Ne rrjet

Evropa Qendrore-Lindore është prekur nga më shumë se 50 incidente sigurie jo-tradicionale që nga tetori

Në ditët e fundit është raportuar gjithnjë e më shumë për incidente të tilla si: ngrohja e frigoriferëve nëpër supermarkete deri në 50 gradë nga hakerët, shkatërrimi i anijeve me drithëra nga dronët në Detin e Zi, si dhe mungesa e ujit në pellgun e Karpateve, e cila rrezikon turizmin, bujqësinë dhe furnizimin me energji elektrike. Ngjarje të këtij lloji, të shkaktuara përmes metodave që dalin jashtë kornizave të luftës klasike, janë bërë më të shpeshta gjatë muajve të fundit.

Studiuesit e Grupit Kërkimor për Sigurinë Globale, pjesë e Institutit të Studimeve Globale në Universitetin Corvinus të Budapestit, kanë regjistruar më shumë se 50 sfida të ashtuquajtura të sigurisë jo-tradicionale në Evropën Qendrore dhe Lindore që nga muaji tetor.

Drejtuesi i grupit thotë se rajoni po goditet njëkohësisht nga pasojat e ndryshimeve klimatike dhe nga lufta në Ukrainë.

“Nuk do të thoja se ky rajon dallohet domosdoshmërisht në mënyrë të veçantë nga të tjerët, por është i rëndësishëm në këtë aspekt për shkak të cenueshmërive të tij specifike,” thotë Peter Marton.

Marton vuri në dukje sfidat demografike, infrastrukturën kritike të vjetruar dhe një nivel varësie energjetike që është i konsiderueshëm krahasuar me rajonet e tjera.

“Kjo e bën të arsyeshme t’i kushtohet vëmendje e veçantë këtij rajoni,” tha ai.

Marton, profesor i asociuar në Universitetin Corvinus, u shpreh se aktorët shtetërorë janë përgjegjës për më shumë se gjysmën e incidenteve që ekipi ka evidentuar.

“Duke përdorur mjete ushtarake- madje edhe në mënyra që mohohen plotësisht- mund t’u shkaktohet dëm të tjerëve përmes metodave jokonvencionale,” tha ai, duke përmendur rastin e Detit të Zi, ku janë dëmtuar dhe mbytur anije.

“Është veçanërisht e trishtueshme të shohësh humbjen e dërgesave të konsiderueshme të drithërave, në një kohë kur gjendja e furnizimit global me ushqim është gjithçka tjetër veçse inkurajuese. Vetëm dje, një dërgesë prej 3 000 tonësh metrikë drithë humbi së bashku me një anije në ujërat territoriale bullgare.”

Lufta hibride e Rusisë zë një vend të rëndësishëm në lajme, por ajo nuk është i vetmi shtet që vepron në Evropë. Franca, për shembull, e ka akuzuar Iranin se ka kryer një sulm kibernetik ndaj sistemeve të ftohjes në supermarketet e saj.

Sipas Marton-it, një rol të madh luajnë edhe aktorët jo-shtetërorë.

“Pas verës së vitit 2026, është e lehtë të kuptohet se çfarë lloj kërcënimi mund të paraqesë ndryshimi i klimës, ose çfarë rreziku mund të sjellë për ekonominë varësia nga energjia dhe mbështetja te importet e saj,” tha ai.

Ai shtoi se krimi i organizuar, terrorizmi dhe shumë faktorë të tjerë hyjnë gjithashtu në kategorinë e sigurisë jo-tradicionale.

Studiuesit planifikojnë ta zgjerojnë dhe ta përditësojnë rregullisht bazën e të dhënave, si dhe të nxjerrin përfundime prej tyre brenda pak muajsh. Ata shpresojnë se vendimmarrësit do të mund t’i përdorin këto gjetje për t’u mbrojtur më efektivisht ndaj kërcënimeve jo-tradicionale, ose të paktën për t’i kuptuar ato më mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë