritike të fenomeneve, ka ardhur momenti të largohet për të patur një brez të zhdërvjelltë që e përgatit për të qenë i lirë në vendimmarrje dhe zgjidhje problemesh e situatash.

“Është e vështirë, por jo e pamundur”- më thotë Sonila nga përvoja dhe nisim të diskutojmë për Kampin Veror të Teatrit të ideuar prej saj që ka mbyllur siparin dje në Teatrin Metropol në kryeqytet.

Tema bazë në këto dy javë ka qenë konflikti, nisur edhe nga situata aktuale që po përjeton vendi, por e marrë në analizë në një diapazon të gjerë dhe të palidhur me politikën e ditës në vetvete; nga konflikti gjinor, deri tek konfliktet e mëdha administrative.

Objektivi i kampit teatror siç e shpjegon Sonila është që të eksplorohen çështje të ndryshme. Gjatë viteve të mëparshme fëmijët kanë eksploruar mbi arkeologjinë, historinë, etnografinë edhe këtë vit u mendua që të eksplorojnë mbi konfliktin.

“Përzgjedhja e fëmijëve ka të bëjë me dy shkollat që ne kemi krijuar bashkëpunim. “Hasan Vogli” dhe “Lidhja e Prizërenit”. Nuk i kemi mundësi që të shtrihemi në shkolla të tjera, për momentin kjo është fuqia që ky teatër ka. Në vitin në vijim do të kemi një bashkëpunim tjetër. Rezultati konkret i këtij kampi është që fëmijët kanë dëshirë për t’u kthyer përsëri, sepse metoda e punës me ta nuk është e detyrueshme" - thotë ajo.

Siç më shpjegon Sonila gjatë bisedës këtë vit është punuar librin me përralla “Portokalli fluturues rrëfen historinë e tij” me autor Johan Galtung dhe Ilustrimet Andreas Galtung, të cilin e ka përkthyer Dr. Valbona Nathanaili e cila edhe ia propozoi .

Valbona Nathanaili

“Portokalli fluturues rrëfen historinë e tij” me autor Johan Galtung dhe Ilustrimet Andreas Galtung, të cilin e ka përkthyer Dr. Valbona Nathanaili

Procesi, nga ajo që unë vetë kam ndjekur ndër vite; fëmijëve ju jepet koncepti përmes fjalës konflikt dhe ata shpalosin fantazinë, imagjinatën, njohuritë e tyre krejtësisht në liri të plotë, të pakufizuar duke dhënë mendimin se si e kuptojnë konceptin duke dhënë edhe shembuj të situatave konkrete të përjetuara apo të imagjinuara. Derisa gjithë grupi i fëmijëve, mandej i bazuar edhe tek libri që merret si referencë, arrijnë të krijojnë historinë që do ta sjellin si performancë në zhanrin e tetarit edukativ.

Dita e fundit pas një procesi të gjatë edukativ dhe krijues është shijimi i fruteve të punës dyjavore duke dalë në skenë “tamam si aktorët e rritur”- do të thoshin fëmijët.

Tek bëjmë një shëtitje nga liqeni, Sonila më flet për emocionet që ka përjetuar në Kampin Veror të Teatrit që këtë herë për të katërtin vit radhazi ka organizuar Teatri Metropol.

Sonila Kapidani

“Ishte një vajzë që zor se nxirrte zë. Nuk artikulonte. Kemi punuar fort me ushtrime intensive dhe ka shkëlqyer në fund të kampit gjatë performancës. Mamaja e saj tek erdhi të më falederonte me një vazo me lule më tha se “nuk e njoha fëmijën tim. Ka një transformim të jashtëzakonshëm. Në shtëpi nuk flet fare”- edhe tani emocionohem se më kujtohet momenti kur më thirri roja jashtë se më kërkonte dikush, është emocion i jashtëzakonshëm të shikosh sa nevojë kanë këta fëmijë tu japësh mundësinë të jenë vetja, të lirë, të eksplorojnë veten dhe të japin më të mirën.”- thotë Sonila duke ndarë të njëjtin mendim të dyja se “shkolla jonë të merr frymën”.

Sonila në një intervistë për Gazetën “Si” ka shpjeguar rreth Kampit Veror në Metropol.

Çfarë është Kampi Veror që organizon Teatri Metropol?

Kampi veror i “Teatrit Krijues” është një punë edukative me nxënës të shkollave publike në të cilin përmes teatrit nxitet dëshira për dije të reja mbi të kuptuarit e shoqërisë. Këtë vit është zgjeruar edhe me dy Kampe të tjerë, atë të Trashëgimisë Kulturore me pjesëmarrës nga gjimnazet dhe Valles për klasat 5-6.

Sa kohë ka që zhvillohet dhe si është krijuar?

Ky është viti i katërt i një pune mjaft të pasur për nga realizimi me fëmijët dhe njëkohësisht trajnimi i stafit të Sektorit të Edukimit dhe Sektorit Artistik mbi këto metoda pune. Teatri Metropol është një institucion publik i cili ka krijuar një sektor të veçantë edukimi që merret me skemat e punëve të programit “Edukoj me Teatër”.

https://www.facebook.com/teatrimetropol/videos/695947827503468/

Duke qenë se të diplomuarit nga Fakulteti i Artit Skenik të Universitetit të Arteve kanë qenë të përgatitur për nevojat e teatrit në formën klasike, e kemi parë si nevojë dhe kemi realizuar një seri trajnimesh që kanë sjellë rezultate dhe pasurim të këtij terreni kaq të rëndësishëm. Më parë unë punoja në sektorin privat dhe kisha marrë bërthamën e kësaj pune nga një mjeshtër praktikues i dramës dhe teatrit si mjete të edukimit dhe kur drejtuesja e Teatrit Metropol shprehu se kishte nevoja mbi këtë sektor të ri, me kënaqësi dhe përgjegjësi e mora këtë angazhim për të krijuar dhe drejtuar një bërthamë pune të qëndrueshme në dobi të komunitetit.

Çfarë keni patur në mendje kur e krijuat, çfarë keni dashur të arrini në raport me fëmijët?

Në këtë botë marramendëse ku dukja është bërë shqetësimi i një pjese të konsiderueshme të shoqërisë, ne e kemi parë të domosdoshme t’i ndihim me punën tonë qasjes së një teatri që nuk e ka në qendër teatrin si kulturë e famë, por teatrin si qasje kozmopolite ndaj humanizmit. Punët që kemi bërë i kanë dhënë mundësi pjesëmarrësve që të njohin më mirë veten (fizikun, emocionet, mendimet, artikulimin), por edhe njëri-tjetrin, duke besuar se njohja nxit edhe pranimin.

Cilave grupmosha iu drejtohet?

Kampi i Teatrit është për nxënësit nga klasa e dytë në klasën e tetë; Kampi i Valles nga klasa e pestë në klasën e shtatë dhe i Trashëgimisë viti i dytë dhe i tretë gjimnaz.

Cila ka qenë risia e këtij viti?

https://www.facebook.com/teatrimetropol/videos/862643827433175/

Në fakt secili vit ka pasur risi dhe zhvillime. Risia e këtij viti ka qenë një propozim dramatik për fëmijë i ardhur nga Dr.Valbona Nathanaili, nxitur nga përkthimi i një libri me përralla “Portokalli fluturues rrëfen historinë e tij” me autor Johan Galtung dhe Ilustrimet Andreas Galtung, një libër për çdo moshë që ka në qendër konfliktin. Kështu, gjatë ditëve të punës kemi respektuar kërkesat e gjuhës skenike duke sjellë një variant të ri të propozimit të parë.

Në Metropol e kemi parë të rëndësishme që rruga me të cilën mund të përmirësohet një propozim i një teksti dramatik është gjuha vepruese e aktorëve, kështu propozimi menduam se erdhi në çastin e duhur për të provuar edhe një sprovë të re.

Po sfidat e këtij sezoni të Kampit Veror me të cilat jeni përballur?

Sonila Kapidani me fëmijët

Këtë vit edhe nga sprovat e viteve të kaluara, por edhe nga trajnimi shumë i rëndësishëm që u zhvillua vjet, kemi qenë më të sigurt dhe më në sintoni grupi pune. Mund të them se Kampin e Kërcimit e quajtëm sfidë, pasi një pjesë e specialistëve të kërcimit punonin me fëmijë për herë të parë dhe kërkon pak kohë që të ndërrosh qasjet e punës dhe të kuptosh dallimet e mësimit të trashëgimisë si krenari dhe trashëgimisë si vetëdije/domethënie e një kulture që është vetëm një pjesë e botës së madhe. Ndaj sfida kishte të bënte me objektivat konkretë të mësimit dhe rrugën e realizimit.

Si ka qenë e organizuar çdo ditë e Kampit Veror?

Punonim me nxënësit çdo ditë nga ora 08:00-13:00, duke nisur në fillim me ushtrime fizike, më pas shkathtësim të të folurit dhe përmirësim të cilësive të zërit dhe më pas me programin e njohjes. Ditën e dytë shkuam në bibliotekën Cod në Kryeministri, në të cilën morëm njohuri të reja mbi dokumente zyrtare, meqënëse do të eksploronim konfliktin mbi pronën dhe konfliktin mbi ujërat ndërkombëtare dhe më pas do të krijonim modele të ngjashme që do të shërbenin si rekuizita. Ditën e tretë zhvillum një takim/bisedë me shkrimtaren, e cila jo vetëm iu përgjigj pyetjeve kureshtare të tyre, por edhe u dhuroi librin nga ishte nxitur teksti. Ndërsa dita e fundit ishte një festë e madhe në Teatrin Metropol: tre prezantime në të cilat nxënësit shikonin punët e njëri-tjetrit dhe njëkohësisht prindërit befasoheshin nga gjithë ajo punë. U mblodhëm që në mëngjes me stërvitjen e zakonshme e më pas përgatitjet për prezantim. Posterin e kishin ideuar vetë nxënësit, rekuizitat i kishin bërë po ata, tashmë duhej të vetëdijësoheshin për rëndësinë e disiplinës. Prezantimi ishte finalizimi që nuk shlyhet kollaj nga mendja. Ndërsa pas tij, edhe një pikë takimi bisede për të vlerësuar punën e bërë dhe ndarë mendime dhe emocione dhe përshëndetja e fundit. Zakonisht është çasti kur të rritur e fëmijë mësojnë t’i ekuilibrojnë emocionet me arsyen.

"Përfundoi java e parë e Kampit të Teatrit në Metropol dhe idetë kanë nisur të konkretizohen në materiale dhe marrëdhënie. Investimi në fuqizimin e dëshirës për dije të reja është mbështetja jonë kryesore. Rrëfenjat e portokalleve tona po marrin pamje nga pasurimi i përditshëm dhe do të jenë gati të përcillen tek të ftuarit në javën e dytë. Sepse ‘Kur fryn erë dhe lëkunden degët, rrëfenjat e portokalleve mbi konfliktin njerëzor përhapen nga një pemë në tjetrën dhe dëgjohen nga portokallet e gjthë botës"-Teatri Metropol

Si janë qasur fëmijët ndaj metodologjisë suaj?

Me shumë gëzim dhe kontribut të papërtuar. Që nga Kampi i parë realizuar në fshatin Rripë në Burrel, në të cilin kam marrë pjesë kryesisht si vëzhguese dhe mbështetëse, me ide dhe drejtim nga Shkëlzen Berisha, një njohës dhe praktikues i jashtëzakonshëm i këtyre metodave të punës, unë kam takuar fëmijë që në ditën e dytë të punës e më pas përjetojnë çdo çast me padurim dhe shumë gëzim. Dhe besoj se kjo është bërthama e kësaj pune; të marrësh njohuri të reja duke mos e humbur gëzimin dhe dëshirën.

A ka qenë e vështirë?
Po, akoma është. Ndërrimi i perceptimeve dhe qasjeve pedagogjike është një proces mjaft i vështirë që kërkon kohë dhe shumë mund.

Çfarë keni vërejtur tek fëmijët në kuptimin e edukimit dhe pedagogjisë tradicionale që ushtrohet ende në sistemin tonë arsimor dhe si e kanë bërë kapërcimin në një mjedis të ri me pedagogji tjetër?

E thashë, dashuri dhe gëzim dhe besoj se këto të dyja, sado që bota e rreme e reklamave i konsideron idealiste, janë thelbi i njerëzimit për të mposhtur ankthin dhe frikërat, por edhe për të ndjerë se përket diku. Arsimi formal i fut nxënësit shpesh në ngushtime fizike dhe mendore që sjellin mosdëshirë për angazhim dhe kjo është diçka që duhet tjetërsuar sa më shpejt.

A keni vënë ndryshime tek fëmijët nga nisja e kampit deri në përfundim të tij?

Po, ata mes ushtrimeve të ndryshme nisin të edukojnë disa rregulla që u bëjnë të mundur të kuptojnë trupin dhe përdorimin e tij, shkathtësojnë përqendrimin dhe mprehin shqisat, provojnë të kuptojnë rregullat e punës kolektive dhe ndarjen e detyrave, etj.

Mund të na tregoni ndonjë episod mbreslënës?

Mbresat janë të shumta përgjatë ditëve të Kampit, por po veçoj ata nxënës që ambienti i bën të mos kenë zë të plotë dhe artikulim të qartë, që kur kanë dalë në prezantim përpara prindërve, ata janë befasuar dhe janë shprehur se “ai/ajo në shtëpi nuk flet kështu, ne nuk e kemi menduar se mundet.”


Në kamp ka ardhur një vajzë e cila ka qenë në kampin e parë. Vinte nga shkolla “Hasan Vogli”. E kërkova vetë sepse kisha shumë kujtime nga ai kamp me atë vajzë të talentuar e cila pikturonte shumë bukur veshje dhe kishte disiplinë.


Këtë herë ajo u zotua të bënte regjinë dhe modelet e kostumografisë. Më ka lënë shumë të habitur.


Bëri një punë në vizatimin e sallës së rrumbullakët “Sheakespeare” ku performuan me matjet përkatëse, ndarjet e seksioneve ku rrinë aktorët dhe publiku, si edhe mizanskenat për skenat e para sikur të kishte studiuar artet. Ishte befasuese.

Çfarë “marrin” me vete fëmijët në fund të kampit?

Të kuptuarit e dijes si domosdoshmëri, jo si detyrim. Dhe shumë gëzim dhe njerëzillëk. Nxitjen për të thjeshtën dhe faktin se që të bëhesh një qytetar i arsimuar/edukuar do të thotë të mësosh shumë fakte dhe të zoërosh teknikat e arsyetimit.

A ka ndonjë syresh që kthehet vitin tjetër?

Po, disa prej tyre kanë qenë në vitin e tretë.

Pse Metropol ka çelur këtë dritare për fëmijët e shkollave?

Sepse është Teatër i Qytetit dhe si i tillë ka objektiv të krijojë ura lidhëse dhe t’i shërbejë sa më dobishëm nevojave të komunitetit.

A mjafton dhe ju si specialiste edukimi dhe komunikimi çfarë sugjeroni?

Sigurisht që nuk mjafton, ne jemi një bërthamë e vogël në një qytet që rritet çdo ditë. Sugjerimi dhe në fakt dëshira ime është që të mbështeten qëndrueshëm programe të edukimit joformal që u vinë në ndihmë shkollave dhe fuqizojnë kuptimin e qasjeve edukative që përgatisin individë me aftësi për t’u integruar me botën e jo për të dalë në përvojën profesionale të mjegulluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë