Shendet

Epilepsia / Cilat janë shkaqet, si ta njohim dhe si t’i vijmë në ndihmë të sëmurit

Historia fatmirësisht me një fund të lumtur, e cila përfshiu së fundmi një vajzë 6-vjeçare në Itali, që përjetoi një krizë të fortë epileptike teksa ishte në shkollë, hedh dritë mbi një patologji nga e cila vuajnë të paktën 65 milionë njerëz në të gjithë botën.

Vajza arriti të shpëtojë falë aftësisë së operatorëve të urgjencës që i udhëzuan si duhet mësuesit përmes telefonit, teksa ata prisnin mbërritjen e ambulancës.

Federico Vigevano, shef i departamentit të paaftësive zhvillimore në spitalin San Raffaele dhe një neurolog, është ndër ekspertët kryesorë mbi epilepsinë në vendin fqinj. Ai shpjegon në mënyrë të qartë dhe të detajuar se për çfarë bëhet fjalë.

Çfarë është epilepsia

Epilepsia është një çrregullim kronik i trurit, tipari karakteristik i të cilës është fillimi i krizave spontane dhe të përsëritura. “Është më korrekte të flasim për disa epilepsi. Ndër shkaqet janë ato me origjinë gjenetike, për shkak të deformimeve të lindura apo të fituara të trurit.

Por ka epilepsi të shkaktuara nga sëmundje progresive, me simptoma klinike dhe evolucione krejtësisht të ndryshme”- shpjegon profesori. Tipari më i zakonshëm i krizës epileptike është “një shkarkesë elektrike jonormale në trurin tonë, e cila mund të prekë një pjesë të tij ose të gjithë trupin”.

Cilat janë shkaqet e saj

Ekspertët shpjegojnë se arsyet se përse një pacient, i ri apo i moshuar përjeton epilepsi, janë të shumëfishta. Kjo sëmundje mund të shkaktohet nga faktorë gjenetikë apo edhe nga disa dëmtime që truri ka pësuar nga traumat edhe para lindjes, që quhen prenatale (trauma gjatë lindjes, nga mungesa e oksigjenit).

Kjo patologji e ka origjinën edhe tek zhvillime jonormale të trurit, si dhe tek dëmtimet e tij të shkaktuara nga trauma, por edhe për shkak të infeksioneve (meningjiti, encefaliti dhe neurocisticerkoza), goditjet në tru dhe tumoret e trurit.

Çfarë ndodh gjatë një krizë epileptike

Profesor Vigevano, shpjegon se nga pikëpamja klinike pacienti mund të shfaqë një humbje afatshkurtër të vetëdijes, e cila nuk kërkon ndonjë ndihmë të veçantë.

“Megjithatë, kur ai përjeton krizën klasike në të cilën bie përtokë, humbet vetëdijen, trupi i personi ngurtësohet dhe dridhet, lëkura mund t’i mavioset, pasi në atë moment i ndalet frymëmarrja, atëherë duhet të qëndroni pranë pacientit.

Ai duhet pozicionuar në krah, për të shmangur lëndimin nga dridhjet. Po ashtu, duhet të shmangim edhe manovrat e tepërta gjatë ndërhyrjes si hapja e gojës, sepse ky veprim është absolutisht i kotë”- nënvizon ai.

Kriza përfundon spontanisht brenda 1 deri 2 minutash, dhe pacienti do të fillojë të marrë frymë sërish. Neurologu thotë se një krizë e tillë epileptike është shumë e fortë, por nuk lë dëme në tru. Që të shkaktojë dëme, ajo duhet të zgjasë gjysmë ore, dhe raste të tilla janë shumë të rralla.

Cilat janë trajtimet

Termi epilepsi rrjedh nga greqishtja, dhe do të thotë “të befasohesh”, dhe këtu qëndron edhe  problemi kryesor i krizave epileptike: paparashikueshmëria e tyre. Profesor Vigevano shpjegon se 70 për qind e pacientëve, arrijnë të kontrollojnë konvulsionet nëpërmjet terapisë anti-piretike.

Ndërkohë 30 për qind e rasteve të tjera, mund të përfitojnë nga terapi të tjera si operacioni kirurgjikal, nëse një epilepsi është e tipit fokal, por edhe nëpërmjet një dietë ketogjenike apo stimulimi të nervit vagus.

“Procesi i diagnostikimit në këtë fushë, bazohet në një mbledhje të kujdesshme të historisë mjekësore të pacientit, dhe më pas kalohet në fazën diagnostiko-instrumentale me Elektroencefalogramën, e cila ka një rol parësor, pasi na lejon të studiojmë se si funksionon truri”- thekson eksperti.

Rëndësia më e madhe për studimin e plotë të origjinës së krizave epileptike është neuroimazhi, që studion mënyrën se si është ndërtuar truri, si dhe për të zbuluar nëse janë të pranishme dëmtime të caktuara, të lindura apo të shkaktuara më vonë.

“Nëse dyshojmë për një origjinë gjenetike të problemit, atëherë do të bëjmë hetime gjenetike. Nëse dyshojmë për një origjinë metabolike, do të bëjmë hetime në këtë fushë. Për një diagnozë të saktë duhet kryhen një sërë analizash komplekse”- përfundon neurologu.

Burimi: Il Giornale. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë