Nga Ardit HOXHA - Në kampionatin Europian të peshëngritjes që po zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë Shqipëria e arriti suksesin e parë. Briken Calja me dy medalje argjendi dhe një ari u shpall nënkampion i Europës. Ky është një sukses shumë i madh për sportistin nga Cërriku edhe pse nuk arriti të përsërisë veten, për t’u shpallur kampion Europe i trefishtë. Calja mori të artën në shkëputje, ndërsa në shtytje u mposht nga rivali i tij bullgar.
Një nga ekspertët e peshëngritjes shqiptare, për vite me radhë drejtues në federatën e peshëngritjes, Gurad Beqiraj në një intervistë për Gazeta "Si" ka analizuar performancën e Briken Caljas, duke thënë se medaljet që ai mori në këtë kompeticion përbëjnë një rezultat historik për vendin tonë. Beqiraj thotë se Calja i kishte të gjitha mundësitë që të merrte medaljen e artë edhe në shtytje, por një gabim i jurisë dhe ndoshta nxitimi bën që ai të mos i realizonte me sukses të treja provat e tij.
“Ai doli kampion Europe. Për mua ai është kampion Europe. Në 20 veta të dalësh i pari në shkëputje dhe dy medalje të tjera të argjendta, nuk është gjë e vogël. Për të thënë të vërtetën, sportisti bullgar rezultoi më i fortë vetëm kur ngriti 192 kg, pasi deri në provën e dytë Brikeni kishte qenë superior karshi tij. Briken Calja 183 kg i ngriti shumë lehtë dhe në provën e parë kishte ndodhur diçka tjetër, pasi duhen parë të gjitha komponentët. Mua ma tha Brikeni që juria e kishte quajtur provën faull që në fillim, gabimisht dhe kjo gjë e stepi atë”
Sipas Beqirajt Briken Calja i kishte të gjitha mundësitë që të ngrinte edhe 188 kg, që do të përbënte një rekord europian, por sipas tij sportisti nga Cërriku u nxitua dhe nuk arriti të stabilizonte shtangën. “Për mua ai e ngriti shtangën, por nuk e di se çfarë i ndodhi me këmbët, që ai u ngatërrua. Unë mendoj se nëse Brikeni do kishte ngritur dhe do i mbante 188, shtangisti bullgar nuk do i ngrinte 192 kg, pasi duhet të dimë që në këtë sport ka të bëjë shumë edhe aspekti psikologjik. Për mua prova e Brikenit ishte e fituar, por nuk e di pse ai u ngut, nuk u stabilizua. Ai nuk duhet të ecte, duhet të rrinte aty dhe nëse do ishte e nevojshme të bënte ndonjë hap të vogël farë mund ta bënte për t’u stabilizuar.”
Ndërkohë për sportistët e tjerë kuqezinj që do të ngjiten sot në pedanë, Gudar Beqiraj është i sigurt që ata do të arrijnë rezultate shumë të larta. Për të Daniel Godelli nëse do të jetë i qetë dhe në përqendrimin e tij maksimal me shumë siguri sot do të shpallet kampion i Europës. “Danieli për mua del kampion. Me rezultatet që ka arritur në stërvite këto kohë, nëse nuk ngutet dhe është i kujdesshëm, për mua ai del kampion. E vetmja gjë që unë e shikoj pak me skepticizëm është fakti që ai është i detyruar të fillojë me pesha të larta, por me rezultatet që ai ka kapur në stërvitje nuk është problem për të. Nëse Danieli kalon me sukses provat e para, me siguri që ai është kampion Europe."
Edhe për Erkand Qerimajn, ai ka besim që mund të hyjë në zonën e medaljes edhe pse ka hyrë në baterinë B. “Erkandi ka kaluar në baterinë B, nuk e di se çfarë ka ndodhur. Ai ka kaluar nga 355 në 336 e ka ulur shumë dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur me thënë të drejtën. Por mund të jetë edhe kjo një lloj taktike që ai të hyjë në garë pa presion dhe të jetë i shkarkuar nga emocionet, pasi edhe nëse ai arrin të ngrejë lart peshat e duhura ai njëlloj klasifikohet në tabelë.”
Edhe për dy shtangistët e tjerë shqiptarë që do të garojnë në ditët në vazhdim, Krenar Shoraj dhe Endri Karina, Gudar Beqiraj është shprehur optimist se të dy mund të përmirësojnë rezultatet e tyre dhe të hyjnë në 5 më të mirët e Europës. “Të dy janë mirë dhe unë kam besim që do të japin rezultate pozitive dhe të klasifikohen në 5 ose 6 vendet e para. Janë të pestë, sportistë shumë të mirë që të gjithë mund të shkojnë në Lojërat Olimpike.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.