Ekonomi

BSH rrit me 0.25% normën e interesit. Sejko: Tregu shqiptar shumë larg rrezikut të krizës së bankave

Banka e Shqipërisë ka vendosur të rrisë sërish normën bazë, në një përpjekje për të luftuar inflacionin, që është në nivelet më të larta të 20 viteve të fundit.

Guvernatori i BSH, Gent Sejko në një konferencë për media tha sot(23 mars) se norma bazë është rritur me 0.25 pikë përqindje duke shkuar në nivelin 3% nga 2.75%.

Sejko tha se inflacioni i lartë do pësojë rënie graduale gjatë tremujorëve në vijim dhe ai do të arrijë në objektivin e tij në mesin e vitit të ardhshëm.

“Rritja ekonomike parashikohet të qëndrojë në territor pozitiv ndonëse ritmi i rritjes parashikohet të pësojë një ngadalësim të lehtë gjatë vitit aktual. Këto projeksione janë të kushtëzuara nga materializimi i pritjeve të tregjeve ndërkombëtare për një reduktim progresiv të inflacionit dhe një frenim të përkohshëm të ritmit të rritjes në partnerët tanë tregtarë.”

Sejko tha se tregjet e brendshme financiare vijojnë të mbeten të qeta dhe të transmetojnë normalizimin e deritanishëm të qëndrimit të politikës monetare, si në vend dhe në botë. 

“Normat e interesit kanë shënuar rritje në të gjithë harkun e produkteve financiare, ndërkohë që yield-et e letrave më vlerë të qeverisë kanë rënë, duke pasqyruar më mirë lëvizjet e deritanishme të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.

Po ashtu, kursi i këmbimit të lekut ndaj monedhave kryesore ka vijuar të shfaqë tendenca mbiçmimi, në përgjigje të përmirësimit të bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë si dhe të ruajtjes së atraktivitetit relativ të instrumenteve financiare në lekë. Së fundi, ndonëse në ngadalësim, kredia për sektorin privat ka vijuar të zgjerohet, duke mbështetur zgjerimin e konsumit dhe të investimeve në ekonomi”, tha ai.

I pyetur nëse bankat në Shqipëri rrezikohen nga kriza e bankave që ka prekur Amerikën dhe Zvicrën, Sejko tha se sistemi ynë financiar është i pandikuar nga ekspozimi në këto tregje financiare.

“Bankat janë në një situatë të shëndetshme financiare, nuk kanë asnjë problematikë të kësaj natyre. Treguesi i likuiditetit jo vetëm që është në nivele të larta por edhe raportet dhe kërkesat rregullative që ne kemi janë shumë larg nga momenti. Tregu shqiptar është shumë larg nga këto rreziqe”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë