Taksa

Eksperti i Moody’s: Amnistia për dividentin, e diktuar

Për ekspertin e Moody’s, Ilir Hysa, propozimi i qeverisë jo vetëm për të ulur tarifën mbi dividentin, por edhe për të lehtësuar nga 15 në 8 për qind tatimin për fitimet e pashpërndara deri në 2018, është më shumë një lëvizje e sforcuar sesa një politikë e mirëfilltë ekonomike.

“Projekt-ndryshimi synon nxitjen e tërheqjes së fitimeve të pashpërndara ndër vite dhe ka shumë gjasa që efekti makroekonomik do të jetë margjinal, kjo kryesisht, sepse ndyshimi në legjislacion mund të mos prodhojë efektet e dëshiruara nga qeveria. Fundja, çdo të bënin aksionerët tjetër me fondet e tërhequra në një ekonomi të pllakosur nga pasiguria, ndërkohë që e kanë gjetur diku një qoshe të ngrohtë për fondet e tyre?”, shprehet ai.

Drejtori i Asociuar në Moody’s Analytics shton për Gazetën “Si” se propozimi i qeverisë mund të jetë i diktuar edhe nga emrat që kontrollojnë pjesën dërrmuese të të ardhurave në Shqipëri.

“Nuk po përmend as emra dhe as po them sa afër janë ata me pushtetin, sepse lexuesi i njeh ata edhe më mirë sesa unë”, deklaron Dr. Hysa.

Gjithsesi, ai sheh të tjerë faktorë më shumë pengues sesa barra fiskale.

Dr. Ilir Hysa, ekspert i Moody's

“Më shumë sesa politika të tilla ekonomike, ekonomisë shqiptare i duhet dëshpërimisht lufta pa kompromis ndaj korrupsionit galopant, si dhe nevoja e kthimit të besimit në të ardhmen, që do të çonin në frenimin e eksodit perpetual dhe rrjedhjen më të natyrshme të kapitalit ku paraqiten mundësi fitimi sipas konkurrencës së lirë”, shton Hysa.

Eksperti i Moody’s mendon se propozimi mund të shihet edhe si një reflektim i qeverisë për polarizimin e të ardhurave dhe rritjes së hendekut mes të pasurve dhe të varfërve. Megjithatë, ai thotë se nisma nuk e kalon testin.

“Kjo manovër nuk e kalon testin e nuhatjes pë t’u quajtur një politikë fiskale me pasoja të rëndësishme ekonomike. Këto ndryshime përbëjnë edhe një dëshmi të faktit se qeveria i kupton tashmë sfidat dhe pasojat tejet negative të përqëndrimit të kapitalit në duart e një grushti oligarkësh. Pra, ka një arsye rrënjësore pse vendet e sukseshme në zbatimin e ekonomisë së tregut të lirë promovojnë konkurrencën e lirë pa shumë ndërhyrje (laissez faire) më shumë sesa politikat fiskale në qarkullimin e kapitalit dhe në forcimin e shtresës së mesme të shoqërisë. Nuk po përdor këtu shifra krahasuese me vende të tjera, sepse rasti i Shqipërisë është unik në llojin e tij të zhvillimit ekonomik”, deklaron ai.

Një tjetër handikap, Ilir Hysa sheh edhe tek filozofia e qeverisë aktuale, që megjithëse mori votat me premtime për politika ekonomike populiste, aplikon politika ekonomike të djathta.

“Sikurse masa e paradokohshme mbi pagat e larta, ky ndryshim është nga ato zhvillime që ndodhin vetëm në Shqipëri: një qeveri e majtë aplikon politika ekonomike të djathta, ndërkohë që elektorati votoi premtime për politika ekonomike më populiste. Kjo është në hullinë e arsyeve për anarkinë sociale të Nolit, ndërsa Adam Smith-i duhet të jetë duke u rrotulluar në varr”, mendon Dr. Hysa.

Nismën e sheh edhe si pasojë e shterimit të mundësive të qeverisë për të mbajtur gjallë rritjen ekonomike në një vend ku prodhohet pak dhe ku pritshmëritë për reformën në drejtësi mund të ngushtojnë kanalet e pastrimit të parave të pista.

“Mbi të gjitha, opinioni publik duhet të kuptojë se arsyeja kryesore për të cilën investitorët vendas dhe të huaj nuk investojnë ka më pak të bëjë me barrën fiskale dhe më shumë me pasigurinë dhe ankthin që krijojnë institucionet e korruptuara”, mbyll deklaratën e tij, Drejtori i Asociuar i Moody’s.

Shënim: Opinioni i shprehur këtu nga Dr. Ilir Hysa nuk përfaqëson vlerësimin institucional të Moody’s për ekonominë shqiptare

Intervistoi: Mentor Kasa


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë