Libra

E vërteta e poezisë së Visar Zhitit… e shkruar në burg, që e ndihmoi të mbijetojë

Asnjë dorë,

Asnjë dorë,

Asnjë dorë, s’duhet të prekë fletët e jetës tënde që e burgosën...

Por fytyrën e dëshiruar të dashurisë, shpesh e ledhatojmë fshehurazi...

Kjo është një ndër të shumtat poezi, që poeti Visar Zhiti sjell në librin e tij më të fundit “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”, një botim anastatik me poezitë e shkruara me dorë, ashtu siç janë shkruar në origjinal në kohën kur vuante dënimin në burgun e Spaçit e të Qafë-Barit.

“Lumturinë kërkoje edhe në dhimbje”, do të shprehej romancieri rus, Dostojevski. Ndoshta poeti Visar Zhiti e të tjerë me të njëjtin fat si ai, nuk arritën ta gjejnë lumturinë në ato ambiente, por e kërkuan nëpërmjet shkrimit e artit të letërsisë, duke u munduar t’i japin dritë atij terri.

Libri i botuar nga Shtëpia Botuese “Onufri”, vjen me parathënie nga Andreas Dushi, i cili evidenton se “Këto poezi janë martire!...”

“Duhet të rilindin ashtu, për të marrë vendin që u takon në altarin e shenjtë të Letërsisë! …dorëshkrimet e fituan lirinë, duke i çelur rrugë, me historinë e tyre, një tjetër historie!”, shkruan prozatori Andreas Dushi, i cili ka punuar për botimin e këtij libri së bashku me Enxhi Hudhrin,  nga Botimet Onufri dhe bashkëshorten e Visarit, Eda Zhiti.

I gjithë libri vjen me poezi që janë shkruar gjatë kohës së burgut, dhe tematika është burgu apo siç thotë vetë poeti “përditshmëria infernale në burg”.

“Janë të gjitha poezitë që kisha shkruar fshehurazi në burgjet e Spaçit dhe të Qafë Barit, ku unë vuajta dënimin e rëndë. Më dënuan me 10 vjet heqje lirie për poezitë që regjimi i atëhershëm me gjyq i shpalli armiqësore, kundër Realizmit Socialist. Unë vazhdova të shkruaj dhe në burg, pa menduar kurrë botimin e tyre, që jo vetëm ishte i pamundur, por dhe i rrezikshëm, nëse do të m’i kapnin. Në vendin tonë janë pushkatuar edhe poetë. E megjithatë patëm dhe lexuesin tonë të pakët, të burgosur. Ribëmë njëri tjetrin: poet-lexues. Tematika e librit është burgu, përditshmëria infernale në burg. Libri, siç nuk e prisja, ka dalë rreth 600 faqe. Por s’kanë rëndësi fletët, por ditët dhe netët e burgut në libër”, shprehet poeti Visar Zhiti për Gazetën “Si”.

Një tjetër veçantësi e këtij libri janë edhe dëshmitë e të burgosurve që u paraprijnë poezive të Zhitit. Sipas tij fakti që libri vjen ashtu siç është shkruar nga ai me shkrim dore, mund të shërbejë edhe si muze shpirtëror për lexuesin.

“Botuesit e ‘Onufri’ vendosën ta sillnin këtë botim në versionin fillestar. E gjitha kjo pati si përgatitës prijëtar shkrimtarin Andreas Dushi, një i ri plot mirësi dhe dritë, i cili në bashkëpunim dhe me time shoqe, Edën, realizuan dhe një ëndërr të saj, botimin anastatik, me dëshmi dhe nga ish të burgosur që i kishin lexuar poezitë dikur, në burg”, thotë Zhiti për Gazetën “Si, ndërsa thekson se “duke u botuar një libër burgu, i gjithë me shkrimin e autorit, e bën lexuesin më intim, të duket se po e shfleton në burg dhe, në mungesë të një muzeu, ndoshta shërben dhe si një muze shpirtëror”.

Duke qenë se ishte i burgosur edhe i duhej të mbijetonte, autorit iu desh të shpikte emocionin e poezisë për përballimin e së keqes.

“Unë desha të mbijetoj si njeri atje ku ishte e ndaluar të ishe i tillë. Për të përballuar të keqen, shpika emocionin e poezisë”.

Poeti Visar Zhiti

Sipas Zhitit, këto dorëshkrime mund të shërbejnë për të kuptuar që brenda njeriut nuk shuhet asnjëherë shpresa.

“Nga leximet dalin shumë porosi, ndoshta prej këtij libri mund të shihet që brenda njeriut është e pamundur të shuhet ai, qiriri i fundit i shenjtërisë së jetës, i dashurisë”.

Sot, gati tri dekada pas rënies së komunizmit dhe që ende nuk jemi shumë të njohur me këtë letërsi, duket se me këtë libër mund të mësojmë dhe të vërteta të munguara në letërsinë shqipe.

“Në këtë libër është e vërteta ime dhe e poezisë time, që në këtë rast është dhe dokument, ekzistencializmi i copërluar, ankthi dhe ëndrra, qëndresa për të qenë njeri edhe kur nuk është e mundur. Shpresoj të duhen”, vijon ai.

Ndërsa, fakti që me këtë libër u morën dy të rinj, për autorin është sinjal shprese dhe jetëgjatësie për një vepër.

“Për botimin e tij dy të rinj u morën dy të rinj si Enxhi Hudhri dhe Andreas Dushi, pothuajse në moshën që do të kishte im bir. Kjo për mua është shpresë, është thirrje e dhimbshme, besim në të ardhmen”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë