Vende dhe Udhetime

Fagu, fshati në lindje të Erzenit, aseti turistik që duhet të zbulohet

Shtrihet në anën lindore të rrjedhës së Erzenit, në lartësinë 650-750m mbi nivelin e detit dhe në në faqen e malit me të njëjtin emër.

 Fshati Fag bën pjesë në komunën Shëngjergj ndërkohë që emri i tij rrjedh nga emri latin Fagus ose Faxhios, emër i një druri lisi ose bredhi apo Fagus silvatika, dru ahu, që rritej i lartë aty dhe që përdorej për ndërtimin e anijeve.

Skëndër Farka, autor i disa librave për fshatrat turistikë të Tiranës flet për origjinën e fshatit, ndërsa vëren se sipas gojëdhënës banorët e parë paskan qenë tre vëllezër me familjet e tyre, të ardhur nga veriu.

 “Emrat e tyre Abraham, Hajder dhe Xhura u kanë dhënë emrin edhe lagjeve: Brahmas, Hajdaraj, dhe Xhyrë, (në fakt emrat shtrëmbërohen në shkrime e shqiptime të ndryshme, kjo gojëdhanë nuk qëndron se emri Fag është emër para kristian).

Fshati Fag, për vetë pozicionin strategjik dhe lartësisë që arrihej me vështirësi, ka qenë terren i izoluar, vend sigurie e qëndrese për banorët, çka e vërteton edhe kalaja e vjetër pranë tij.

 Në Fag në vitin 1940, kishte 50-60 familje me 300 frymë, kurse pas 50 viteve, ai u bë me 100 familje dhe 850 frymë, për t'u zbrazur përsëri pas vitit 1991.”, - vëren ai në “Shëtitje turistike nëpër fshatrat e rrethit të Tiranës.

Ai bën me dije se “Në vitin 1935 banori Xh. Ozuni, e fali me dokument shtëpinë e tij për lokal shkolle, solli edhe mësuesin në fshat, por pas tri ditësh, "injoranca e prapambetja shoqërore e komunitetit”, e përzuri mësuesin.

 Viti 1945 e gjeti fshatin me një ose dy vetë që dinin shkrim e lexim të mësuar nuk dihet se si. Në vitin 1946 u ngrit shkolla e parë, më 1950 asaj iu shtuan katër dhoma. Në një vend të hapur e të bukur, më 1975 u ndërtua nga shteti shkolla shtatëvjeçare me 11 dhoma, ku mësuesit e më se 200 nxënësve ishin vendalinj, shkollë që u dëmtua më 1991.”

Ndërkohë sipas Farkës, sot mund të thuhet se fshati Fag, është më i prapambeturi i komunës, sepse ka qenë më i izoluari, por mund të themi se është më i pasuri si natyrë për t'u vizituar:

Vetë mali Fag, me lartësi maksimale 1443m ka një pamje madhështore dhe shumë mbresëlënëse, kur e shikon nga fshati Darshen ose Derje. Ai të imponohet me ngjyrat e gjalla e pamje piktoreske: në pranverë kur flladi e jeshilllëku intrigojnë njëri-tjetrin, në verë me ajrin e freskët, në vjeshtën plot re të bukura që përqafojnë lehtas majëmalin dhe në dimër kur mbulohet me borë.

Për të shkuar në Fag, banorët kanë pasur 2-3 rrugë këmbësore: nga Kllojka, nga Darsheni dhe nga rruga e sotme e Parpujit, ku traktori i kooperativës kalonte me vështirësi. Në rrugën e re të asfaltuar të Shëngjergjit, tek ura e dytë mbi Erzen, në kilometrin 33, ndodhet kthesa e rrugës për në fshatin Parpuj, e cila vazhdon deri në Fag.

Në qendër të lagjes Brahmas edhe sot shihet vendi i kullës së Banush Biraçit, ku gjashtë anëtarët e familjes, burra gra e një fëmijë, mbas një lufte deri në fishekun e fundit nuk u dorëzuan tek serbët, të cilët kishin shkatërruar e djegur me artileri 90% të shtëpive të fshatit Fag. “Ata u dogjën të gjallë nën gërmadhat e kullës në flakë. Ishte viti 1915 kur serbët vranë burra gra, therën fëmijë, dogjën fshatra e grabitën çdo gjë të mundshme. Atje ende nuk ka ndonjë shenjë përkujtimore.”, rrëfen studiuesi Farka për gazetën “Si”.

Xhamia e lagjes, e ndërtuar pa minare ishte përgatitur për të funksionuar gjatë viteve të para të demokracisë, por sot është krejt e shembur.

Në lagjen e Qendrës ( Hajdaraj ose e mesit) shkohet për 20 minuta drejt rrugës nga lindja, pak mbasi ke kaluar përroin e Shënkollit si kufi ndarës. “Në qendër është shkolla, pjesë e riparuar e shkollës të dikurshme, muret e shembur të së cilës janë ende aty. Aty është edhe ish çerdhja e kopshti, e pak më poshtë duken gërmadhat e xhamisë së dikurshme të kësaj lagjeje. Më poshtë, pasi kalon burimin e madh të ujit, ku më tutje duken kullat e gurta dykatëshe pranë njëra-tjetrës. Më në krye, atje ku është një shtëpi me shumë lule mund të shkosh pranë një peme të madhe dardhe të egër. Aty në një pjerrësi me hapësirë të bukur e pamje piktoreske ishte vendi ku ka qenë kisha e dikurshme e lagjes e ku dallohen qartë mjaft krygurë varresh të harruara.”, vijon më tej Farka.

Sipas tij turizmi rural duhet të zhvillohet maksimalisht në Fag. “Ai vend midis më të bukurve në fshatin Fag, ajo natyrë meriton një projekt më të mirë dhe jo shpërdorim. Kjo është sfida e kohës në Fag e kudo në male. Në Fag, gjiza me vaj ulliri e vezë, çaji i lartësisë me mjaltë, fërgesa e buka me misër të bardhë vendi, pilafi me grurë të thërmuar dhe buka e zezë me grurë vendi, me gatim original janë shumë të pëlqyeshme dhe nuk i gjen në vende të tjera. Mishi i kecit të Fagut, por edhe i qengjit janë të jashtëzakonshëm sepse janë produkt i kullotës atje. Dikur, kur dilnin kecat e Fagut në pazar, nuk shitej asnjë kec i fshatrave të tjerë.”, thotë ai.

Pranë shkollës, përballë e poshtë drejt Erzenit, ulet butësisht kreshta e shtufit të një kodre, që përfundon midis kullotave e fushave të pjerrëta e të buta, atje ku dikur barinjtë kullotnin bagëtinë, deri në zall. Me kalimin e viteve atje u krijua një lagje e re banimi, 60-70 vjeçare, me kulla të gurta si kudo që quhej Panec. Deri atje, vetëm për të zbritur duhen plot 60 minuta, pasi kalon kullën e fisit Shima, për të arritur pranë fiseve Almeta e Muça, tashmë të braktisura.

Rrapi shekullor Komka Lagjja Xhyre, e treta, ndodhet më tutje nga lindja, duke ecur gjithnjë në atë rrugë pasi arrin atje ku ndodhet rrapi i madh shekullor, me emrin Komka. Sipas banorëve të fshatit, dikur, kush e dëmtonte këtë rrap duhet të sakrifikonte kaun e parmendës. “Trungu i tij i drejtë, i trashë dhe i shkurtër si këmba e një kau të fuqishëm me rrënjët e trasha, e mbante atë pemë të stërmadhe aty në buzë të greminës argjilore plot gurë, për të mos ia dorëzuar bregoren, përroit poshtë greminës. Bari nën kurorën e rrapit, një bar i shkurtër, i ngjeshur, që dukej i sapo "qethur", me një ngjyrë jeshile plot shkëlqim, kishte krijuar një qilim natyral, që të vinte keq ta shkelje. Kjo pamje e bukur kishte sfiduar hapur rrezikun që i kanosej prej vitesh vetë pemës shekullore."

Maja e Malit të Fagut është e jashtëzakonshme. Fshati Fag dhe bukuritë natyrore të tij janë padyshim një një aset turistik i komunës së Shëngjergiit, i cili mund të shijohet lehtësisht nga qytetarët e Tiranës, por jo vetëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë