Treg

Euro ribie. BSH: Luhatja ka rënë, nuk është shqetësuese për ekonominë

Monedha e përbashket e eurozonës ka vazhduar trendin rënës edhe gjatë ditës së sotme ( e martë) në tregun e brendshëm valutor.

Referuar kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro është këmbyer me 123.65 lekë, duke rënë me 0,17 pikë përqindjeje nga një ditë më parë.

E hëna (dje) u çel me një euro në rënie. Monedha europiane u shkëmbye një ditë më parë sipas kursit të Bankës së Shqipërisë me 123,82 lekë kurse java e kaluar, u mbyll të prmeten me një euro që u këmbye me 124,32 lek.

Në një javë monedha e përbashkët europiane ka rënë me 5.5 lekë, duke iu afruar niveleve të mesit të marsit kur pandemia ishte në fillimet e saj në Shqipëri pas konfirmimeve të rasteve të para zyrtare.

Ndërsa një javë më parë euro këmbehej në mbi 131 lekë, niveli më i lartë në dy vjet.

Të pyetur nga Gazeta “Si” për sjelljen e euros, disa agjentë të këmbimit valutor në kryeqytet ia faturojnë masave të marra nga qeveria për shkak të pandemisë.

“Euro pësoi rritje të shpejtë pas datës 19 mars nga urdhrat e qeverisë që ndaluan shumë fluturime. Punonjësit tanë sezonalë disa nuk punojnë, të tjerë që janë kthyer janë pa para. Kanë humbur vendet e punës dhe nuk ka remitanca. Kush e ka mendjen të dërgojë para në Shqipëri?! Pashkët ishin anormale; për shkak të situatës, nuk erdhi asnjë emigrant. Kështu që nisi të bjerë ndjeshëm euro”, shpjegon Agimi, një agjent i këmbimit valutor.

Për Bankën e Shqipërisë rënia e euros në tregun e brendshëm nuk përbën shqetësim thelbësor që të ndikojë në ekonomi.

“Nëse e krahasojmë me periudhën para fillimit të pandemisë, euro është forcuar, ndërsa nëse e krahasojmë me periudhën direkt pas panikut fillestar të pandemisë, euro është dobësuar. Gjatë kësaj periudhe të shkurtër, kemi një korrektim të tij pas mbireagimit të parë si dhe nga raportimet ditore evidentohet një rënie relative më e madhe e kërkesës për valutë krahasuar me ofertën e saj. Luhatjet e kursit të këmbimit gjatë javëve të fundit kanë dëshmuar pasigurinë e shtuar pas përhapjes së pandemisë. Një situatë e ngjashme vërehet edhe në vendet e tjera të cilat zbatojnë një regjim të lirë të kursit të këmbimit. Në afatin e shkurtër, tregjet valutore janë subjekt emocionesh dhe perceptimesh dhe goditjet në kursin e këmbimit janë kalimtare dhe vetë-korrigjuese. Rrjedhimisht, ato nuk ndikojnë në mënyrë të qenësishme bilancet e agjentëve ekonomikë dhe ekonominë në tërësi”, sqaron për Gazetën “Si” Banka e Shqipërisë.

Aktualisht, informon BSH, tregu valutor ka ardhur drejt stabilizimit, luhatja e kursit ka ardhur në rënie dhe nuk vërehen pozicionime të njëanshme të operatorëve të tregut.

Luhatjet afatshkurtra në tregjet valutore, shpjegon Banka Qendrore, janë kalimtare dhe nuk lënë gjurmë në ekonomi. Në të kundërt, kur lëvizjet në kursin e këmbimit janë të drejtuara nga faktorë fondamentalë atëherë ato impaktojnë ekonominë nëpërmjet eksporteve, fuqisë blerëse të huamarrësve në valutë të pambrojtur nga kursi dhe çmimet nëpërmjet ndikimit në shportën e mallrave të importit.

Banka sqaron dhe rikujton se ndërhyrjet e saj në tregun valutor kryhen për shmangien e çrregullimeve të tregut të brendshëm valutor; për përshtatjen e kursit të këmbimit me nivelin e përcaktuar nga faktorët bazë makroekonomikë dhe për rritjen ose uljen e rezervës valutore.

Sipas Bankës asnjë nga këto kushte nuk gjen terren në kushtet që po flasim.

“Përveç sa më sipër na duhet të ritheksojmë përsëri që Banka e Shqipërisë zbaton  politikën e një regjimi të lirë të kursit të këmbimit dmth është tregu ai që përcakton nivelin me të cilin do të këmbehen monedhat, e bazuar kjo në kërkesën dhe ofertën për të”, përfundon BSH sqarimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë