Rend dhe Ligj

7500 kërkesa për azil refugjatësh në vit-Qeveria po mendon se çfarë të bëjë

Parashikohet që në Shqipëri të ketë në një vit 7500 kërkesa për azil nga emigrantët që vijnë nga vendet e treta, kryesisht nga lindja, shtete që janë në konflikte. Ky është skenari më i keq i parashikuar nga ministria e Brendshme, e cila po kërkon të ndryshojë të miratojë një ligj të ri “Për azilin në republikën e Shqipërisë”.
Në relacionin e projektit të siguruar nga Gazeta “Si” theksohet se:
“Bazuar në të dhënat e grumbulluara nga IOM për periudhën Dhjetor 2015 deri në Shkurt 2018, 297 persona janë përpjekur të kalojnë kufijtë shqiptarë më shumë se një herë (përsëritës). Rritja e kërkesave për azil ka të ngjarë të vazhdojë. Skenari më optimist i ndërtuar nga ky studim në bazë të analizës së rritjes së hyrjeve dhe larmishmërisë së origjinës të këtyre hyrjeve, tregon se numri i kërkesave për azil do të arrijë në 3,000 në vitin 2019 për 6,000 hyrje gjithsej; ndërkohë që skenari pesimist tregon gjithsej 7,500 kërkesa për azil në vitin 2019 për 13,000 hyrje gjithsej”, thuhet në relacion.

Grafiku i migrantëve të parregullt të futur në Shqipëri, sipas Ministrisë së


Në dokumentin e siguruar nga Gazeta “Si” ministria e Brendshme konstaton se në të shumtën e rasteve, këta migrantë janë në gjendje të vështirë për shkak të situatës në vendet e tyre të origjinës prej të cilave janë larguar, për shkak të kushteve të vështira, ose shfrytëzimit dhe abuzimit të pësuar përgjatë udhëtimit . Këto flukse kalojnë kryesisht tranzit në Shqipëri përpara se të hyjnë në vendet e Bashkimit Europian.
Një vlerësim i shpejtë i kryer nga Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri në vitin 2018, tregon një rritje të mprehtë të numrit të personave të ndaluar në zonat kufitare, ku 3,088 persona janë ndaluar në gjashtë muajt e parë të vitit 2018, krahasuar me 1049 në vitin 2017. Kjo rritje shoqërohet edhe me një rritje të numrit të kërkesave për azil me 1,901 në gjysmën e parë të vitit 2018, nga 309 në vitin 2017. Këto shifra janë në fakt më të larta se ato të regjistruara në vitin 2015, gjatë pikut të fluksit të migrantëve në mbarë Evropën.


Nga janari deri në prill 2018, rezulton se 74% e ndalimeve për herë të parë janë raportuar në kufirin jugor dhe më saktësisht në pikën kufitare të Kakavijës. Përveç kësaj, 305 persona janë kapur duke dalë nga vendi, në drejtim të Malit të Zi, në zonën e Shkodrës në periudhën tremujore nga marsi deri në maj 2018. Kjo mund të lidhet me faktin se është krijuar një rrugë e re për kontrabandimin e njerëzve nga Greqia nëpërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnjës në Kroaci dhe në Europën Perëndimore. Për më tepër ndalimet në territor janë rritur gjatë vitit 2018.


Ndryshimet ligjore


Arsyet e ndryshimit të ligjit aktual lidhet me faktin se ai ka boshllëk në lidhje me trajtimin që i duhet bërë kategorive vulnerabël. Sipas qeverisë nisma nuk garanton akes në arsim për azilkërkuesit, si dhe nuk përcakton detyrime specifike për të gjitha strukturat e përfshira në zinxhirin e sistemit të azilit. Status quoja karakterizohet kryesisht nga mungesa e procedurës së përshpejtuar, si dhënia e një vendimi pozitiv në rastet e një kërkese dukshëm e bazuar dhe anasjelltas, e aksesit në drejtësi nëpërmjet ndihmës juridike nga shteti, mungesa e mekanizmave bashkëpunues ndërmjet institucioneve ligjzbatuese dhe organizatave ndërkombëtare që operojnë në fushën e azilit, si dhe të shkëmbimit të informacionit.

Mbërritjet dhe azilet në Shqipëri

Sipas nenit 5 të projektit, në Shqipëri garantohet e drejta për azil e shtetasit të huaj ose personit pa shtetësi, i cili, për shkak të frikës së bazuar të persekutimit, për arsye të racës, besimit fetar, kombësisë, anëtarësisë në një grup të caktuar shoqëror, ose bindjes politike, ndodhet jashtë vendit të shtetësisë së vet ose jashtë vendbanimit të zakonshëm të mëparshëm dhe nuk ka mundësi ose dëshirë të kërkojë mbrojtjen e atij vendi, si pasojë e këtyre ngjarjeve, për arsye të kësaj frike.

Emigrantë në kufirin hungarez


Shtetasit të huaj i cili ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë mund t’i jepet mbrojtje ndërkombëtare, mbështetur në frikën e bazuar për persekutim apo rrezikun real të cenimit të rëndë, bazuar në ngjarje të cilat kanë ndodhur që nga koha kur aplikuesi është larguar nga vendi i origjinës. Frika e bazuar për persekutim apo rreziku real i cenimit serioz mund të bazohet në aktivitete në të cilat aplikuesi ka qenë i angazhuar që nga koha e largimit nga vendi i origjinës, në veçanti kur konstatohet se këto aktivitetete paraqesin shprehje dhe vazhdimësi të bindjeve apo orientimeve të shprehura në vendin e origjinës.

Projektligji i ministrisë së Brendshme


Aplikuesi i cili deklaron qëllimin për paraqitjen e kërkesës për mbrojtje ndërkombëtare transferohet në Qendrën e Pritjes për Azil, ku ka të drejtë të qëndrojë deri në momentin kur merret vendimi përfundimtar. Ai sipas draftit mund të largohet nga qendra, nëse banon në ndonjë vend tjetër me shpenzimet e veta. Aplikuesi deri në përfundimin e procedurave për përcaktimin e statusit të mbrojtjes ndërkombëtare, ka të drejtë: të qëndrojnë në Republikën e Shqipërisë; të përfitojnë kushtet minimale të jetesës; të ketë kujdesin shëndetësor; të përfitojë shërbimet e kujdesit shoqëror; të përfitojë ndihmën juridike të garantuar nga shteti; të kenë arsimim për aplikuesit fëmijë; të ushtrojë të drejtën e mendimit dhe besimit fetar dhepër punësim dhe për trajnime profesionale.


Gjithashtu sipas këtij projektligji aplikuesit kanë të drejtë për strehim, ushqim dhe veshmbathje të ofruara në formë mallrash ose në formën e ndihmës financiare, kupona ose një kombinim i tyre, si dhe një ndihmë financiare për shpenzimet e përditshme. Gjithashtu ato gëzojnë të drejtën e punësimit, duke ia garantuar shteti shqiptar. Autoriteti përgjegjës për pajisjen me leje pune dhe trajtimin e marrëdhënieve të punës merr masat e nevojshme për të lehtësuar hyrjen e plotë të personit me status refugjati ose personit me status të mbrojtjes plotësuese në tregun e punës. Gjithashtu atyre iu ofrohet ndihma juridike falas, si dhe personat me status refugjati ose personi me status të mbrojtjes plotësuese ka të drejtën e posedimit të pasurisë së luajtshme dhe/ose pasurisë së paluajtshme në kushte të njëjta me personat e huaj.


Personit me status refugjati ose personit me status të mbrojtjes plotësuese i sigurohet strehim i përshtatshëm për një periudhë deri 2 vjet, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të vendimit për njohjen e statusit të refugjatit apo mbrojtjes plotësuese. Personi me status refugjati ose personi me status të mbrojtjes plotësuese humbet të drejtën për strehim të përshtatshëm nëse refuzon strehimin e ofruar .Personi me status refugjati ose personi me status të mbrojtjes plotësuese, i cili ka mjete të nevojshme për përballimin e shpenzimeve lidhur me strehimin.


Aplikuesit që i refuzohet statusi i veçantë i mbrojtjes duhet të largohet nga territori shqiptar.
Ndërsa nuk i jepet statusi i refugjatit personave që rezultojnë se kanë kryer një krim kundër paqes, krimi lufte apo kundër njerëzimit, kryerjen e një akti terrorist, sipas përcaktimeve të parashikuara në konventat ndërkombëtare; kërcënimin e rendit publik dhe sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, për shkak të kryerjes së një krimi të rëndë jopolitik jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, para hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë; fajësinë për veprime që bien ndesh me qëllimet dhe parimet e Kombeve të Bashkuara. Të huajit, sipas praktikës së re të parashikuar në këtë draft mund t’i jepet statusit të mbrojtjes ndërkombëtare, megjithëse se ky vendim të merret vetëm në rast se paraqitet një kërkesë e tillë.


Të huajt që marrin statusin e qëndrimit në Shqipëri gëzojnë të drejtën e bashkimit familjar, sipas përcaktimeve të normuara në këtë draft. Anëtarët e familjes së refugjatit, që kanë përfituar nga vendimi për bashkim familjar, kanë të njëjtat të drejta sikurse dhe aplikuesi për: arsimim në institucionet arsimore publike; punësim dhe vetëpunësim dhe këshillim profesional dhe trajnim.
Në projektligj është parashikuar krijimi i Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët. Kjo strukturë është organi administrativ epror që shqyrton ankimet e bëra ndaj vendimeve administrative të Drejtorisë. Komisioni përbëhet nga Kryetari dhe 4 anëtarë. Kryetari dhe anëtarët e Komisionit emërohen në detyrë për një afat 4 -vjeçar, me të drejtë riemërimi. Anëtarët e Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët emërohen, lirohen dhe shkarkohen nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave. Kriteret e emërimit, shkaqet e lirimit apo të shkarkimit, si dhe shpërblimi i anëtarëve të Komisionit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Më Shumë