Mendim

Është grevë në emër të Bukës

Nga Suadela Balliu-Ndërsa gratë zvicerane protestonin vitin e kaluar për më shumë para, kohë dhe respekt dhe ato polake pak ditë më parë kanë bllokuar rrugët e Varshavës në kundërshti të ligjit që ndalon abortin, në  Shqipëri gratë hyjnë në grevë urie për bukën e gojës. Asnjë kuptim figurativ, veç synimit parësor mbijetesës.

Në të gjashtëmbëdhjetën ditë, kur fuqitë e tyre mpaken dita-ditës, pas thirrjeve që i kanë bërë çdo gruaje në Kuvend e në selitë diplomatike, gratë naftëtare nuk dorëzohen deri në marrjen e pagave të prapambetura.

Ndërsa presin të ulen në bisedime e të negociojnë me kreun e qeverisë, ky i fundit u është drejtuar me mesazhe në Twitter se greva është pengesa e vetme për ta arritur këtë.

“Mbyllni grevën dhe unë do jem aty menjëherë! – shkruante  Rama, ndërsa e di se greva është jo vetëm mjeti demokratik i rezistencës, por edhe i fundmit që u ka mbetur në dorë pas një sërë protestash që naftëtarët bënë, para se të hiqnin dorë nga të ushqyerit.

Kërkesat e burrave dhe grave punëtorë të Rafinerisë së Ballshit ishin vetëm dy: shlyerja e pagave të prapambetura dhe rifillimi i punës.

Si pjesë e  Lëvizjes së Dhjetorit- ku pa studentë dhe kolegë pedagogë  të hynin në greve urie -, kryeministri e njeh fuqinë e ndryshimit që ka ajo, edhe për të rrëzuar regjime.

Përmes grevës së urisë, gratë fituan të drejtën e votës. Nga burgu, gratë të ashtuquajtura suffragette- aktivistet britanike për të drejtën e votës së gruas,  hynë në grevë urie. Me të njëjtat mjete e fituan të drejtën e votës edhe gratë në Amerikë.

Por kërkesat e grave naftëtare – edhe pse politika është përfshirë me opozitën që akuzon qeverinë për sjellje kriminale me ta – nuk kanë lidhje me politikën.

“Ne nuk jemi këtu për politikë. Ne nuk na ka kërkuar njeri votat. Këtu kanë ardhur për mbështetje. Greva jonë është e qartë: lekët”, deklaronte një grua greviste, ndër dhjetë që hynë duke zëvendësuar kolegët e tyre burra, pas  18 ditësh greve urie. Disa syresh për shkak të komplikacioneve përfunduan në spital.

Të mos gënjeheshin “nga krokodilët që lotojnë e duan t’i përdorin kundër qeverisë”, shkruante Rama, duke shtuar se qeveria nuk mund të ulej në bisedime me presion apo me ultimatume.

“Grevat bëhen për t’u dëgjuar, jo për të marrë me zor atë që ke në mendje”, thoshte kryeministri por duke kthyer kokën pas studentët dhjetoristë me gjithë  takimet me presidentin e asokohe Ramiz Alia nuk u ndalën tek bisedimet... Por edhe ca më vonë, në mes të Bulevardit, Partia Socialiste e udhëhequr nga Rama do të futej në grevë urie, ndërsa kërkonin njëzëri kryeministrit të kohës Berisha “Hap kutitë, ose largohu!”

Ish- deputetja demokrate, Albana Vokshi i bënte thirrje kryeministrit të hiqte dorë nga presionet mbi grevistet, ndërsa thoshte se “më 17 shtator, naftëtarët e Ballshit ishin para dyerve të qeverisë në Tiranë për të kërkuar dialog. Edi Rama nuk i përfilli. I la burra e gra të pashpresë me arrogancën e një kryeministri që nuk di çfarë do të thotë të mos kesh mundësi t’u japësh darkë fëmijëve. Gratë greviste në Ballsh janë në të drejtën e tyre.”

Edhe në një vizitë të kryetares së LSI-së në Ballsh, e cila krahasonte grevën e urisë me djegien e mandateve parlamentare vitin e kaluar,  naftëtaret thoshin se nuk donin teserë partie, por, të ushqeheshin. ‘Sot diskutohet buka”, thoshin ato.

Më 2008-n ishte bashkëshorti i zonjës Kryemadhi, sot president i vendit, që hynte në grevë urie brenda Parlamentit, mbi ndryshimet kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor, si marrëveshje mes PS dhe PD.

Deputetja Rudina Hajdari u premtonte se zërin e tyre do ta çonte edhe tek ndërkombëtarët, por vetë gratë greviste i kanë bërë thirrje ambasadores së ShBA, Yuri Kim dhe asaj të Suedisë, Elsa Hastad, e njohur si mbrojtëse për të drejtat e njeriut dhe veçanërisht ato të grave.

Me zë të mekur, me receta mjekësore në duar, të pafuqishme, edhe ato kishin pritur që çështja të gjente zgjidhje më herët. Duke iu kthyer tetorit, si muaji kur nisi greva e tyre, por edhe ndërgjegjësimi ndaj kancerit të gjirit, disa deklaronin se mes grevisteve  kishte gra që vuanin nga ky kancer. Thirrjet e kryeministrit,  i shohin jo serioze dhe mendojnë ta vazhdojnë rezistencën. Të  gjendur, ndoshta edhe pa e kërkuar, në mes të akuzave e sulmeve politike nga të dy palët ajo çka duan është t’u kthehet vendi i punës dhe pagat 13 pagat që i kanë fituar të drejtën me vendim gjyqësor , ndërsa fëmijët në shtëpi presin bukën e përditshme.

Ajo që propozon kryeministri është ndihma me asistencë sociale, duke argumentuar se fabrika që tanimë nuk punon, nuk është në duart e shtetit. “Ata duan pagat, por nuk mundet që meqë kompania private i la në rrugë të protestosh ndaj shtetit”, thoshte kryeministri nga parlamenti. Por duke ia lënë privatit përgjegjësinë- i falimentuar, në borxhe dhe pa shlyer detyrimet ndaj punonjësve - shteti nuk mund të lajë duart nga përgjegjësia që ka si rregullator, por edhe si sigurues i mirëqenies sociale për sa kohë bëhet fjalë për taksapagues. Ashtu si edhe me protestën e studentëve dy vjet më parë, kryeministri përsërit refrenin e bisedimeve. Por ndërkohë gjendja e grevisteve rëndohet çdo ditë që kalon.

Grevat e urisë si mjet rezistence për qëllime politike marrin gjithnjë jehonë, ndërsa ato në emër të mbijetesës dhe bukës mbeten të margjinalizuara, ashtu si edhe jetët e naftëtarëve apo minatorëve, që buka shpesh i çon edhe të lënë jetën brenda galerive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë