Interviste

Eksperti Meka: Bankat shqiptare zero risk, por nuk duhet ulur vigjilenca! Korrupsioni në vend, stil jetese

Nga Gazeta 'Si'-Eksperti i Ekonomisë, njëherazi dhe Dekan në Fakultetin e Ekonomisë, Zhvillimit dhe Biznesit në Universitetin Europian të Tiranës, Elvin Meka në një intervistë për Gazetasi.al ka komentuar disa nga zhvillimet kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e bankave dhe ekonomisë.

Meka mendon se bankat shqiptare nuk kanë rrezik nga tronditja e bankave amerikane dhe ajo zvicerane ndërkombëtare.

Megjithatë, ai shprehet se nuk duhet ulur vigjilenca pasi “janë pikërisht bankat e parëndësishme ato që kanë çuar thuajse përherë buzë greminës sistemin global bankar dhe se të gjitha ndërhyrjet masive rregullatore në botën e bankingut dhe financave ndërkombëtare kanë ardhur pa diskutim pas falimentimit apo kolapsit të disa bankave, të cilat ose kanë qenë të vogla, ose pa rëndësi për sistemet e tyre kombëtare bankare, apo në rrafsh global”.

Në lidhje me detyrimin që kryeministri Edi Rama u ka bërë bizneseve për rritjen e pagës minimale, eksperti Meka gjykon se “në kushtet e një emigracioni masiv të fuqisë punëtore në vend, është tejet komplekse dhe duhet të jetë e qartë që nuk zgjidhet as me fushata politike, as me “orientime” apo detyrime apo shtrëngime administrative”.

"Janë pikërisht bankat e parëndësishme ato që kanë çuar thuajse përherë buzë greminës sistemin global bankar", shprehet Meka.

Kurse për raportin e DASH, Meka nuk sheh se ai ka sjellë ndonjë gjë të re në raport me korrupsionin në Shqipëri. Sipas ekspertit, korrupsoni në vend është kthyer në stil jetese dhe këtë e tregojnë evidencat se të rinjtë nuk preferojnë të punojnë në privat, por entuziazmohen kur gjejnë një punë në shtet nëpër ministri apo institucione të tjera të administratës shtetërore, jo për shkak të pagës, por të favoreve dhe përfitimit nga korrupsioni.

A ka ndikim në Shqipëri tronditja e bankave të huaja? Po në ekonomi në tërësi?

Dy javët e fundit kanë prodhuar ngjarje dhe lajme të cilat kishim mbi 10 vjet që nuk i përjetonim, që nga shpërthimi i krizës më të madhe financiare dhe ekonomike. Situata dhe ngjarje të tilla na rikujtojnë që bankingu mbetet ende një sektor me rreziqe jo mirë të adresuara, ose më mirë të themi jo të menaxhuara mirë në kohë.

Falimentimi i bankave amerikane, e sidomos dhe ngjarjet më të fundit lidhur me problemet madhore të bankës me qasje globale Credit Suisse, kanë prodhuar valë goditëse në sistemin bankar amerikan dhe atë evropian, goditje këto që nuk besohet se do të kalojnë kaq shpejt, apo pa pasoja në vijim.

Këto ngjarje treguan se, edhe nismat rregullatore të viteve të fundit në kuadër të Bazel III, që synuan një rregullim dhe kuadër masash më rigoroze në drejtim të mbrojtjes së sistemit financar nga shkërmoqja e bankave të mëdha dhe atyre sistemike, si dhe shmangien e përdorimit të parave të taksapaguesve për të shpëtuar bankat si shkaktare kryesore të këtyre krizave, janë të mangëta, nëse subjekt i këtyre rregullave nuk bëhen të gjithë bankat dhe nëse autoritetet rregullatorë tregohen të mefshta, të pavëmendshme dhe të vonuara në qasjen e tyre mbikëqyrëse dhe rregullatorë ndaj të gjitha banakve, qofshin kto të vogla apo të mëdha.

Autoritetet rregullatore, qofshin ato në rrafsh global, të huaja por dhe ato vendase në Shqipëri, duhet të fiksojnë mirë mësimin e vjetër se janë pikërisht bankat e parëndësishme ato që kanë çuar thuajse përherë buzë greminës sistemin global bankar dhe se të gjitha ndërhyrjet masive rregullatore në botën e bankingut dhe financave ndërkombëtare kanë ardhur pa diskutim pas falimentimit apo kolapsit të disa bankave, të cilat ose kanë qenë të vogla, ose pa rëndësi për sistemet e tyre kombëtare bankare, apo në rrafsh global. Përmbledhtazi, duhet të fiksohet mirë në memorien institucionale se financat sot janë aq të ndërlidhura në botë sa që një problem, sado i vogël në një bankë periferike, kudo në botë, sidomos në Perëndim, mund të shkaktojë tërmet dhe kolaps financiar në gjithë botën brenda pak orëve!

” Bankat në Shqipëri, për vet modelin dhe strukturën e tyre operacionale, cilësinë dhe llojin e klientëve dhe qasjen në tregjet ndërkombëtare, mund të thuhet se kanë ZERO ekspozime ndaj këtyre subjekteve dhe ngjarjeve që lidhen me to. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se duhet ulur vigjilenca ndaj zhvillimeve të reja, kryesisht në tregjet evropiane, të cilat gjithsesi kanë ndikim dhe lidhen, qoftë dhe tërthorazi me bankat në Shqipëri.”

Sa i takon ndikimit në Shqipëri të këtyre tronditjeve, mund të pohohet se bankat në Shqipëri, për vetë modelin dhe strukturën e tyre operacionale, cilësinë dhe llojin e klientëve dhe qasjen në tregjet ndërkombëtare, mund të thuhet se kanë ZERO ekspozime ndaj këtyre subjekteve dhe ngjarjeve që lidhen me to.

Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se duhet ulur vigjilenca ndaj zhvillimeve të reja, kryesisht në tregjet europiane, të cilat gjithsesi kanë ndikim dhe lidhen, qoftë dhe tërthorazi me bankat në Shqipëri. Kjo pasi në Shqipëri operojnë banka evropiane, të cilat në vendet e tyre të origjinës janë pashmangshëm të ndërlidhura me të tjera banka europiane apo globale.

Nga ana tjetër, modeli i ndërtimit të aktiveve dhe pasiveve të bankave tregtare në Shqipëri mbetet ende tradicional dhe konservator, disi larg atyre evropane dhe ameriakne, që ndihmon në menaxhimin më të mirë të rreziqeve. Gjithashtu, shkalla e përdorimit të levës financiare prej tyre është dukshëm shumë e ulët në raport me simotrat e tyre evropiane dhe amerikane, ndërkohë që përdorimi i instrumenteve të tregjeve të kapitaleve dhe angazhimet në letra me vlerë dhe produkte derivate është thuajse jooekzistent.

Me fjalë të tjera, bankingu në Shqipëri mbetet ende masivisht i pandërlidhur me botën financiare evropane dhe amerikane. Për më tepër, konservatorizmi rregullator i Bankës së Shqipërisë duket se po vijon ta mbrojë bankingun shqiptar edhe këtë rradhë, sikundër bëri në kuadër të krizës e viteve 2008-2009 ashtu dhe gjatë pandemisë COVID-19.

Lidhur me pagën minimale a është i drejtë detyrimi që i bën kryeministri bizneseve? Në këto kushte të ekonomisë së vendit a është e përballueshme nga bizneset? Si ndikon në ekonomi?

Çështja e pagës minimale në Shqipëri dhe udhëzimi politik qoftë dhe nga kryeministri, që bizneset të detyrohen të rrisin pagën minimale, në kushtet e një emigracioni masiv të fuqisë punëtore në vend, është tejet komplekse dhe duhet të jetë e qartë që nuk zgjidhet as me fushata politike, as me “orientime” apo detyrime apo shtrëngime administrative.

“Sipërmarrja shqiptare po ndeshet me realitetin e ashpër të mungesës totale të çdo lloj avantazhi tjetër, me të cilin mund të tërheqë fuqi punëtore të kualifikuar, apo të angazhohet në prodhim mallrash dhe shërbime me vlerë të lartë të shtuar, sikundër fqinjët tanë. Struktura aktuale ekonomike në vend sundohet nga biznese apo operacione që prodhojnë vlerë të shtuar të ulët, që kërkojnë fuqi punëtore me produktivitet të ulët e rrjedhimisht edhe me paga të ulëta.”

Problematika e pagave në tregun shqiptar të punës lidhet ngushtësisht me modelin ekonomik që ka vijuar të promovoje dhe zbatojë në 3 dekada politika shqiptare dhe klasa ekonomike sipërmarrëse vendase, të cilat janë kujdesur vetëm për të mbushur buxhetin e shtetit apo për pasurimin ekstrem të kësaj të fundit, duke u bazuar në të vetmin avantazh konkurrues që kemi pasur: krahun e lirë të punës.

Një qasje e tillë ka sjellë këtë strukturë ekonomike dhe mentalitet sipërmarrje, ku biznesi shqiptar jo vetëm që është jashtë çdo lloj konkurrence me bizneset e vendeve fqinje, por nuk po kupton ende se fitimi i saj nuk mund të vijojë të mbështetet më në avantazhin e krahut të lirë të punës, por te rritja e produktivitetit, rritja e investimeve në tekonolgji dhe talentet e lidhura me të.

Pra sipërmarrja shqiptare po ndeshet me realitetin e ashpër të mungesës totale të çdo lloj avantazhi tjetër, me të cilin mund të tërheqë fuqi punëtore të kualifikuar, apo të angazhohet në prodhim mallrash dhe shërbime me vlerë të lartë të shtuar, sikundër fqinjët tanë. Struktura aktuale ekonomike në vend sundohet nga biznese apo operacione që prodhojnë vlerë të shtuar të ulët, që kërkojnë fuqi punëtore me produktivitet të ulët e rrjedhimisht edhe me paga të ulëta.

Mungesa e madhe dhe gjithnjë në rritje e fuqisë punëtore, qoftë edhe me produktivitet  të ulët, ka bërë që i gjithë tregu i punës në Shqipëri të çoroditet dhe të sfazohet, lidhur me hierarkinë e pagesave, ku koncepti “produktivitet” nuk me ka thuajse asnjë lloj lidhje me nivelin e pagave në ekonomi.

Duket se tregu i punës i vënë në presion gjatë viteve të fundit por dhe në vijim, po vepron e po merr vendime në kushte krize ekzistenciale, të cilat janë përherë vendimet më të gabuara dhe që do ketë pasoja në të ardhmen.

Nga ana tjetër, përtej “pozitivitetit” që mund të ketë rritja e pagës minimale duket se kjo rritje do shkojë përtej produktivitetit natyral të punës, duke kompromentuar rëndë  nivelin e pagës mesatare dhe atë të profesionistëve të tjerë në treg (për të cilat kërkohet investim i madh në dije, arsim, shkollim dhe eksperiencë pune). Ky do të ishte një “atentat” që do i bëhej tregut të punës, shkolles dhe akademisë në Shqipëri, duke përmbysur gjithë sistemin dhe hierarkinë e çmuarjes së punës dhe dijes në vend!

Raporti i DASH lidhur me korrupsionin ne Shqipëri?

Raporti i DASH mbi korrupsionin në Shqipëri nuk sjell thuajse asgjë që nuk dihet apo nuk ndihet në vend. Korrupsioni mbetet ende endemik dhe i kudondodhur dhe mund të thuhet se përbën tashmë një stil jetese dhe pune në Shqipëri.

Aq popullor dhe fitimprurës është korrupsioni në instancat shtetërore dhe qeveritare, saqë Shqipëria përbën ndoshta rastin unik në Evropë, apo edhe në botë, ku qytetarët dhe të rinjtë nuk preferojnë të punësohen në sipërmarrjen private, por kërkojnë masivisht të punësohen në institucione qendrore apo shtetërore, jo për nivelin e pagës, por për përfitimet masive që sjell korrupsioni në to.

Sukseset në luftën ndaj korrupsionit mbeten ende minore në raport me “Goliathin” që ai përfaqëson në çdo qelizë të shtetit dhe shoqërisë shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë