Politike

Dosja ‘Partizani’, Berisha nuk paraqitet në SPAK: S’kam njoftim nga Kuvendi, Kushtetutën nuk e shkel (çfarë ndodh më pas)  

Sot është e hëna e parë e muajit nëntor që në bazë të vendimit të GJKKO-së, Sali Berisha është i detyruar të paraqitet (10.00 a.m) pranë SPAK i akuzuar për korrupsion pasiv lidhur me privatizimin e ish-kompleksit ‘Partizani’

Paralelisht me detyrimin e kohës së paraqitjes në SPAK, Sali Berisha është shfaqur tek kryesia e Kuvendit për të mbledhur grupin.

Berisha tha se nuk ka njoftim zyrtar për vendimin dhe se nuk do të shkelë Kushtetutën.

"Së pari, përveç medieve, nuk kam asnjë njoftim!

Së dyti, jam i gatshëm të shkoj në çdo kohë në SPAK për t’u përgjigjur çdo pyetje.

Nuk pranoj kurrë sanksionet antikushtetuese të Edi Ramës dhe bandës së tij.

Çdo qytetar duhet ta dijë, se unë sa herë jam thirrur në prokurori, jam paraqitur gjatë jetës sime.

Nuk kam refuzuar kurrë.

Por unë, jo në mbrojtje time, por në mbrojtje të t drejtave më elementare të çdo qytetari, nuk mund të pranoj që Edi Rama me një grusht banditësh, që funksionojnë ose si grup i strukturuar kriminal, ose në forma të tjera në organet e drejtësisë, të shkelë Kushtetutën.

Ai vendim duhet të shkojë në parlament, se aty e kam qendrën e punësimit se në parti politike nuk vjen dot.

Por atje nuk e dërgojnë dot se ai vendim është shkelje flagrante e Kushtetutës.

Nëse për një deputet shkelet Kushtetuta, imagjino se çfarë bëhet me një qytetar të thjeshtë.

Dhe Edi Rama kërkon të vendosë gjer në fund pushtetin e tij personal.

Unë u them demokratëve dhe qytetarëve se ne qëndrimet e mia nuk ka asnjë gjë personale, përveç mbrojtjes së interesave jetike të tyre, duke mbrojtur Kushtetutën.

Kushtetuta ka përcaktimet e veta", tha Berisha për mediat.

Berisha foli disa herë për këtë çështje gjatë ditës së hënë.  

‘Ditën e sotme unë nuk kam asnjë njoftim, përveç njoftimeve publike. Ato nuk kanë asnjë vlerë. Unë kam një institucion, dhe institucioni zyrtar i punës për mua është parlamenti i Shqipërisë.

Çdo njoftim, kushdo që të ketë nga institucionet, për deputetin, e sjell në parlament.

Këtu nuk ka ardhur asnjë gjë. Asnjë njeri nuk ka marrë asnjë dokument.

...Ai nuk guxon ta bëjë këtë se duhej të sillej jo si bandit, por si zyrtar dhe të kërkonte që Sali Berisha të paraqitet, këto dhe këto... dhe ta vendoste parlamenti, do ta votonte edhe Sali Berisha vetë.

Por ai nuk e bën këtë se do të sillet si bandit. Dhe ju dhe askush nuk duhet të bëjë avokatinë e një banditi.

Se avokatia e një banditi nuk i shërben askujt”, tha Berisha në një tjetër deklarim për mediat.

Avokatët e tij kanë apeluar vendimin e GJKKO-së në Apel.

Ndërkohë, juristë të ndryshëm janë shprehur se nëse Berisha nuk paraqitet në SPAK të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, gjykata  mund të ashpërsojë masën e sigurisë nga ‘detyrim për tu paraqitur’  para oficeres së policisë gjyqësore në ‘arrest shtëpie’.

Në anën tjetër oficerja e policisë gjyqësore mban proces-verbal ku duhet të shënohen arsyet në rast mosparaqitje si psh raport mjekësor apo dokument tjetër që justifikon ligjërisht mungesën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë