Analize

Europianët nuk besojnë më tek projekti europian

Liderët e 27 vendeve të BE u takuan muajin e shkuar në Bruksel për të gjetur një rrugëdalje nga pandemia COVID-19, takim i cili u kaloi nën një klimë të thellë skepticizmi.

Një sondazh i publikuar nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), në bashkëpunim me YouGov dhe Datapraxis, doli në përfundimin se shumica e europianëve kanë humbur besimin tek BE dhe aftësinë e saj për t’u përgjigjur në mënyrë efektive përballë krizave të mëdha.

Në disa prej vendeve anëtare të unionit, përfshi Gjermani, Francë, Spanjë, Itali dhe Austri, imazhi që del para është mjaft i zymtë: shumica besojnë se projekti europian është “thyer”, për sa i përket COVID-19, ndërsa shumë të tjerë kanë shprehur dëshirën për të pasur një përgjigje më të unifikuar përballë çështjeve globale – si edhe një qëndrim më të fortë ndaj shkeljeve të ligjeve ndërkombëtare nga shtete si Kina, Rusia dhe Turqia.

Përtej fjalëve të Ursula von der Leyen, Charles Michel, dhe krerë të tjerë të Brukselit, tashmë është e dukshme që europianët kërkojnë nga BE që të tregojë vlerat e projektit europian për qytetarët e saj – si dhe të mbrojë interesat e unionit edhe në angazhimet ndërkombëtare.

Rikthimi i vëmendjes drejt lirive themelore, si mundësia për të jetuar, punuar dhe udhëtuar lirisht, do të nxiste edhe njëherë besimin kundrejt Projektit Europian.

Ndërtimi i rolit global të BE, pas COVID-19, do të ishte një ofertë më vete. Sot, europianët ndihen të vetmuar në botë dhe janë të shqetësuar se mos përfundojnë të shtypur nga fuqi të tjera ndërkombëtare.

Në kohëra më të zakonta, europianët me shumë gjasë do i hidhnin sytë nga Shtetet e Bashkuara, dhe marrëdhënies transatlantike, për të marrë mbështetje. Por, pas presidencës së trazuar të Donald Trump, kjo marrëdhënie është ende e brishtë.

Sipas sondazhit të ECFR, edhe pse perceptimi mbi SHBA është përmirësuar që prej zgjedhjes së Joe Biden, në mbarë Europën vihet re një pikëpamje ende skeptike – ku shumë europianë e shohin Amerikën si “të thyer” politikisht, dhe se vendi nuk ndan të njëjtat vlera dhe interesa me BE.

Dhe nuk është vetëm SHBA që po pëson një rënie, por edhe Mbretëria e Bashkuar, e cila tashmë po shihet më shumë si “partner i nevojshëm” sesa aleate pas Brexit.

Ambicia e europianëve është që BE të qëndrojë në skenën globale si pishtar i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut.

Shumica e europianëve gjithashtu kërkojnë të shohin që unioni t’i përmbahet më shumë zotimeve për shpërndarjen e vaksinave, si përpara ashtu edhe si pas imunizimit të popullsisë që janë më të rrezikuar nga virusi. Pushteti i butë shihet si një pjesë thelbësore e politikave europiane.

Por, kohës për të biseduar mbi natyrën apo nevojat e sovranitetit të Europës i ka ardhur fundi: BE duhet të ndërmarrë vepra konkrete dhe të shfaqet si udhëheqës global, përpara se qytetarët ta humbasin krejtësisht besimin se kjo mund të ndodhë.

Në udhëkryq

Kjo e vendos BE, përpara takimeve të liderëve, në udhëkryq.

Teksa aftësia e unionit për të vepruar ndaj kërcënimeve që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve është vendosur në pikëpyetje nga një fushatë e ngadaltë dhe kaotike vaksinimesh, ka ende disa rrugëdalje të tjera nga kriza – por vetëm nëse liderët do të bien dakord për t’i ndërmarrë ato.

Europianët janë favor të idesë për të pasur më shumë bashkëpunim dhe vazhdojnë ta shohin anëtarësimin e vendit të  tyre në BE si diçka me vlera. Megjithatë, ndjesia e përbashkët e rrezikut pas COVID-19 nuk do të mjaftojë për ta çuar përpara projektin europian.

BE tashmë i duhet të demonstrojë se është e aftë të veprojë kur ndodhet përballë katastrofave. Sondazhi i ECFR sugjeron se parandalimi i një recesioni më të thellë ekonomik dhe lufta ndaj ndryshimeve klimatike janë dy fusha të rëndësishme ku europianët presin më shumë nga BE.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë