Bota

Turqi, Erdogan kundër hyrjes së Finlandës dhe Suedisë në NATO

Gazeta Si - Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, është kundër hyrjes së Finlandës dhe Suedisë në NATO.

Ai tha se nuk kishte një "mendim pozitiv" për anëtarësimin dhe akuzoi vendet skandinave për armatosjen e kriminelëve militantë kurdë.

“Ne po ndjekim zhvillimet në Suedi dhe Finlandë, por nuk kemi një opinion pozitiv, sepse ata bënë një gabim në lidhje me aplikimin në NATO, siç ka bërë edhe Greqiq”, tha Erdogan duke folur para gazetarëve pas faljes së namazit të së premtes në Stamboll.

"Përveç kësaj, vendet vendet skandinave u ofrojnë mikpritje organizatave terroriste", - shtoi ai.

Reagimi i Turqisë është zëri i parë kundër brenda NATO-s mbi perspektivën e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në Aleancën Atlantike.

Për të qenë pjesë e NATO-s, një vend duhet të autorizohet nga Parlamenti i tij përpara se të paraqesë aplikimin zyrtar.

Përveçse duhet të jesh shtet në Evropë, ka edhe disa kërkesa politike dhe sociale që duhen paraqitur si provë e të qenit një demokraci e lirë.

Por pranimi në NATO është subjekt i dritës jeshile nga të gjitha vendet anëtare, siç thuhet në nenin 10 të statutit.

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), u themelua në vitin 1949 pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe në fillim kishte 12 vende anëtare, të konsideruara si themelues të saj.

Aleanca, e njohur edhe si Pakti Atlantik, ka përjetuar disa faza zgjerimi. Greqia dhe Turqia u pranuan në vitin 1952, Gjermania Perëndimore në 1955-ën, Spanja në 1982-in.

Vrulli i zgjerimit u rinovua pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe shpërbërjes së Paktit të Varshavës.

Ribashkimi i Gjermanisë solli gjithashtu territoret lindore të vendit në Aleancë në vitin 1990.

Moska argumenton se gjatë këtij tranzicioni, SHBA dhe NATO do t'i kishin garantuar udhëheqësit sovjetikë se Aleanca nuk do të zgjerohej më tej në lindje.

Por nuk ka asnjë dokument që vërteton këtë premtim dhe besohet se marrëveshja i referohej vetëm Gjermanisë Lindore (rënia e BRSS në atë fazë ishte ende e paimagjinueshme).

Ndërsa Rusia tani pretendon se kalimi ishte më i gjerë dhe sigurisht përfshinte edhe Poloninë.

Në Samitin e Uashingtonit të vitit 1999, Hungaria, Polonia dhe Republika Çeke, iu bashkuan Aleancës.

Në Samitin e Stambollit të vitit 2004, radha u takoi shtatë vendeve të tjera: Bullgaria, Rumania, Sllovenia, Sllovakia, si dhe Lituania, Letonia dhe Estonia (tre vendet baltike që ishin pjesë e BRSS).

Në vitin 2009 ishte radha e Shqipërisë dhe Kroacisë, në 2017-ën Mali i Zi dhe në 2020-ën Maqedonia e Veriut.

Në samitin e Bukureshtit të vitit 2008, u vendos që një ditë Ukraina dhe Gjeorgjia mund t'i bashkoheshin aleancës, ndërsa në vitin 2010, Bosnja dhe Hercegovina u ftua në Planin e Veprimit të Anëtarësimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë