Trend

Fëmijët po i largohen gjuhës shqipe, preferojnë ‘gjuhën e kukullave’

Sorgena Leka - Dëgjojmë shpesh që thuhet se "sot fëmijët lindin të zgjuar dhe të mësuar” dhe kjo po vihet re edhe me aftësinë e tyre për të folur një gjuhë të huaj, edhe pse në një moshë të vogël. Por kjo jo gjithnjë është diçka pozitive.

Era është një vajzë 3-vjeçare e cila për të komunikuar me prindërit dhe njerëzit e tjerë përdor vetëm gjuhën angleze, madje shqetësohet nëse dikush e pyet shqip për diçka. Mamaja e saj, Paola tregon për Gazetasi.al se në fillim këtë e ka parë si diçka kalimtare dhe deri diku i pëlqente që vajza po mësonte një gjuhë të huaj në mënyrë aq natyrale. Me kalimin e kohës, kjo u kthye në shqetësim për të.

“Ajo ka një vit tashmë që flet vetëm anglisht. Asnjë fjalë shqip. Isha në rregull në fillim sepse e fliste vetëm më mua. Më pas filloi të fliste njësoj edhe me pjestarët e tjerë të familjes, me çdo fëmijë që takonte dhe me çdo njeri deri iu kthye në bezdisje kur i flisje shqip”, tregon mamaja e 3-vjeçares e cila tregon se ka pak kohë që ka filluar “të detyrojë” vajzën që të flasë shqip.

Ajo thotë se ky problem ka bërë edhe që ajo mos ta dërgojë vajzën në kopësht sepse “e di se do të bënte të njëjtën gjë dhe nuk dua që të bullizohet”.

Tani Paola i flet vetëm shqip vajzës, nuk e lejon të shikojë kukulla në gjuhë të huaj dhe nuk i përgjigjet kur Era i flet anglisht.

Logopede Xhuljeta Qoku tregon për Gazetasi.al se trendi i të folurës së një gjuhe të huaj apo i dy gjuhëve është në rritje dhe gjatë punës së saj, ajo ka hasur prindër që janë ‘ankuar’ se fëmija i tyre nuk flet shqip por di shumë fjalë anglisht, të cilat në pjesën më të madhe ishin të mësuara nga televizori/telefoni.

Xhuljeta Qoku, logopede

“Gjithmonë e më tepër po rritet ky fenomen: fëmijë të zhytur në botën e telefonit/televizorit, madje edhe në moshë shumë të vogël”, thotë Qoku e cila shton se kjo ndodh dhe pse studimet kanë treguar që fëmijët e vegjël nuk mësojnë asgjë nga bota virtuale, pasi një fëmijë ka nevojë për ndërveprim që të mësojë.

Qoku thotë se ka edhe raste (të pakta) në të cilat prindërit vendosin t'i mësojnë 2 gjuhë fëmijëve, por këtë e bëjnë duke i dërguar në ambiente/grupe në të cilat flitet gjuha angleze (më e përhapura) dhe kjo, sipas logopedes, absolutisht është e këshillueshme, edhe kur fëmijët janë shumë të vegjël.

Por për fëmijë që mësojnë disa fjalë anglisht nga telefoni, të cilat nuk mundet as ti përdorë për komunikim në jetën e përditshme, por thjesht i mësojnë në mënyrë mekanike, patjetër që është një fenomen ku duhet të ndërhyhet dhe të ndryshohet.

Idealja është që prindërit të kenë parasysh se ashtu si rekomandohet edhe nga  American Academy of Pediatrics (AAP) dhe World Health Organization (WHO), deri në moshën 2 vjeçare nuk duhet që fëmijët të kenë kontakt me ekranet.

Dhe pas kësaj moshe gjithmonë duhet të kalojnë një kohë minimale dhe të shoqërohen nga prindërit të cilët komentojnë së bashku me fëmijën atë që po ndodh.

Në rastet kur tashmë fëmija ka parë televizor/telefon shumë gjatë, logopedia thotë se prindërit duhet të ndërgjegjësohen dhe ta ndalojnë këtë gjë dhe nëse ndihen të shqetësuar për zhvillimin gjuhësor të fëmijës të drejtohen te pediatri, i cili është profesionisti që e ndjek fëmijën që nga lindja. Pas një vizite të përgjithshme me pediatrin, është ky i fundit që i drejton më pas te profesionistët e duhur dhe më specifikë.

Po familjet shqiptare që jetojnë jashtë vendit?

Qoku tregon se prindërit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit e shohin pjesën e dygjuhësisë “një detyrim” pasi shumica vendosin që fëmija të mësojë edhe shqip dhe deri diku nuk është një zgjedhje e prindërve.

Logopedia thotë se prindërit ndihen të shqetësuar për disa arsye:

Mendojnë se nëse fëmija mëson 2 gjuhë do ketë vonesë gjuhësore;

Mendojnë që kur fëmija përdor dy gjuhë në të njëjtën fjali, është konfuz;

Në momentin që fëmija shkon në kopsht\shkollë fillon dhe "braktis" gjuhën minoritare (shqipen në këtë rast) dhe prindi gjendet i dyzuar se si duhet të veprojë;

Si dhe prindërit të cilët nuk e dinë gjuhën e vendit ku jetojnë dhe i lënë fëmijët përpara televizorit me idenë që nga aty do mësojnë gjuhën e vendit.

*Emri i vajzës është i ndryshuar!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë