Ekonomi

Eksperti i Moody's: Tërmeti, goditja e fundit për ekonominë. Shqetësim ikja e shqiptarëve

Sabina Veizaj- Ilir Hysa, Drejtor i Asociuar - Ekonomist i Lartë në Korporatën Moody's në SHBA, në një intervistë për gazetën “Si” bën një analizë të qartë të momenteve kyçe të ekonomisë shqiptare gjatë 2019-ës. Po ashtu nisur nga ngjarjet ekonomiko-financiare të vtiti që po lëmë pas, ai përpiqet të ngrejë projeksione për vitin që po troket.

Eksperti Hysa jep gjykimin e tij edhe për Mini-Shengenin Ballkanik, si në këndvështrimin ekonomik dhe social, po ashtu edhe atë politik.

Për ekspertin e Moody’s, reformat si motor i rëndësishëm për ngritjen e vendit në një tjetër nivel, janë më pak efektive kur ka një degradim të bazës fiskale.
Një nga shqetësimet madhore për të mbetet se viti 2019 iu shtua listës së viteve të mëparshme të eksodit shqiptar.

“Qeveria Rama është përpjekur të normalizojë largimet nga vendi si lëvizje të qytetarëve të lirë, sikurse ndodh edhe në vendet e tjera, por nuk është ashtu. Shqipëria nuk bën përjashtim për faktin që një fenomen i tillë ekziston, por sepse fenomeni po ndodh me intensitet të lartë, në raport me numrin dhe përbërjen e popullsisë”- thotë Hysa.

Dy momentet thelbësore të vitit që po lëmë pas me pasojat më të rëndësishme afatgjata në ekonominë e Shqipërisë për eskpertin Hysa janë: ngërçi institucional që i parapriu dhe vijoi pas zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, dhe tërmeti i 26 nëntorit, ngjarje që sipas tij materializojnë efektet në jetën e qytetarëve shqiptarë.
Eksperti i Moody’s nuk ka një parshikim optimist për ekonominë gjatë 2020-ës.

“Mendoj se rritja ekonomike do të jetë e ngjashme me atë të vitit që po mbyllet, që do të thotë më e ulët nga ajo prej 3,5% e parashikuar nga FMN-ja. Por fundja, cilado qoftë rritja, PBB-ja nuk është treguesi më domethënës i mirëqenies së qytetarit.”- thotë ai dhe argumenton se “situata e rënduar fiskale, dhe e përkeqësuar më tej nga tërmeti i 26 nëntorit, nuk do të lejojnë për rritje të të ardhurave, aq më pak sipas pritshmërive që kërkon konvergenca dhe integrimi me vendet e BE-së.”
Në lidhje me Mini-Shengenin Ballkanik, Hysa është pro bashkëpunimit rajonal, por thotë ai “pse nuk zbatohen marrëveshjet ekzistuese”?.

Sipas Hysës, me rolin dominant të faktorëve jo të mirëfilltë ekonomikë, implementimi i një Mini-Shengeni Ballkanik, në konturet e parashtruara në Tiranë para disa ditësh, mbetet evaziv.

Mund të tingëllojë absurd ky përfundim, shprehet ai, por me apo pa Mini-Shengenin tregtia mes disa fqinjëve ballkanikë si Shqipëria, Serbia dhe Kosova do të kushtëzohet nga dëshira për të gjetur një emërues të përbashkët në interpretimin e ngjarjeve historike dhe në shërimin e plagëve të pambyllura.

“Kjo dinamikë nuk do t’a ndryshojë rolin që bashkëpunimi mes këtyre vendeve do të ketë në rritjen ekonomike në vitin 2020 e në vitet që do vijojnë. Ndërkohë, dëshira për hapjen e tregjeve gjetkë ka potencialin të fuqizojë bashkëpunimet ndërmjet vendeve të lartpërmendura dhe Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, por pa ndryshuar raportet tregtare dhe partnerët e sotëm të këtyre vendeve”- thotë eksperti Hysa.

Cilat kanë qenë momentet kyçe që kanë shenjuar ekonominë dhe financat gjatë 2019-ës-ës?

Ilir Hysa, Drejtor i Asociuar - Ekonomist i Lartë në Korporatën Moody's

Zhvillimet e vitit mund të kategorizohen si të mirëfillta ekonomike apo financiare dhe të natyrave të tjera të cilat ndikojnë mbi ekonominë nëpërmjet kanaleve të caktuara. Ja një përmbledhje e shkurtër:

U provua, siç pritej, që rënia e investimeve të huaja direkte të rëndonte mbi rritjen ekonomike. Përfundimi i projekteve TAP dhe Devoll dhe mungesa e projekteve të tjera të mëdha ishin pikërisht stuhia që pritej.

Inflacioni mbeti më i ulët sesa kuota 3% e përcakuar si tavan nga Banka e Shqipërisë, por është e rëndësishme të kuptohet se suksesi i politikës monetare në këtë rast duhet lexuar me kujdes pasi ai është mundësuar nga fuqia e ulët blerëse e një segmenti të konsiderueshëm të popullsisë së Shqipërisë, kryesisht i asaj rurale.

"Tërmeti, provoi se shteti shqiptar ishte i papërgatitur për të përballuar një fatkeqësi natyrore të atyre përmasave. Tërmeti nxorri në pah edhe raste potenciale abuzive me standartet e ndërtimeve. Ndoshta të vetmet gjëra pozitive që u mësuan nga ky rast ishin solidariteti inkurajues i shqiptarëve në të gjithë globin" - Hysa

U provua sërisht se reformat janë më pak efektive kur ka një degradim të bazës fiskale. Viti 2019 iu shtua listës së viteve të mëparshme të eksodit shqiptar.
U provua edhe një herë se Shqipëria mbetet një vend që e bazon konsumin në importe dhe prodhon e eksporton shumë pak. Për këto arsye, bilanci tregtar u përkeqësua në gjysmën e dytë të vitit, duke qëndruar rrotull 32 miliardë lekë deri në tetor.

Ndonëse jo ngjarje të mirëfillta ekonomike, dy ishin momentet me pasojat më të rëndësishme afatgjata në ekonominë e Shqipërisë në 2019. Pa dyshim që ngërçi institucional që i parapriu dhe vijoi pas zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, dhe tërmeti i 26 nëntorit janë ngjarje që materializojnë efektet në jetën e qytetarëve shqiptarë. I pari provoi se Shqipëria mbetet në rrafshin e aspiratave, por ka dështuar në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe funksionale. Një dozë e shtuar pasigurie para dhe pas zgjedhjeve mbajti larg investitorët e huaj. Me shumë gjasa, shifrat përfundimtare të investimeve të huaja direkte për 2019-n do të zhgënjejnë kur të bëhen publike.

I dyti, tërmeti, provoi se shteti shqiptar ishte i papërgatitur për të përballuar një fatkeqësi natyrore të atyre përmasave. Tërmeti nxorri në pah edhe raste potenciale abuzive me standartet e ndërtimeve. Ndoshta të vetmet gjëra pozitive që u mësuan nga ky rast ishin solidariteti inkurajues i shqiptarëve në të gjithë globin, mbështetja e miqve të Shqipërisë dhe rikonfirmimi se në kohë të vështira shqiptarët dinë si të harrojnë gjërat që i ndajnë dhe të shpalosin humanizmin e tyre shembullor.

Si ka qenë 2019 në aspektin ekonomiko-financiar duke marrë parasysh disa tregues të rëndësishëm dhe mirëqenien e qytetarëve?

Konstatimi i parë, të cilin e ndajnë edhe institucione ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, është fakti se buxheti mbetet i pastrukturuar mirë për të siguruar qëndrueshmëri në rritjen ekonomike dhe arritjen e objektivave të Shqipërisë. Mes tyre është objektivi i konvergjencës graduale të të ardhurave me ato të vendeve të Bashkimit Europian. Kjo kërkon rritje ekonomike me ritme më të larta. Për kontekst, rritja ekonomike prej jo më shumë sesa 3% e vitit që po lëmë pas do të ishte e lakmueshme për vende të zhvilluara, por konsiderohet e ulët për ekonomi si ajo e Shqipërisë, e cila ka një hendek të madh për të mbyllur në mënyrë që të arrijë standartet e BE-së në pikëpamjen e të ardhurave.

Ndër problemet strukturore në buxhet duhen theksuar shpenzimet e pamjaftueshme kapitale. Ndërkohë që organizmi i krijuar posaçërisht për të lehtësuar përmbushjen e objektivave të qeverisë në manaxhimin e investimeve, Korporata Shqiptare e Investimeve, duhet të fokusohet vetëm në qëllimin për të cilin u krijua: mbështetjen e zhvillimit ekonomik nëpërmjet shfrytëzimit të aseteve publike të papërdorura. Gjasat e zgjerimit të mandatit të këtij institucioni shtojnë risqet fiskale pasi ai mund të shndërrohet në një krijesë që mundëson riciklimin e kapitaleve nga qeveria për të mbuluar humbjet. Një fiktivitet i tillë do të ishte i dëmshëm sepse jo vetëm që do të deformonte panoramën e vërtetë ekonomike, por edhe do të dëmtonte reputacionin jo shumë të kuptueshëm të një institucioni që u pa gjërësisht me skepticizëm që nga krijimi.

Por një shqetësim ende më i madh në drejtim të risqeve fiskale mbeten Parneritetet Publike-Private. Ndonëse ligji për PPP-të u ndryshua kohët e fundit për të adresuar shqetësimet e dala, ky zhvillim nuk ka shumë domethënie po të kihet parasysh historia e tranzicionit shqiptar. Besoj se është tashmë i njohur fakti që Shqipëria ka vuajtur më pak nga hedhja e ligjeve në letër sesa nga zbatimi i tyre.

Edhe evoluimi i kapitalit njerëzor në vitin 2019 mund të karakterizohet me ngjyra jo shumë të ndezura. Sikurse e kam parashtruar edhe më parë, një debat i shëndoshë në lidhje me politikat ekonomike që sigurojnë rritjen e ekonomisë është esencial por, ai bëhet dytësor kur qytetarët nuk janë pjesëtarë aktivë, madje janë aq të zhgënjyer sa largohen nga vendi për një jetë më të mirë gjetkë. Kjo lë të kuptohet se besimi në institucionet e vendit bëhet elementi më i rëndësishëm në ekonominë e një vendi. Në këtë kuptim, problemi më shqetësues për ekonominë e Shqipërisë në vitin 2019, përpos situatës dramatike të krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit, mbeti shëndeti në degradim i fuqisë së kualifikuar punëtore. Qeveria Rama është përpjekur të normalizojë largimet nga vendi si lëvizje të qytetarëve të lirë, sikurse ndodh edhe në vendet e tjera, por nuk është ashtu.

"Realisht, largimet nuk shënojnë fillimin e një trendi të ri, por thellimin e një problemi që ka rënduar mbi ekonominë shqiptare për vite me radhë. Sipas shifrave të INSTAT-it, Shqipëria jo vetëm që ka përjetuar një tkurrje neto prej mëse 200 mijë banorësh që nga viti 2001, por më tej, sipas një parashikimit tim disi konservativ, bazuar në një model të thjeshtë makroekonomik, vendi pritet të humbë edhe rreth 35 mijë banorë deri në vitin 2025" -Hysa

Shqipëria nuk bën përjashtim për faktin që një fenomen i tillë ekziston, por sepse fenomeni po ndodh me intensitet të lartë, në raport me numrin dhe përbërjen e popullsisë:

  1. Jo vetëm që kemi largim masiv të qytetarëve, por kemi të bëjmë me një fenomen “brain drain”, pra ata që largohen janë kryesisht ndër profesionistët më të mirë. Një kontigjent i madh syresh patën gjetur njëfarë rehatie relative në kushtet e Shqipërisë dhe u duk deri para pak kohësh se nuk do të ndërmerrnin fillimin e një aventure të re gjetkë, jashtë Shqipërisë. Por politika konfliktuale, korrupsioni galopant dhe mosfunksionimi normal i institucioneve e ndyshuan për keq gjendjen.
    Evidenca më therëse, ndonëse shpesh në formën e anekdotave në rrjetet sociale, janë fotot e përparësebardhëve në kurset e gjermanishtes në Tiranë dhe në rrethe. Ёshtë fakt që nevojat në fushën e mjeksisë në vendet perëndimore po shtohen me plakjen e popullsisë, dhe Shqipëria shihet si njëri nga burimet e fuqisë punëtore të kualifikuar, pavarësisht retorikës populiste që ka kapluar Europën për të ndalur dyndjen e të huajve. Qeveria Rama mund të përpiqet t’a normalizojë këtë trend të largimeve, por qëndrimi i saj nuk ndyshon faktet kokëforta. Ndoshta anëtarët e kabinetit qeveritar nuk mund t’a thonë troç, por ne të tjerët duhet t’a themi pa ekuivoke se kemi të bëjmë me një emergjencë nga më seriozet që kemi parë ndonjëherë.
  2. Realisht, largimet nuk shënojnë fillimin e një trendi të ri por thellimin e një problemi që ka rënduar mbi ekonominë shqiptare për vite me radhë. Sipas shifrave të INSTAT-it, Shqipëria jo vetëm që ka përjetuar një tkurrje neto prej mëse 200 mijë banorësh që nga viti 2001, por më tej, sipas një parashikimit tim disi konservativ, bazuar në një model të thjeshtë makroekonomik, vendi pritet të humbë edhe rreth 35 mijë banorë deri në vitin 2025.

Nga pikëpamja e kapitalit njerëzor, gjendja u përkeqësua këtë vit, ndërkohë që numri i të rinjve që zgjedhin të arsimohen në perëndim dhe si pasojë e pagave relativisht të ulëta në Shqipëri zgjedhin të punësohen në vendet pritëse. Këtyre i janë shtuar edhe një numër relativisht i lartë i individëve që janë arsimuar në Shqipëri por që për të njëjtën arsye zgjedhin të emigrojnë. Largime të tilla e kanë përkeqësuar përbërjen demografike në Shqipëri.

Ndryshimet në piramidën moshore të popullsisë në dekadën e fundit tregojnë ulje të dukshme të përfaqësimit të qytetarëve nën 20 vjeç dhe rritje të përqëndrimit të qytetarëve mbi moshën 55 vjeç. Për të ilustruar këtë le të sjellim si shembull qarkun e Gjirokastrës, ku sipas INSTAT-it në tremujorin e tretë të këtij viti numri i vdekjeve ishte më i madh sesa numri i lindjeve.

Çfarë prisni dhe si e parashikoni në këtë aspekt 2020-ën?

Problematikat aktuale të ekonomisë shqiptare do të reflektohen edhe në aktivitetin ekonomik të vitit 2020. Mendoj se rritja ekonomike do të jetë e ngjashme me atë të vitit që po mbyllet, që do të thotë më e ulët nga ajo prej 3,5% e parashikuar nga FMN-ja. Por fundja, cilado qoftë rritja, PBB-ja nuk është treguesi më domethënës i mirëqenies së qytetarit. Situata e rënduar fiskale, dhe e përkeqësuar më tej nga tërmeti i 26 nëntorit, nuk do të lejojnë për rritje të të ardhurave, aq më pak sipas pritshmërive që kërkon konvergenca dhe integrimi me vendet e BE-së.

Dy momente të tjera të rëndësishme të shënuara në gjysmën e dytë të vitit 2019 që pritet të kenë ndikim në ekonominë e Shqipërisë, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, në 2020-n dhe në vitet që vijnë, së paku përsa i takon perceptimit të qytetarëve, janë dështimi i hapjes së negociatave me Bashkimin Europian dhe krijimi i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim të Organizuar (SPAK).

Kjo sepse roli i institucioneve funksionale, përfshirë i atyre ligjzbatuese, në mbarëvajtjen ekonomike është provuar katërcipërisht. Përtej rolit si institucion i ri, krijimi i SPAK-ut vjen edhe me pritshmëri shumë të larta si pasojë e korrupsionit galopant të viteve me radhë. Një dështim i këtij institucioni të shumëpritur do të ngjallte zhgënjim të madh tek qytetarët dhe do të sillte një valë të re dhe më të madhe largimesh nga Shqipëria, ndërsa suksesi apo sjellja e “të paprekshëmve” para drejtësisë do të ndihmonte në ringjalljen e shpresës.

Gjetja e mënyrave të grumbullimit më të suksesshëm të të ardhurave është ndër detyrat që FMN i la qeverisë Rama pas vlerësimit të nëntorit, por ecuria mbetet për t’u parë. Të ardhurat nga energjia janë mes tyre, por është e paqartë se çfarë reformash shtesë mund të implementohen.

Njëra nga ngjarjet që mund të ndryshojë rrjedhën e investimeve të huaja në 2020-ën e më pas është kërkimi i naftës në bllokun Dumrea nga kompania italiane ENI. Por ndërsa një gjë e tillë do të kishte ekeft të ndjeshëm makroekonomik, nxjerrja e hidrokarbureve në një zonë që ka përcaktuar zhvillimin e turizmit si prioritet të rëndësishëm do të ishte e nxituar pa një studim mbi efektet e pritshme të kësaj industrie mbi mjedisin.

Mendoni se do të realizohet Mini Shengeni Ballkanik ? (pasojat dhe efektet)

Pyetja më praktike dhe që krijon më shumë kërshëri do të ishte: Çfarë u bë shkas për nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë për bashkëpunim rajonal?
Mini-Shengeni Ballkanik duhet kuptuar në kuadër të ekonomisë politike të rajonit. Nga kjo pikëpamje, duhen ndarë vlerësimi i efekteve ekonomike e sociale nga optika, politika dhe strategjitë kombëtare të vendeve të rajonit. Le ti marrim një e nga një.

Nuk ka dyshim se vendet e Ballkanit duhet të zgjerojnë bashkëpunimin e tyre, përtej konflikteve shekullore. Parimi i njohur i avantazhit krahasues në tregti të lirë, por edhe lëvizja e lirë e qytetarëve dhe shkëmbimet shkencore e kulturore, do ti lejonin vendet e rajonit që të bashkëpunonin dhe të rrisnin mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve të tyre.

Dilemat mbi motivet e palëve lindin kur merret parasysh fakti se, ashtu siç kanë thënë Kryeministri Rama dhe Presidenti Vuçiç, Mini-Shengeni synon vetëm zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe të nënshkruara ndër vite mes shteteve ballkanike. Nëse kështu, pse palët nuk zbatojnë ato marrëveshje, pa qenë nevoja për krijesa me tituj bombastikë europianë?! Vendet ballkanike, mes tyre edhe Shqipëria, kanë nevojë të bëhen europiane me vepra, jo me fjalë.

Pra, askush nuk i pengon vendet në fjalë të zbatojnë marrëveshjet e nëshkruara prej kohësh dhe të mbuluara nga pluhuri për vite me radhë, ndonëse nga ai zbatim do të kishte fitues dhe humbës në secilin shtet. Mes humbësve në Shqipëri do të ishin kryesisht prodhuesit e vegjël. Dihet tashmë, për shembull, se bizneset fasone në Shqipëri po kalojnë vështirësi serioze dhe ekspozimi më i madh ndaj konkurencës rajonale do ti shtonte vështirësitë. Për këtë arsye, nuk do të ishte anormale që grupet e interestit në secilin vend të ishin kundër bashkimit të tregjeve nëpëmjet liberalizimit, por ajo rezistencë do të binte ndesh me temën në fjalë.

Po të merret parasysh mozaiku i bashkëpunimeve tregtare në rajon, do të dukej qartë se ka vend për bashkëpunim. Për shembull, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ishin mes 10 destinacioneve më të rëndësishme për eksportet serbe në vitin 2018 por Shqipëria nuk u radhit as mes 25 destinacioneve kryesore të vendit fqinj. Për Shqipërinë, Serbia ishte destinacioni i dytë më i rëndësishëm për eksportet shqiptare, dhe Maqedonia dhe Mali i Zi ishin gjithashtu mes 10 destinacioneve kryesore, por volumi i mallrave shqiptare është relativish i vogël dhe mund të rritet.

"Rama deklaroi se Kosova ishte e ftuar dhe se iniciativa rajonale vinte pa kushte, por drejtuesit në Kosovë e shohin qëndrimin e Ramës si blasfemi dhe se, thënë shkurt, iniciativa rajonale synon izolimin e Kosovës. Serbia nuk e njeh Kosovën ende si shtet të pavarur dhe sovran dhe pjesëmarrja e kësaj të fundit në Mini-Shengen do të nënkuptonte jo vetëm pjesëmarrje në pozita të pabarabarta por edhe heqjen e tarifës 100% mbi mallrat serbe që hyjnë në Kosovë, të dyja të papranueshme për drejtuesit kosovarë. Qeveria Haradinaj e mori vendimin mbi tarifën kur konstatoi se jo vetëm që Serbia nuk kishte plane të njihte pavarësinë e Kosovës, por ajo kishte ndërmarrë një fushatë intensive për zhbërjen e njohjeve të Kosovës nga shtete që e kanë njohur atë si shtet të pavarur. "

Por kritikët e z. Rama theksojnë se motivi i tregjeve të lira është vetëm fasada e arsyeve të vërteta për të cilat disa vende fqinje kërkojnë marrëdhënie më të afërta me Shqipërinë. Dhe padyshim, tensionet kryesore dalin në pah në marrëdhëniet me Serbinë. Pika më e nxehtë mbetet trajtimi i Kosovës, e cila vendosi të mos i bashkohet takimeve të Mini-Shengenit Ballkanik, ndërkohë që Serbia refuzon të pranojë dhe të kërkojë ndjesë për masakrat mdaj popullsisë së pambrojtur shqiptare gjatë konfliktit të dy dekadave më parë.

Rama deklaroi se Kosova ishte e ftuar dhe se iniciativa rajonale vinte pa kushte, por drejtuesit në Kosovë e shohin qëndrimin e Ramës si blasfemi dhe se, thënë shkurt, iniciativa rajonale synon izolimin e Kosovës. Serbia nuk e njeh Kosovën ende si shtet të pavarur dhe sovran dhe pjesëmarrja e kësaj të fundit në Mini-Shengen do të nënkuptonte jo vetëm pjesëmarrje në pozita të pabarabarta por edhe heqjen e tarifës 100% mbi mallrat serbe që hyjnë në Kosovë, të dyja të papranueshme për drejtuesit kosovarë. Qeveria Haradinaj e mori vendimin mbi tarifën kur konstatoi se jo vetëm që Serbia nuk kishte plane të njihte pavarësinë e Kosovës, por ajo kishte ndërmarrë një fushatë intensive për zhbërjen e njohjeve të Kosovës nga shtete që e kanë njohur atë si shtet të pavarur.

Një motiv tjetër i diskutuar gjërësisht nga kritikët shqiptarë të Mini-Shengenit Ballkanik është jo aq shumë nevoja që Serbia—një vend pa dalje në det—ka për tregti të lirë me Shqipërinë por dëshira për të përdorur portet në bregdetin shqiptar. Duhet theksuar se Italia është destinacioni kryesor i eksporteve serbe. Por duhet thënë se pavarësisht qëndrimeve të zbutura ndaj Presidentit Vuçiç dhe shpërthimeve e ofendimeve të z. Rama ndaj shqiptarëve të tij, afrimi me Serbinë nuk po gjen konsensus as në Shqipëri dhe as në Kosovë. Serbia duhet të kërkojë ndjesë për spastrimin etnik të shqiptarëve dhe të njohë Kosovën shtet të pavarur për marrëdhënie plotësisht të normalizuara me Shqipërinë dhe Kosovën, dhe një gjë e tillë nuk ka gjasa të ndodhë së shpejti.

Me të gjitha këto që u thanë më lart, pra me rolin dominant të faktorëve jo të mirëfilltë ekonomikë, implementimi i një Mini-Shengeni Ballkanik, në konturet e parashtruara në Tiranë para disa ditësh, mbetet evaziv. Mund të tingëllojë absurd ky përfundim, por me apo pa Mini-Shengenin tregtia mes disa fqinjëve ballkanikë si Shqipëria, Serbia dhe Kosova do të kushtëzohet nga dëshira për të gjetur një emërues të përbashkët në interpretimin e ngjarjeve historike dhe në shërimin e plagëve të pambyllura. Kjo dinamikë nuk do t’a ndryshojë rolin që bashkëpunimi mes këtyre vendeve do të ketë në rritjen ekonomike në vitin 2020 e në vitet që do vijojnë. Ndërkohë, dëshira për hapjen e tregjeve gjetkë ka potencialin të fuqizojë bashkëpunimet ndërmjet vendeve të lartpërmendura dhe Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, por pa ndryshuar raportet tregtare dhe partnerët e sotëm të këtyre vendeve.

Pra, pse thuhet se Vuçiç synon rikrijimin e Jugosllavisë (motivet parashtrohen qartësisht si ekonomike por nuk është ashtu po ti kushtohet rëndësi kontekstit. E kush më mirë se Vuçiçi do t’a konfirmonte një gjë të tillë?!

Pas zgjedhjes së Vuçiçit në 2017, ai dha një intervistë për Politico.

Vuçiçi u kujdes të theksojë faktin se marrëveshja rajonale është ekonomike dhe se synon ruajtjen e sovranitetit të çdo shteti. Por ajo që bie në sy është dëshira për të vazhduar dhe quajtuar Kosovën pjesë të Jugosllavisë së vjetër edhe sot (më poshtë).

“A po përpiqeni të rikrijoni Jugosllavinë?”

"Është Jugosllavia e vjetër, plus Shqipëria. Është një ide politike por pa rrezikuar sovranitetin e tyre. Do të forcojë ekonomitë tona. Ne kemi nevojë për norma rritjeje nga 4 përqind në 5 përqind në bazë vjetore, jo 3 përqind. Nuk mjafton. "

Por Vuçiçi nuk mundi ti rezistojë lëvdatave për Titon (më poshtë). Kjo flet më shumë për ato që Vuçiçi lë pa thënë sesa për ato që ai thotë. Ai nuk thotë se çfarë mënxyre ishte vendi për shqiptarët. Tito iu dha shqiptarëve liri të largohen dhe gradualisht populloi tokat e tyre me serbë.

https://gazetasi.al/aleksander-vucic-tito-ishte-nje-djale-i-mprehte/

"Duke pasur parasysh tensionet në rajon, çfarë ju bën të mendoni se fqinjët tuaj do ta pranojnë këtë lloj bashkëpunimi?"

“Tito e bëri atë. Ai ishte një diktator komunist, por një djalë shumë i zgjuar. Një bravandreqës, a mund ta imagjinoni? Por ai ishte shumë i zgjuar. Ai dinte të lidhte njerëzit … Kjo është ajo që na nevojitet. Ne kemi nevojë për të lidhur njerëzit ".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë