Ne rrjet

Escobar flet për marrëdhëniet me Albin Kurtin: Mbetet partneri ynë, edhe pse ndonjëherë është i vështirë

“Kryeministri Albin Kurti është partneri ynë, edhe pse ndonjëherë është një bashkëpunëtor i vështirë, ai vazhdon të mbetet një partner”, është shprehur emisari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në një intervistë për Institutin për Politikën dhe Ekonominë e Europës Juglindore, Escobar ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë partner i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Më duhet ta bëj të qartë. Albin Kurti është partneri ynë. Ai ndonjëherë është një bashkëpunëtor i vështirë, por ai mbetet një partner. Kosova është partneri ynë”, ka theksuar Escobar.

Sipas tij, nëse SHBA-ja do të kishte ndonjë rol në vendimmarrje sa i përket integrimit të rajonit në Bashkimin Europian, atëherë i gjithë rajoni do të ishte brenda BE-së deri në vitin 2030.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të advokojnë për përparimin e Ballkanit Perëndimor dhe ta shohin atë si një zonë me mundësi të jashtëzakonshme që duhet të integrohet plotësisht në Bashkimin Evropian”, u shpreh Escobar.

Ai shton se për SHBA-në, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë me mundësi të jashtëzakonshme.

“Ne vazhdojmë të mbesim të angazhuar në Ballkanin Perëndimor. Për qeverinë e Shteteve të Bashkuara, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë me mundësi të jashtëzakonshme. Karakteristika përcaktuese e Ballkanit Perëndimor për momentin është rritja ekonomike dhe potenciali i lartë ekonomik. Rajoni ka potencialin për të qenë lider në IT, transport, energji, infrastrukturë, transport dhe madje edhe turizëm. Rajoni ka një fuqi punëtore të talentuar dhe relativisht të re. Kështu që ne do të vazhdojmë të investojmë në këtë drejtim dhe shpresojmë se investimi në të ardhmen e rajonit do të ndihmojë për të kapërcyer disa nga problemet politike”, ka shtuar ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë