Lajme

Kurti thirrje ndërkombëtarëve: Të intensifikohet dialogu për zbatim të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të intensifikojnë dialogun për zbatim të marrëveshjeve të 27 shkurtit në Bruksel dhe të 18 marsit në Ohër.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje këtë të diel, Kurti ka thënë se Kosova u qëndron pas politikave dhe vlerave demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Por rruga për shtensionim në veri, sipas tij, duhet të nisë me largimin e bandave kriminale nga atje.

“Kosova u qëndron pas SHBA-së dhe BE-së në tërë kuptimin e fjalës, në politikën anti-Putin dhe në vlerat demokratike. Është aleat i pakompromis. Rruga përpara për deskalim të situatës në veri do të thotë ndalimi i menjëhershëm i dhunës nga bandat kriminale ndaj policisë, NATO-s, gazetarëve dhe kryetarëve. Në përputhje me situatën e sigurisë, me largimin e këtyre bandave dhe arrestimin e tyre, prania e policëve mund të zvogëlohej në mënyrë proporcionale. Dialogu për zbatimin e marrëveshjeve të 27 shkurtit dhe 18 marsit duhet të intensifikohet. Kemi nevojë për sekuencim të balancuar dhe të drejtë të marrëveshjes bazike”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka theksuar se deri në zgjedhjet e hershme në komunat veriore, kryetarët e tanishëm duhet ta ushtrojnë detyrën e tyre, ndërsa u ka bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje.

“Këta [kryetarët e tanishëm] kanë marrë pak vota, po të tjerët s’kanë marrë aspak vota. Serbët duhet të dalin në zgjedhje dhe jo të bojkotojnë. Zgjedhjet duhet të jenë të lira, të hapura, pa frikë, pa kërcënime, pa banda kriminale”, ka deklaruar ai.

Kurti ka përsëritur edhe një herë që objektet komunale janë ndërtesa që i përkasin Republikës së Kosovës dhe jo të një etnie.

“Në Mitrovicë, Atiq po e konsolidon kabinetin e tij. Drejtorët nuk i ka vetëm shqiptarë. Edhe Hetemi e ka një nënkryetare serbe, ashtu si në Zveçan. Unë e kam ministër Nenad Rashiqin dhe kam bashkëpunim të mirë. Nuk është e drejtë të insistohet nga kushdo qoftë që në komunat veriore të ketë vetëm kryetar serb dhe të hyjë në objektet komunale vetëm kryetari serb. Ndërtesa është e Republikës. Nuk ka asnjë ndërtesë publike në Republikën e Kosovës ku mund të hyjë vetëm një etni. Ashtu i bie që ndërtesat të jenë segragacion, aparteid. E kemi përjetuar në shekullin e kaluar, nuk duam ta përjetojmë në këtë shekull. Jo për inat të ndokujt, por për hir të Republikës”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se dhuna në veri zgjati për dy ditë e gjysmë. Sipas tij, dhuna në komunat veriore zgjat për aq sa janë urdhrat e Beogradit.

“Ditë të qeta janë ato ditë ku nuk ka urdhër për dhunë nga Beogradi. Kjo tregon shumë qartë raportin shkak-pasojë”, ka shtuar ai.

Kurti ka lavdëruar për punë profesionale Policinë e Kosovës, ndërsa ka treguar një bisedë në telefon që ka pasur me kryetarin e Leposaviçit, Lulzim Hetemi, i cili po qëndron në objekt komunal që prej dy javë.

"E thirra në telefon me e pyet mos është mërzitur në zyrë. Kur e hapi, ai ishte i brengosur mos isha mërzitur unë. Unë isha i shqetësuar mos po lëshon pe ai, ai ishte i shqetësuar mos po lëshoj pe unë. Prandaj biseda në vazhdim ishte shumë e këndshme", ka treguar duke qeshur Kurti.

Serbët në veri po protestojnë prej dy javësh, që kur u synua që në objektet komunale në katër komunat veriore të hynin kryetarët shqiptarë. Ditët e para të protestës ishin të tensionuara, madje pati edhe të lënduar nga radhët e KFOR-it. Por ditëve të fundit, numri i protestuesve është ulur dhe ato janë të qeta.

Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës, ndërsa kanë fajësuar Kosovën për zhvillimet e fundit. /koha


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë