Ngjarje

Vrasja e të miturit – Si u ushqye në heshtje një krim

Vrasja e të miturit në fshatin Greçalli të Fierit, nga fqinji i tij 38 vjeç Klodian Çalamani ngjalli reagime tejemban vendit sikur autori të ishte shfaqur nga hiçi. Por në fakt bashkëfshatarëve e njihnin mirë vrasësin dhe bëmat e tij.

Por  vetëm pas vrasjes së 8-vjeçarit, ata  rrëfyen se kishin jetuar në gjithë këto vite me frikën e tij, se ndoshta një ditë do të ishin viktima të sjelljeve kriminale që ai shfaqte herë pas here.

Reagime pati dhe nga bashkia e Fierit e cila e justifikoi veten duke deklaruar se vrasësit i ishte ofruar punë, por ai nuk e kishte mbajtur gjatë duke iu rikthyer jetës së tij mjerane, zhytur në ves, pijen të cilën duket se ja ofronin vetë bashkëfshatarët e tij.

Në të gjithë këtë histori makabre, me detajet e së cilës po njihemi dita ditës, një gjë është e paqartë.

A ishin ankuar banorët ndonjëherë tek kryeplaku i fshatit? Po administratori social çfarë roli ka në gjithë këtë histori të rëndë, po strukturat e policisë a funksionojnë në zonat rurale? Dhe së fundmi, si duhet të ruajmë veten e të tjerët nga personat me rrezikshmëri të lartë?

Pushteti vendor inekzistent

Ngjarja e Fierit nxorri zbuluar pikërisht këto problematika, shurdhërinë e strukturave të pushtetit vendor ndaj shqetësimit të qytetarëve të saj.

Me ndarjen e re administrative, fshati Greçalli në Fier është pjesë e njësisë administrative Qendër në qarkun e Fierit bashkë me 9 fshatra të tjerë.

Sipas ligjit, këto njësi administrative janë pjesë e bashkisë së Fierit ku kryetarët e kësaj njësie referojnë për problematikat që kanë zonat që administrojnë.

Të pyetur nga Gazeta "Si", ekspertë sociologë dhe psikologë njëzëri thanë se krimi ndaj 8-vjeçarit mund të ishte shmangur nëse strukturat përgjegjëse do të ishin vigjilente.

Sociologu i njohur Gëzim Tushi thotë se roli i administratorit social ka humbur vlerën e tij duke qenë më shumë pjesë e burokracisë së administratës sesa të jetë aktiv siç dhe u krijua si ide.

‘Me miratimin e ligjit “Për Mbrojtjen nga dhuna në familje”, në bashki u krijuan strukturat e njësisë së referimit të dhunës dhe u emëruan administratorët socialë të cilët kishin për detyrë  të gjurmonin rastet e referuara, të ndiqnin zbatimin e ligjit duke u ofruar mbrojtje viktimave të dhunës, në bashkëpunim dhe me policinë.

Por sot duket se puna e tyre është bërë burokratike, ata janë të përqëndruar më shumë në zyra, duke hartuar shkresa më shumë sesa duke ndjekur realisht problemet që referohen në terren”, thotë Tushi.

Vetë bashkëfshatarët e vrasësit rrëfyen para gazetarëve se 38-vjeçari i alkoolizuar ishte i dhunshëm sidomos ndaj kategorisë së dobët, të moshuarit, gratë dhe fëmijët.

Por a është referuar tek strukturat e pushtetit vendor ndonjë rast gjatë këtyre viteve? Jo. Vetë banorët e fshatit treguan se ishin mbrojtur vetë më shumë sesa kishin pasur përkrahjen e shtetit.

Momenti i përcjelljes së të miturit në arkmort

Si mund të jetojë një fshat i tërë në heshtje me krimin?

Banorët treguan se vrasësi kishte precedentë penalë. Ai kishte qenë pjesëmarrës në një pengmarrje së bashku me xhaxhain e viktimës, ku torturuan dhe donin të vrisnin një tjetër bashkëfshatare, një 16-vjeçare. Këtë e pranoi dhe nëna e vajzës që në 2006 i shpëtoi kthetrave të vrasësit por sërish fshati heshti.

Askush nuk di të thotë se pse pas shlyerjes së dënimit, 38-vjeçari u rikthye në fshat ku nuk e priste askush dhe nuk kishte asgjë për të jetuar, madje as krevat.

Ai jetonte në mjerim, në një kasolle dhe ushqehej si për ironi të fatit, nga familja e viktimës.

Banorët e fshatit Greçalli të Fierit pohuan se kishin jetuar me frikë për vite me radhë që nga dalja e Klodian Çalamanit nga burgu duke iu ruajtur zemërimit të tij.

Por nuk mundën të ndalnin vrasjen e 8-vjeçarit.

A mund të parandalohej vrasja?

Psikologët thonë se krimi mund te parandalohej nëse të gjitha shërbimet do të funksiononin normalisht.  Duke filluar nga familja, specialistët e shëndetit mendor, policia etj.

Socialogu Tushi thotë se degradimi që po ndodh me shoqërinë shqiptare është shkaku i rritjes së kriminalitetit.

Sipas tij prej vitesh ka humbur lidhja mes familjes e shkollës dhe e gjithë vëmendja e prindërve është drejtuar vetëm tek notat e mira të fëmijëve.

Tushi tha se gjithçka është kryer në funksion të kësaj, me rëndësi për prindërit është që fëmijët të mbushin dëftesat me nota të mira.

Ndërsa psikologia Totesa Miho nga Qendra e Shërbimeve Psiko-Ligjore "Family", thotë se ngjarja e Fierit nuk ka një përgjegjës konkret por ka disa.

“ Të gjithë, duke filluar nga familja që duhet të ketë informacion për individë të cilët jetojnë në komunitetin perreth, specialistët e shëndetit mendor të cilët nëse janë në dijeni të një rasti duhet ta ndjekin në vazhdimësi, policia e cila duhet të mbajë nën vëzhgim personat me precedentë penalë të mëparshëm”, thotë psikologia Totesa Miho nga Qendra e Shërbimeve Psiko-Ligjore "Family".

Sipas saj,  shoqëria në vendin tonë ka shumë pak informacione për problematikat e shëndetit mendor dhe çfarë mund të shkaktojnë ato.

“Shpesh shoqëria zgjedh të heshtë dhe të mos referojë rastet dhe pse është në dijeni se mund të kenë problematika të shëndetit mendor.

Zgjedhim të qëndrojmë te familja dhe shpesh qëndrojmë distant nga problemet e të tjerëve. Besojmë që problemi i tjetrit nuk prek familjen tonë, duke shmangur në këtë mënyrë përgjegjësinë e kujdesit dhe informimit.

Kjo eshte papërgjegjshmëri e të gjithëve, të cilat çojnë në ngjarje kaq të rënda”, thotë psikologia Miho.

Shtëpia e vrasësit në oborrin e të cilit u gjend trupi i 8-vjeçarit

Bashkëjetesa me personat e rrezikshëm dhe të sëmurët mendorë

Ekspertët thonë se shoqëria shqiptare duhet të thyejë stereotipet në lidhje me problemet e shëndetit mendor.

Sipas psikologëve, sidomos në zonat rurale, të sëmurët mendorë konsiderohen akoma problem i familjeve dhe sa kohë nuk përballen vetë me ta, nuk janë bashkëpunues me strukturat e shërbimeve sociale.

“Që të funksionojnë shërbimet sociale, duhet një bashkëpunim i të gjithëve,  (familja, shoqëria, specialistët e shëndetit mendor, policia, struktura të tjera ), thonë psikologët.

Ndërsa sociologu Tushi thotë se nëse personat janë me rrezikshmëri të lartë, ligji duhet të zbatohet me rigorozitet duke e distancuar atë nga komuniteti dhe duke krijuar kontakte të ngushta mes banorëve, strukturave të pushtetit vendor dhe policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë