Sport

Briken Calja nënkampion, me medalje të argjendtë në Europian

Shtangisti shqiptar Briken Calja nuk ia ka dalë që të përsërisë veten në kampionatin europian të peshëngritjes. Në kampionatin që po mbahet në Batumi të Gjeorgjisë, Calja ka shkuar deri në vendin e dytë, duke u mposhtur nga rivali bullgar, Bozidar. Në kategorinë 71 kg, peshëngritësi 29-vjeçar ka qenë dominues në stilin e shkëputjes, duke marrë medaljen e artë duke qenë kështu pretendent kryesor për të përsëritur suksesin e vitit të kaluar.

Sportisti shqiptar kaloi me sukses provën e parë me 152 kilogramë, duke vënë trysni rivalët që në këtë garë nuk arritën ta mposhtin. Më pas edhe në provën e dytë Calja ngriti me sukses 154 kg, duke merituar medaljen e artë.

Por diskutimi ishte i ndryshëm në shtytje, aty ku Calja u mposht nga rivali i tij bullgar, që u tregua i saktë në të treja tentativat. Në provën e parë, Calja nuk ia doli të ngrinte lart shtangën e kjo kushtëzoi disi paraqitjen e tij, ndonëse në tentativën e dytë ngriti 183 kilogramë. Bullgari Bozhidar ngriti peshën 187 kilogramë për t’i marr vendin e parë në këtë stil dhe në dygarësh e duke detyruar Caljen të çonte peshën 188 kilogramë në provën e fundit. Por Briken Calja nuk ia arriti të realizonte këtë peshë dhe u desh të kënaqej me medaljet e argjendta pas asaj të artë në shkëputje, teksa rivali i tij bullgar vendosi rekord europian me 192 kg.

Ky rezultat është më i dobët për Briken Caljan se ai i një viti më parë, por gjithsesi, shtangisti kuqezi mbajti premtimin, duke sjellë në Shqipëri një medalje të artë dhe dy argjendi, ndërkohë që një vit më parë fitoi 3 të arta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë