Kosova

“Asociacioni, çelësi i rikuperimit të marrëdhënieve me Amerikën”

Analistët politikë në Kosovë e shohin formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe si çelësin e rikuperimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimin Evropian (BE). Ndonëse vlerësojnë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë ndoshta shumë shpejt dhe se duhet kohë e përpjekje e vazhdueshme.

Profesori universitar Dritëro Arifi, shprehet se rikuperimi i marrëdhënieve me Amerikën e BE-në mund të bëhet vetëm me formimin e Asociacionit, sipas tij, për këtë duhet një vullnet politikë për ta bërë këtë. “Mundemi me çdo kryeministër tjetër nëse elita politike në Kosovë e ka një qëndrim të definuar për çështjen e Marrëveshjes së Ohrit, prandaj ende nuk kemi qëndrim të definuar a dëshirojmë apo nuk dëshirojmë ta bëjmë Asociacionin. Këtu është problemi i vetëm i Kosovës, të tjerat janë pasoja, të tjerat nuk janë problem i Kosovës janë probleme të cilat Perëndimi nuk po e ka një gjuhë që ta zgjidhë problemin e Kosovës. Po Kosova e ka veç një obligim, që ta formojë Asociacionin, nëse dëshirojmë ta formojmë. Por kjo varet nga vullneti politik i elitës politike. Pra nëse ka vullnet, Kosova i rikuperon të gjitha problemet që i ka sidomos me ShBA dhe BE-në”, tha Arifi.

Dritëro Arifi

Ai theksoi se serbët në Kosovë kanë të drejta më shumë nga çdo pakicë tjetër në Evropë, por këto të drejta i keqpërdor. “Absolutisht është problemi kryesor, sepse nuk ka pakicë e cila i ka të gjitha këto të drejta dhe i keqpërdor. Pra, është i vetmi vend në Evropë që edhe ka drejta më shumë edhe keqpërdoren”, thotë Arifi.

Sipas analistit politik, Arbnor Sadiku, ka pasur një çarje të raporteve ndërkombëtare midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Është e vërtetë që kemi pasur një çarje të raporteve ndërkombëtare midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për faktin që Kosova në një farë forme besimin e dhënë nga ShBA e ka marrë si të mirëqenë dhe si një shabllon, i cili do të vazhdojë në vazhdimësi pavarësisht veprimeve tona të brendshme që reflektojnë në politikën e jashtme dhe në politikën ndërkombëtare”, tha Sadiku.

Arbnor Sadiku

“Kjo u pa që ka qenë një perceptim i gabuar sepse ShBA nuk kanë me asnjë vend raporte miqësore të përhershme, por kanë më tepër realizim të interesave qoftë të politikës ndërkombëtare, qoftë edhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor”, tha ai. Sipas Sadikut, rikuperimi i marrëdhënieve nuk do të jetë i menjëhershëm, por së paku do të duhet të plotësohen kërkesat e ShBA-së e BE-së që të paktën Kosova të mos dëmtohet edhe më shumë.

“Ajo që vërehet deri më tani është që ka pasur një dëm, ai është shkaktuar nga vetë Kosova. Rikuperimi i tij do të mund të bëhej jo i menjëhershëm, por së paku që të arrihej një marrëveshje për këto tri pikat që i ka kërkuar bashkësia ndërkombëtare. Praktikisht unë mendoj që Kurti do ta ketë të vështirë që t’i rikuperojë dhe ta fitojë besimin e menjëhershme të ShBA-ve, por në rast se arrin një marrëveshje, konsideroj që të paktën Kosova nuk do të arrijë që të dëmtohet më tej”, tha Sadiku. /EO


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë