Do flas dhe unë

Emigranti stoik i protestës

Sabina Veizaj- I veshur me xhinse, xhup dhe berretë ngjyrë ushtarake, mbathur atlete, një vath në veshin e majtë dhe një çantë shpine ngjyrë bordo në njërin prej xhepave të së cilës shquan ushqim të paketuar me letër alumin, prej 10 ditësh Sotiraq Jahja ndjek në mënyrë stoike protestën e studentëve në Tiranë.

Ai është emigrant në Greqi, Athinë prej gati 30 vitesh dhe erdhi në Tiranë për disa punë të tijat personale në ditët e para të dhjetorit, kur mësoi për protestën e studentëve.“ Kam punuar në Shqipëri dhe marr një pension100 mijë lekë të vjetra. Në Athinë unë kam një sipërmarrje të vogël me tim bir.Kënaq fëmijët me lekë xhepi, i jap gruas për gatim. Dal vetë dhe më ngelen edhepër të hequr mënjanë. Këtu njerëzit janë të dëshiruar për të ngrënë. Diskutohetende ushqimi. Të mos ngopesh me bukë në vitin 2018. Është mjerim”- thotë i revoltuar Sotiraqi.
Është e disata herë që bisedoj me Sotiraqin gjatë këtyre ditëve që ka marshuar sëbashku me studentët sa tek Ministria, tek Parlamenti dhe tek Kryeministria.
Sa më shumë studentë shikon në shesh, aq më shumë emocionohet Sotiraqi dhe flet duke iu mbushur sytë me lotë.

Sotiraq Jahja në ditën e 9 të protestës përpara kryeministrisë 
me mikun e tij Aulon Kalaja.

“E para dua të mbështes me sa kam mundësi të gjithë studentët. Që duke na parë neve, marrin një forcë, kuptojnë (kam emocione) që kanë prindërit nga mbrapa. Vetëm ne mund t'i mbështesim. Para çdo prindi është fëmija. Jam këtu për të pritur kurorëzimin e fitores.”- më thotë Sotiraqi duke iu dridhur zëri nga emocionet. Sytë i lagen dhe kafshon buzën.
Ai më rrëfen se çfarë i ka bërë përshtypje këto ditë proteste.

“Këto ditë kam vënë re solidaritetin e studentëve. Dëshira e madhe për të fituar të drejtat e shkelura, urtësia, sjellja qytetare e tyre. Nëpër vendet e botës nuk ka sjellje të tilla qytetare nëpër demonstrata. Çfarë gjejnë në rrugë godasin. Vendosmëria e studentëve që duan patjetër të fitojnë dhe kanë të drejtë. Populli që i mbështet. Më bëri përshtypje kur kemi marshuar në rrugë me studentët, ka ndaluar trafiku dhe drejtuesit e makinave duartrokisnin duke na mbështetur dhe përshëndetur. Emocionohesh sepse shikon një rini që do më mirë. Priti kaq vjetë dhe mendonin se do të bëheshin si gjithë Europa, por prapë po thërrasin sërish si 30 vite më parë. Që prapë nuk iu besohet e nuk na besohet se si ka mundësi po njësoj, prapë ato thirrje, prapë duam të shkojmë tek Europa.”

Sotiraq Jahja tek Ministria e Arsimit disa ditë më parë

Sotiraqi mendon se kryeministri është shumë i vonuar për plotësimin e kërkesave. Për të, studentët po kërkojnë gjërat më minimale.

“Kam shkolluar vajzën në Greqi. Ne që ishin emigrantë na bënë disa lëshime. Por në Greqi kanë rrogë njerëzit, kur ke rrogë iu përgjigjesh pagesave dhe tarifave. Kur nuk ke rrogë, nuk iu përgjigjesh dot. Nuk shkon dot as në shkollë. Atje paguhesh dhe i ndan paratë; këto janë për familjen, këto janë për shkollimin dhe çfarë mbeten për të kursyer. Nëse nuk mbeten, e rëndësishme është që jetojmë mirë. Ndërsa këtu të vjen djali, vajza; babi ke ndonjë 2 mijë leksh? Do ti ia jap babi 2 mijë lekëshin, por do t’ia heqë këtyre të tjerave. Bota ka të tjetra rregulla. Dhe kryeministri të mos thotë siç tha “kam bërë nja dy eksperimente dhe dështuam.” Jo ore, bëj eksperimente sa të duash, një do ta fitosh. Studentët nuk po kërkojnë luks, por gjërat më minimale të jetesës.”

Sotiraqi më tregon se ka shkuar në Qytet Studenti dhe ka parë një gjendje katasrofike, të cilën nuk e meritojnë studentët. Ato janë konvikte, thotë Sotiraqi, që unë i mbaj mend që në 70”-ën. “Është i njëjti Qytet Student. Është shtuar vetëm një konvikt i ekonomikut me tulla të bardha. Është turp.”

Sotiraqi përveçse familjes së tij të ngushtë, ka shumë njerëz jashtë, në emigracion.
“Jo vetëm familja ime në Greqi, por të gjithë refugjatët i kanë sytë këtu. Të gjithë shqiptarët atje i kanë sytë këtu sepse duan që edhe Shqipëria të jetë krahë vendeve të tjera. Duan që të kthehen dhe të gjithë moshat tona do të kthehen sepse nuk kanë vend jashtë. Duan të vdesin këtu. E mbështesin protestën, 100%. Duan një Shqipëri të mirë dhe të bukur që të vijnë si njerëz këtu. Është merakosur familja, sepse kanë frikë. Këtu nuk merret vesh se çfarë bëhet.”- thotë Sotiraqi.

Jashtë intervistës duke vazhduar bisedën më thotë se e shoqja i është bërë shumë merak dhe i kërkon të kthehet në Athinë. "Më thotë plaka, kthehu se do të hashë ndonjë plumb by…" qesh. Por më thotë se nuk kthehet. Do të qëndrojë deri në fund.

Ai nuk është fare dakord me sjelljen e kryeministrit, të cilën e quan sjellje tangërllikse, thotë Sotiraqi. “po e them tironse”.

“Oboobo sjellja e kryeministrit? Unë di gjithçka dhe asnjë tjetër nuk di gjë. Dua të flas unë, të mos flasë njeri tjetër. Në situata të vështira thotë “unë nuk di gjë”. Kryeministri është kryetari i familjes së madhe të Shqipërisë. Ai duhet ti dijë të gjitha. Dhe nëqoftëse nuk i di, nëpër intervista mos hajde vetëm, thirr pak atë kabinetin tënd të japë llogari përpara popullit dhe Minstren ta kesh në krahë. Nëqoftëse ti nuk i di shumë gjëra çfarë ndodhin atje, hajde këtu ministre, pse nuk i ke mësuar të gjitha problematikat në lidhje me arsimin dhe të mi raportosh mua të gjitha këtu? Gënjejnë të gjithë, siç gënjenin në kohën e diktaturës së egër; u bënë kaq, u realizuan kaq, Bravo Shqipëria! Fener ndriçues në Europë, por brenda ishim të kalbur. E njëjta gjë po ndodh edhe sot sepse ata që janë në politikë sot" - thotë Sotiraqi i revoltuar.

Ai ka bindjen se studentët do të fitojnë, sepse për të, kauza e tyre është e drejtë dhe nuk është vetëm e tyre , por e duan të gjithë shqiptarët. “E duan prindërit në radhë të parë, sepse prej xhepave të tyre ikin gjithë ato lekë. Nuk kanë vetëm një fëmijë student, por kanë dy e tre. Të gjithë buxhetin e familjes e ha ai që është në universitet. Studentët janë të vendosur që ta çojnë deri në fund kauzën e tyre. Nuk duhet të kthehen mbrapa, kur e nisën duhet të kishin pyetur veten mirë; do ta bëjmë? Tani që e nisën, duhet ta shpien misionin deri në fund. Nuk fitohen me lutje aspiratat, por me tundje dhëmbësh. Shiko si e bëri Franca. E nisën paqësore. Ama degraduan deri në konflikte. Nuk ka demonstratë pa konflikt. Janë njerëzit që kanë përbrenda atë llavën e vullkanit që do të pëlcasë. Pret e pret e pret dhe studentët duhet të shpërthejnë, të mos e lënë çështjen e tyre.”

Për Sotiraqin, në të tilla situata, dy janë rrugët: “Ose hiqe, ose plotëso kushtet” “Me dhunë me dhunë, vetëm bëje. Këtu nuk di kë ke në krahë, parti këndej, parti andej. Se kushdo kërkon ta shfrytëzojë. Jashtë, as burri nuk di për kë voton gruaja dhe anasjelltas. Këtu e politizojnë, e zmadhojnë, e fryjnë gjithçka. Bukë nuk kanë e merren me politikë.”- shprehet Sotiraqi shumë i revoltuar duke më thënë se dop të dalë çdo ditë në protestë derisa të gëzojë me studentët fitoren, pavarësisht se qëndrimi i tij në Shqipëri ka kosto.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë