Analize

Duhanpirja, alkooli dhe narkotikët, lidhje me abuzimin seksual

Abuzimi seksual gjatë gjithë jetës lidhet fuqimisht dhe në mënyrë të konsiderueshme me duhanpirjen gjatë gjithë jetës, konsumimin e alkoolit gjatë gjithë jetës dhe veçanërisht përdorimin e kanabisit gjatë gjithë jetës.

Të paktën këto janë përfundimet e nxjerra nga studimi “Vlerësimi i sjelljeve të lidhura me shëndetin tek fëmijët e moshës shkollore 11, 13 dhe 15 vjeç” (Health Behavious in School Age-Children – HBSC), një studim i aplikuar edhe për Shqipërinë.

Duke sjellë të dhëna dhe duke bërë analizë të tyre, studimi vë në dukje se përveç kësaj, abuzimi seksual gjatë gjithë jetës ishte shumë i lidhur me marrëdhëniet seksuale dhe, në një shkallë shumë më të vogël, me fillimin e hershëm të tyre.

“Përdorimi gjatë gjithë jetës i duhanit dhe i alkoolit mbetën korrelacione të rëndësishme të abuzimit seksual gjatë gjithë jetës në modelet e regresionit të kontrolluar për të gjithë ndryshorët e pavarur, ndërkohë që kjo gjë nuk u evidentua për përdorimin e kanabisit gjatë gjithë jetës.  Për më tepër, abuzimi seksual gjatë gjithë jetës ishte shumë i lidhur me marrëdhëniet seksuale dhe, në një shkallë më të vogël, me të qënit dëshmitar i dhunës në familje.”,- vërehet në studim.

Papunësia e nënës ndikon në abuzim seksual

Ndërkohë që flitet se në mënyrë të ngjashme me abuzimin fizik dhe emocional, abuzimi seksual gjatë gjithë jetës ishte i lidhur ngushtë me të qënit dëshmitar i dhunës në familje.

Një gjë tjetër që nënvizohet sipas të dhënave të analizuara është se “Nuk kishte asnjë provë të lidhjes me statusin e punës së babait ose të ardhurat e familjes, por një lidhje pozitive të abuzimit seksual gjatë gjithë jetës me papunësinë e nënës.”

Studimi i HBSC-së i kryer në Shqipëri në 2017-18 vëren se gati një në tre fëmijë (32%) raportuan se ishin lënduar ndonjëherë fizikisht nga prindërit ose të rriturit e tjerë në familjet e tyre përkatëse.

Prevalenca e abuzimit emocional gjatë gjithë jetës ishte 16% (13% tek djemtë përkundrejt 18% tek vajzat). Lidhur me abuzimin seksual, rreth 8% e të fëmijëve raportuan se ishin abuzuar gjatë jetës së tyre, ndërsa prevalenca e marrëdhënieve seksuale gjatë gjithë jetës (e tentuar dhe/ose e përjetuar) ishte rreth 3%.

Vetëm 5% e të rinjve të moshës 15 vjeç raportuan se kanë qenë dëshmitarë të dhunës në familje gjatë jetës së tyre. Korrelacione të forta dhe domethënëse të abuzimit fizik gjatë gjithë jetës ishin gjinia femërore, përdorimi i duhanit dhe alkoolit gjatë gjithë jetës, si dhe dhuna në familje.

Në mënyrë të ngjashme, korrelacionet e rëndësishme të abuzimit emocional gjatë gjithë jetës ishin gjinia femërore, përdorimi i duhanit dhe alkoolit gjatë gjithë jetës, dhe veçanërisht dhuna në familje.  Korrelacione të rëndësishme të abuzimit seksual gjatë gjithë jetës ishin papunësia e nënës, përdorimi i duhanit dhe alkoolit gjatë gjithë jetës, marrëdhëniet seksuale gjatë gjithë jetës, si dhe dhuna në familje.

Studimi i HBSC-së i kryer në Shqipëri në vitet 2017-18 tregon se karakteristikat demografike të fëmijëve dhe veçanërisht statusi socio-ekonomik i familjeve përveç mjedisit shkollor dhe marrëdhënieve me bashkëmoshatarët luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve.

Në veçanti, kjo analizë e thelluar e të dhënave sekondare nxjerr në pah lidhjet e rëndësishme të llojeve të ndryshme të abuzimit të fëmijëve duke përfshirë abuzimin fizik, abuzimin emocional dhe abuzimin seksual.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë